'Libri i Udhëtimeve' i Evliya Çelebiut vjen tani edhe në shqip

'Libri i Udhëtimeve' i Evliya Çelebiut vjen tani edhe në shqip

Dervish Mehmed Zilli

Evliya Çelebiu, emri i vërtetë i të cilit është Dervish Mehmed Zilli ishte fuksionar, udhëtar, intelektual dhe shkrimtar osman, i cili jetoi në shek. XVII.

Ai mendohet të ketë lindur në vitin 1611 në qytetin e Stambollit dhe ka vdekur në vitin 1684. Për një periudhë rreth dyzet vjeçare ai ka shëtitur thuajse të gjithë hapësirën e Perandorisë Osmane por edhe shtete të tjera të Europës duke na përçuar informacione të rëndësishme mbi jetën sociale, shoqërinë, kulturën, historinë dhe fenë e shumë vendeve nëpër të cilat kishte udhëtuar.

Ajo çka e habit studiuesin në lidhje me Çelebiun është diapazoni i tij i gjerë intelektual po të kemi parasysh se në Sejahatname ai flet për çështje të cilat u përkasin fushave dhe shkencave të ndryshme, kulturës, fesë, arkitekturës, gastronomisë etj. Jo më kot, emri dhe vepra e tij u vlerësuan nga UNESCO duke e shpallur vitin 2011 si vitin e Evliya Çelebiut.

Vepra e tij, Sejahatnameja na del përpara si një vepër me rëndësi të veçantë nisur nga fakti se ajo na paraqet një panoramë ekonomike, administrative, kulturore e historike të një pjese të konsiderueshme të hapësirës territoriale të Perandorisë Osmane të shek. XVII. Në vetvete, kjo vepër është një shembull dhe burim i dorës së parë për të kuptuar historinë kulturore e shoqërore të zonave e rajoneve në veçanti e atë të gjithë Perandorisë Osmane në përgjithësi.

Rëndësinë e kësaj vepre e tregon më së miri numri i madh i ribotimeve të saj, i përkthimeve në shumë gjuhë të ndryshme dhe i një numri të madh artikujsh, shkrimesh, monografish të karakterit akademik që janë shkruar mbi këtë punim.

Libri i Udhëtimeve përbëhet prej dhjetë vëllimesh dhe fillon me përshkrimin e qytetit të Stambollit e më pas ka vijuar me vendet e shëtitura prej Evliya Çelebiut që janë përfshirë në nëntë vëllimet e tjera. Vendet që ai ka shëtitur sipas vëllimeve me radhë janë: 1. Stambolli dhe rrethinat; 2. Anadolli, Kaukazi, Kreta dhe Azerbajxhani; 3. Siria, Palestina, Armenia dhe Rumelia; 4. Veriu i Anadollit, Iraku dhe Irani; 5. Rusia dhe Ballkani; 6. Hungaria, Bosnja dhe vendet përreth; 7. Austria, Krimeja dhe sërish Kaukazi; 8. Krimeja dhe vende të ndryshme të Rumelisë; 9. Haxhi drejt Mekës; 10. Egjipti dhe Sudani. Studiuesit turq i kanë përkthyer në turqishten e sotme shtatë vëllimet e para, ndërsa tre të fundit ende mbeten në gjuhën osmane.

Për lexuesin shqiptar kjo vepër nuk është e panjohur. Më herët është botuar një përkthim i disa pjesëve të Sejahatnamesë, që flasin për hapësirën shqiptare, nga Sali Vuçiterni me titullin “Shqipëria para tre shekujsh”.

Gjithashtu, edhe albanologu Robert Elsie bashkë me Robert Dankoff, në vitin 1999 kanë botuar në gjuhën angleze vëllimin Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohrid), vepër në të cilën janë përmbledhur pasazhe nga vëllimet V, VI, VIII. Por, na duhet të theksojmë se të dhënat për shqiptarët dhe hapësirën shqiptare i gjen pothuajse në të dhjetë vëllimet e kësaj vepre të rëndësishme. Për këtë arsye, ne e pamë të nevojshme t’i përkthejmë të gjitha këto vëllime duke sjellë në gjuhën shqipe një kolanë kaq të rëndësishme.

Vetë Çelebiu mendohet se i ka vizituar hapësirat shqiptare gjatë viteve 1660, 1662 dhe 1670 duke na lënë pas të dhëna me shumë rëndësi për gjuhën, dialektet, zakonet, kulturën, qytetet, kalatë, arkitekturën, fenë, ushqimet, rrugët, panairet, vendet e çlodhjes e shumë elemente të tjera të historisë sociale. Parë nga ky aspekt, të dhënat që nxjerrim nga Sejahatnameja na shërbejnë për të kuptuar më mirë gjeografinë e shqiptarëve gjatë shek. XVII, elemente të përditshmërisë dhe jetesës së tyre. Të dhënat që ai na jep për Gjirokastrën, Vlorën, Beratin, Elbasanin, Shkodrën, Ulqinin etj., na shërbejnë si burime të rëndësishme për historinë e qyteteve shqiptare por edhe për të kuptuar gjendjen e hapësirave shqiptare gjatë sundimit osman.

