Mbledhja e ERE-s ishte parashikuar për sot në orën 10.00, por mbledhja është shtyrë. ERE doli në një konferencë për shtyp në orën 14.00 për të dhënë detaje në lidhje me shtyrjen.
Në konferencë Drejtori juridik i ERE-s, Eduard Elezi tha se mbledhja e anëtarëve të bordit të komisionerëve, që do të shqyrtonte kërkesat e operatorëve energjetikë në treg e që ishte planifikuar për t'u zhvilluar në orën 10:00 ishte shtyrë në një datë tjetër të pacaktuar. Arsyeja, sipas tij, "është përpunimi i të dhënave të shumta dhe gjetja e një zgjidhjeje, që do të minimizonte kostot dhe do të mbronte konsumatorin. Kjo është hera e tretë që shtyhet mbledhja, që, sipas disa mediave, do të sillte heqjen e licensës për CEZ-in, çka është përgënjeshtruar nga vetë kjo kompani. "
CEZ Shpërndarje, OST dhe KESH kanë paraqitur kërkesat e tyre për rishikim të çmimeve të energjisë dhe kostove operative, si edhe planet përkatëse të investimeve. Për çmimin e energjisë që paguan konsumatori familjar nuk duhet të bëhet rishikim, derisa ERE ka marrë tashmë vendim për ruajtjen e tarifave aktuale deri në fund të vitit 2014. Kompanitë kërkojnë një harmonizim më të mirë të kostove përsa u përket operacioneve të përbashkëta dhe të tregut energjetik në përgjithësi.
Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi në një nga seancat parlamentare të javës së kaluar se "Enti Rregullator, që është autoritet i Kuvendit, ka nisur procedurat për heqjen e licencës për CEZ. Nga ana tjetër, qeveria po bën të pamundurën për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji në të gjithë vendin". Sipas Bodes, qeveria po përgatitet prej kohësh, bashkë me Bankën Botërore, për të gjetur një zgjidhje që nuk cënon interesat e qytetarëve. "Kanë ardhur deri tani shtatë misione të Bankës Botërore, vetëm për këtë çështje, në mënyrë që të bëjmë një zgjidhje pa pasoja ekonomike për vendin", shtoi ai. Por, ERE njoftoi se sërish problematikë në sektorin energjetik shqiptar do t'i nënshtrohet rakordimit me institucionet ndërkombëtare.
CEZ: POZICIONI YNE NUK NDRYSHON
CEZ Shpërndarje mbetet e përkushtuar për të vazhduar misionin e saj në Shqipëri, duke u ofruar një shërbim sa më cilësor klientëve të saj dhe përmirësuar marrëdhëniet e saj me autoritetet vendore dhe komunitetin. Pozicioni i saj në tregun energjetik mbetet i pandryshuar". Ky është reagimi zyrtar i kompanisë çeke të shpërndarjes në ditët që po përflitet më shpesh se kurrë për një ndryshim aksionesh, apo vendime të ERE për heqjen e licencës. Në njoftimin e djeshëm theksohet se kompania ka ndërmarrë një riorganizim të brendshëm, në mënyrë që të ndjekë praktikat më të mira europiane të të bërit biznes në Shqipëri, duke marrë masa disiplinore ndaj shumë punonjësve që kanë abuzuar me klientët dhe me asetet e kompanisë.
(gk/sg/shqiptarja.com)