Libri "Të gjallë dhe të vdekur" 
rikthim dinjitoz i Ilirian Zhupës

Libri rikthim dinjitoz i Ilirian Zhupës">
Mbi vëllimin e ri poetik “Të gjallë dhe të vdekur”, ku mbizotëron dëshpërim i lehtë, i ligjshëm si ekzistencë, në frymën e perceptimit se bota s’do të jetë asnjëherë aq e mirë sa s’ka ku shkon më tej...
 
Botimi i librit me poezi “Të gjallë dhe të vdekur”, i Ilirian Zhupës, krahas cilësisë artistike, shënon edhe një veçanti: pas 25 viteve heshtjeje, autori i saj rikthehet në poezinë shqipe, ku, me krijimtarinë e vet të deriatëhershme, kishte zënë vend mes më të zgjedhurve. Tërheqja pjesërisht mund të vihet re edhe nga ngjyrimi emocional dhe refleksiv i vargjeve të librit: mbizotëron dëshpërim i lehtë, i ligjshëm si ekzistencë, në frymën e perceptimit se bota s’do të jetë asnjëherë aq e mirë sa s’ka ku shkon më tej... Kjo filozofi është ngasje bosht e frymëzimit poetik të Ilirian Zhupës në këtë përmbledhje. Brenda këtij vizioni, autori bën bashkë degëzimin lëndor, që nga vargjet intime, deri ato të ekzistencës, enigmës dhe misterit, te reflekset e përditshmërisë dhe vargjeve autobiografike...Në këtë frymë poeti bën bashkë të gjallë dhe të vdekur, bën bashkë ata që ia lehtësojnë dhe rëndojnë përditshmërinë, por që nuk mundet as pa të parët as pa të dytët...
 
Në librin e poezive “Të gjallë dhe të vdekur”, brenda dyzet faqeve, në fund të përmbledhjes Ilirian Zhupa sjell edhe poemën me titull “Qielli im”. Edhe pse fjala është për krijim në vete, të pavarur, megjithatë, poema ndërthuret me sfondin e librit në tërësi, që siç u tha, shije të parë ka dëshpërimin e autorit nga bota përreth, hamendësinë dhe habinë përballë mistereve të gjithësisë dhe krijuesit... Poema qëndron në harmoni me tërë atë sfond dhe, për më shumë, sikur e ngjiz embrionin e parë që andej. Mbase, vetëm me reflekset e përditshme përreth, që është burim i parë dëshpërimi, sikur qëndron në oponencë të papajtueshme. Shquan prirja e poetit për hamendësime dhe tundime dramatike, për të mos e përjashtuar përfundimisht praninë e Krijuesit, - pos dilemës, që shtrihet në tërë tekstin, pse dhe kë ndëshkon aq mizorisht në botën përreth tij. Dilema që do ta karakterizojë shkrimin pra,mbi poemën “Qielli im” vjen pikërisht nga kjo perspektivë e brendshme e poemës me tërësinë e librit “Të gjallë dhe të vdekur”...
 
     Natyrisht që poema në fjalë është libërth në vete dhe besoj bërthamë e një poeme që edhe mund të zhvillohet...Poema “Qielli im” ka tri pjesë: “Ati”, “Biri” dhe “Shpirti”. Secila ka nga njëmbëdhjetë këngë, pra tridhjetë-e-treshin të Jezusit.
 