Përveç botimeve të pjesëve fragmentare nga vepra kolosale e Evliya Çelebiut, të cilat u përmendën më sipër, për herë të parë në vitin 2018, shtëpia botuese “Fan Noli” vendosi ta sjellë në gjuhën shqipe këtë burim kaq të rëndësishëm. Kështu, si hap i parë u realizua përkthimi i vëllimit të parë të Sejahatnamesë që flet për qytetin e Stambollit dhe vendet përreth. Rreth njëmijë faqe përshkruajnë këtë qytet magjik nga themelimi i tij deri në shek. XVII, kohë kur vetë Çelebiu kishte jetuar.

Në lidhje me përkthimin e Sejahatnamesë vlen të parashtrojmë disa kritere që kemi ndjekur gjatë këtij procesi. Fillimisht, duhet të theksojmë se përkthimi në gjuhën shqipe i kësaj vepre është bërë nga versioni i saj në gjuhën e sotme turke. Në pjesën dërrmuese i kemi qëndruar stilit të Evliya Çelebiut i cili shkruan me fjali të gjata. Ndërsa për strofat, bejtet apo poezitë që bëjnë pjesë në vëllim e që janë të shkruara kryesisht në gjuhët perse e arabe kemi ndjekur rrugën e përshtatjes së tyre.

Vepra në fjalë përdoret edhe si burim prej shumë studiuesve në punimet e tyre lidhur me periudhën që trajton ajo. Për këtë arsye, lidhur me emrat e njerëzve, toponimet dhe termat e shumtë që kalojnë në tekst ne kemi preferuar të mos i përkthejmë por t’i lëmë ashtu siç kalojnë në terminologjinë osmane.

Të njëjtën rrugë kemi ndjekur edhe lidhur me instrumente, vegla pune apo muzikore, profesione e emërtime të cilat jo vetëm që nuk e kanë përkthimin në gjuhën shqipe por, në të njëjtën kohë mund t’i përkasin periudhës së Evliya Çelebiut e nuk kanë arritur deri në ditët tona. Megjithatë, në rastet kur e kemi parë të nevojshme me paranteza kemi dhënë një shpjegim të shkurtër të disa termave që kalojnë në libër.

Për arsye se vëllimet e kësaj vepre janë voluminoze dhe për të qenë sa më të përdorshëm për lexuesin ne e kemi ndarë secilin vëllim në dy pjesë, metodë të cilën e kanë përdorur edhe studiuesit turq në përkthimin e kësaj vepre nga gjuha osmane në turqishten e sotme.

Në këtë vëllim gjejmë shumë të dhëna mbi shqiptarët, karakterin dhe tiparet dalluese të tyre,  vendet ku ata jetojnë në Stamboll, profesionet me të cilat merreshin, sadrazamët apo vezirët me origjinë shqiptare dhe elementë të tjerë që kanë lidhje me ne. Kështu, vetë Çelebiu sa herë flet për shqiptarët shprehet se janë një komb inatçi, duke theksuar vendosmërinë e tyre por edhe këmbënguljen si një tipar dallues me popujt e tjerë. Nga ana tjetër, ai bën edhe hamendësime të pabaza kur lidh zonën e Kurveleshit me fisin arab të Kurejshëve.

Çelebiu përshkruan periudhën e sundimit të secilit prej sulltanëve osmanë duke përmendur edhe emrat e sadrazamëve, vezirëve, dijetarëve, poetëve e arkitektëve më të shquar.

Aty hasim shumë emra me origjinë shqiptare duke vijuar që nga Ibrahim Pasha, i cili vuri qetësi në Egjipt gjatë viteve 1520 për të kaluar tek veziriazami intelektual i Sulltan Sulejmanit, Lutfi Pasha e për të vijuar tek sadrazamët e mëdhenj që dolën nga dinastia e Koprylyve, tek poeti i njohur Jahja Bej Dukagjini deri tek admirali Kara Mustafa Pasha e shumë vezirë e funksionarë të tjerë. Autori thekson origjinën e tyre, funksionet që kishin patur, sukseset e arritura por edhe veprat e bamirësisë që kishin ndërtuar e lënë pas.

Evliya Çelebiu na flet për profesionet me të cilat merreshin dhe shquheshin shqiptarët që jetonin në Stamboll. Duke filluar që nga përgatitja e pijeve dhe e gjellëve si bozë, salep, hardalli, prodhimin dhe tregtinë e djathit, përgatitjen e mëlçive etj., por edhe tek profesione të tjera siç është ai i shtrimit të kalldrëmit apo dhe zhytja në thellësi të detit për të nxjerrë baltë, e cila shërbente për poçeri dhe për prodhimin e tjegullave.

Këto dhe shumë të dhëna të tjera që gjenden në mesin e fletëve të Sejahatnamesë jo vetëm që na japin informacione të rëndësishme mbi qytetin e magjishëm të Stambollit, qendër e botës për më shumë se njëmijë vite por, gjithashtu na tregojnë edhe kontributin e madh që shqiptarët dhanë në këtë qytet madhështor.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë