MAS ka përcaktuar modelin e liçencës që do jepet për mësuesit e rinj.
Licenca për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit lëshohet nga AKP-ja brenda 45 ditëve kalendarike nga data e përfundimit të Provimit të Shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit.
Licencat tërhiqen në Agjencinë Kombëtare të Provimeve nga personat e autorizuar nga DAR-et dhe mbahet procesverbali përkatës.
Me liçencë do të pajisen gjithë kandidatët e mëparshëm, fitues në Provimin e Shtetit për ushtrimin profesionit të rregulluar të mësuesit, të cilët janë kandidatët fitues të sezoneve të mëparshme të provimit të shtetit në këtë profesion, që nuk janë pajisur ende me licencë dhe konkretisht kandidatët pjesëmarrës dhe fitues në sezonet e provimit të shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit, dhjetor 2013 dhe korrik 2014.
Të gjithë mësuesit mund të japin provimin e kualifikimit për vitin e ardhshëm nëse plotësojnë disa kritere. Në udhëzimin e publikuar në Fletoren Zyrtare jepen dokumentat që do përmbajë portofoli i një mësuesi. Portofoli personal përmban këto dokumente: Curriculum Vitae (me fotografi), vlerësimin e fundit të performancës që ka marrë kandidati nga drejtuesi i institucionit arsimor dhe fotokopje e noterizuar e certifikatave me kredite. Fotokopje e noterizuar e dëshmive të titujve/gradave shkencore (nëse ka), fotokopje e noterizuar e dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja (nëse ka).
Portofoli profesional përbëhet nga këto elemente: një plan të një aktiviteti me nxënësit e një klase të caktuar, në kuadër të shkollës si qendër komunitare, një test përmbledhës, sipas profilit përkatës dhe objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull (në një lëndë dhe klasë të caktuar). Një planifikim të një mësimi model (ditar), duke u bazuar në mësimdhënien me në qendër nxënësin dhe një plan të një projekti kurrikular, së bashku me përshkrimin e realizimit të tij.
Sakaq, mësuesit që u nënshtrohen procedurave të kualifikimit, janë ata që me 31 dhjetor plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim: Të paktën 5 vjet punë për kategorinë e kualifikimit "mësues i kualifikuar", të paktën 10 vjet punë për kategorinë e kualifikimit "mësues specialist" dhe të paktën 5 vjet punë pas marrjes së kategorisë "mësues i kualifikuar". Po ashtu, të paktën 20 vjet punë për kategorinë e kualifikimit "mësues mjeshtër" dhe të paktën 10 vjet punë pas marrjes së kategorisë "mësues specialist". /atsh/