Ati
     Në këngën e parë “Ati” poeti pranon se projektin e ngre në emër të atij që e kërkon por nuk e sheh asgjëkund...Pranon gjithashtu se Ai shfaqet i fshehur, i parrokshëm në prekje-ëndërr, por  po aq real në gjak e dej, si prejardhje e çdo gjëje në botë, dashuri e urrejtje bashkë. Një gjysmë përgjigje përmes serisë pyetëse sjell edhe kënga e dytë, duke lënë të pranishme hamendësinë habitëse. Te hovi i tretë poeti u jep pak zjarr pyetjeve retorike –  “O qiell, nëse je ti ai që ke bërë e bën e do vazhdosh të bësh këtë e këtë e këtë ... atëherë po i ke hak të gjitha – të falemi për të gjitha”...dhe meqë At dhe Bir dhe Shpirt bëjnë Qiellin, poeti te kënga e katërt shtron kërkesat konkrete, “Bëmë tejqyrë të shoh larg, mos më verbo me ditë e dritë, a me pak re të shprishura pendimi “(një ndjeshmëri figure e hollë : reja, që në çast lëviz e ndërron formë - e që, sakaq, ndërron mendje rishtazi në vazhdim dhe në drejtim...) bëji të qarta tërë çudirat – se, pavarësisht tundimeve – nuk ngjiten e as nuk zbresin dot – as Atë, as Njeri...Tek pesëshi – poeti përmes një digresioni elegant shmang për një çast dialogun imagjinar me Qiellin, për t’u prehur brenda një kujtimi intim – çasti kur së pari ra në dashuri...Që diskretshëm përcjell ndjesinë: çdo gjë që ndodh në gjithësi ka lidhje me çdo gjë tjetër – të gjitha kanë një burim – një Qiell...Me këngën e gjashtë, poeti ia pranon të gjitha Qiellit – ja kujtimi dhe kuptimi në këtë botë...Shmangia relaksuese del edhe në këngën e shtatë, me shfaqjen e parë, mëkatin e parë, grua-burrë, që i faturohen gjithashtu atij. Në këngën e tetë poeti shpalos dyzimin e qenies së vet: ndjehet zog i lumtur dhe i lirë në gjirin e Atit Qiell-or, përkatësisht rob i pranguar në përditshmërinë tokësore. Zëri lirik, lëviz pa frikë në gji të Qiellit të plotfuqishëm, pa u ndrojtur nga tymi, nga era dhe terri i frikshëm, i trishtë...dhe, vazhdon tutje, pa kërkuar përgjigje nga  Qielli...Te kënga e nëntë, poeti zbret në tokën e fëmijërisë, përjetimet ëndërrore në gjirin prindor  – Uratën e tyre – për të qenë zog qiellor – pa e ditur aso kohe që atë një ditë do ta kryqëzonin si Jezusin ... Që te kënga e dhjetë, shtjella dramatike e shpirtit, kulmon përmes pranimit: të gjitha që i shoh e s’i shoh – vijnë nga Qielli...por rruga deri atje mbetet mister-nëntokësor? E në tërë jetën – Qiellin e mbajmë mbi shpinë, pa e ditur – gjersa ai – ajo peshë, na rrudh dhe na thinj.
     Në përfundim – çdo gjë të mbetet si një pyetje totale – pa fund: - (Qiell) ç’bën vallë mbi ne, që natën ndez zjarre e ditën i fsheh?
 
Biri
     Në këngën e parë të pjesës së dytë të poemës, “Biri”, poeti sjell portretin e birit – Jezusit. Që në vargun e parë të kësaj kënge, autori merr qëndrim: “...thonë se është shëmbëllim e mëtejmë – edhe imi, edhe i Atit që ndiejmë”. Togu “Që thonë” është qëndrim i qartë i perspektivës hamendësuese, i dilemës të cilën duhet patur parasysh gjatë gjithë kohës së leximit të poemës në tërësi, apo thjesht është vetëm një refleks retorik? Dritëhijet e tilla të brendshme të zërit lirik që shtrihet në të tre pjesët e poemës – që bartin qoftë pyetjet e shumta, qoftë dëshirat, kërkesat – apo edhe qortimet diskrete, janë dëshmi e një besim-dyshimi konstant të poetit.
Dhe pas këngës së parë, mjafton të shohim atë përmbyllësen, këngën e njëmbëdhjetë, ku shfaqet imazhi-  ke mbështjellë Ati-Krijues – botën tonë me qiellin si vezën me cipën e hollë, që ne rropatemi ta depërtojmë e s’mundemi... Dhe kur as engjëjt s’na ndihmojnë dot, na prin dreqi ... Ne atëherë i ndajmë në tonat dhe të tyreve – Yjësitë që s’i kemi... Përvetësojmë me shpatë e gjak atë që s’e kemi, përvetësojmë, si ëndërrimtarë të papërmirësueshëm, atë që nuk e arrijmë kurrë- këtë bëjmë që nga fillimi – që do të thotë edhe me vullnetin tënd – O Qiell – që je tërësia e Atit, Birit, Shpirtit...
    
     Shpirti
 

     Enigmë, mister, përbërësit e Qiellit, por më i paprekshëm,mister i plotë  del përbërësi i tretë – Shpirti...Nuk ka as trajtë figure, as lëndore, as shqisore...I pa prekshëm as me mendje – edhe kjo, mendja përbërëse e tij, njësoj si dashuria, gëzimi, urrejtja. zilia, lakmia. As i lëngshëm, as i ngurtë, as i fjetur, as i zgjuar, as i dukshëm – as i padukshëm...Si zbret mistershëm nga qielli në shtëpinë e tij-trupi dhe aq mistershëm fluturon prapë në qiell? Shtegtim i përhershëm i tillë – i pavdekshëm? Bredh shtigjeve të tilla të panumërta poeti në kërkim të enigmës shpirt, pa gjetur shpjegim, pa gjetur qetësi...Dhe, megjithatë, një satisfaksion: dashuria – beson poeti – është zëri i parë i tij, i shpirtit.
 
Tri pjesët e poemës – Ati, Biri dhe Shpirti janë shkruar gjatë (1997 – 2015). Ideja – bërthamë e ka embrionin e thellë ... Që janë artikuluar në çaste dhe situata të ndryshme brenda njëzetë viteve – kjo hetohet . Në strukturën e secilës pjesë ka poezi që qëndrojnë edhe si të pavarura, por që rijnë mirë, në harmoni të plotë edhe brenda 11-shes, përkatësisht 33-shes.
     Parapërcaktimi i numrit të këngëve në poemë, në çaste e ngadalëson ritmin e rrjedhës  së reflekseve lirike dhe narracionit dramatik. Vërehen çaste kotjeje dhe poeti me kohë kthjellohet dhe rritmi ngjallet sakaq. Poema Qielli im është tekst homogjen, sunduar krejtësisht nga refleksi lirik, përballë narracionit. Ndërtuar me lëndë të dorës së parë, lëndë palcore të qenies, ka të gjitha parakushtet të zhvillohet më tej – në një epos lirik shpirtëror të veçantë...Një rrëfim lirik që pos shtrirjes universale në kërkim të Trinisë – në emrin e vet e të qenies universale – njëherë edhe shtegtim arbëror. Shtigje shpërthimi të shumtë ka teksti që kemi përpara: i ngjeshur dhe shtrënguar mjeshtërisht.
 
Ç’nxit tek lexuesi leximi i një teksti lirik si ky i Ilirian Zhupës? Pos kënaqësisë estetike, mbase vë në lëvizje përsiatje në fshehtësitë dhe misteret e universit njeri. Vë në ngasje mendjen kërkimtare lidhur me të panjohurat që qëndrojnë përpara njeriut, që nga fillimet, ngasje që shpreson se edhe mund të hasë diç të prekshme nga të gjitha enigmat që na mundojnë. Ndërmendemi gjithashtu për qenien tonë në këtë botë, ndriçim çastesh gëzimi a dëshpërimi, të dashurit tonë këndej dhe përtej kësaj bote, krejt ç’kemi ecur e ç’synojmë në jetë...Vargjet e librit “Qielli im” na nxisin e shqetësojnë, na kthejnë drejt vetvetes, gërvishtin në dilemën tonë të përjetshme, edhe sipas frymës së filozofisë së lashtë antike se çdo gjë në këtë botë lë gjurmë e shenjë lidhur me misterin krijim dhe krijues... Të kthen sidomos në përballjen e përhershme të përjetësisë dhe vdekshmërisë, e dyta për të siguruar të parën dhe kjo, e para, gjithë mospërfillëse...
 
Ditën kur e kisha në dorë poemthin “Qielli im” (një gusht 2016), Papa nga Aushvici dha këtë zë: “O Zot, pse e lejove këtë mynxyrë, këtë krim përmasash kaq tragjike...”, lutje-klithje që jehon edhe si pyetje, edhe si qortim por edhe si tundim  besimi në Zot.
 
Ali ALIU

te vdekur te gjalle libri

 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull