Në një kur shqetësimi mbi sigurinë dhe standardet e shërbimit në spitalet private dhe jo vetëm, është gjithmonë e më i madh, një aksion i ri kontrollesh intensive paralajmërohet nga Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.
Kryeinspektorja Luneda Sufali, thotë se gjatë vitit 2026 prioritet do të jetë verifikimi i standardeve bazë në institucionet shëndetësore jopublike.
“Gjatë vitit 2026 do të jepet prioritet inspektimeve për plotësimin e standardeve bazë të institucioneve të kujdesit shëndetësor jopublik dhe të institucioneve të kujdesit shoqëror publik e jopublik, si pjesë e fazës fillestare të procesit të akreditimit të këtyre institucioneve”,-thotë Sufali.
Rastet si ai i raportuar nga Report Tv, i kirurgut plastik italian Marco Procopio i cili në Itali është pezulluar nga ushtrimi i profesionit dhe në Shqipëri kryen ndërhyrjeje estetike, kanë lëvizur edhe institucionet. ISHSH thotë se licencimi i mjekëve, sidomos në sektorin e kirurgjisë plastike do të ketë vëmendje të veçantë.
“Gjithashtu do të synohet disiplinimi i licencimit të klinikave dhe kabineteve mjekësore që kryejnë aktivitete diagnostikuese invazive dhe ndërhyrje kirurgjikale”,- thotë Sufali.
Kontrollet prioritare në fusha sensitive si farmaceutika, siguria ushqimore, apo edhe çerdhet e kopshtet, i theksoi edhe vetë kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, i cili prezantoi për herë të parë edhe dritaren online ku gjithkush mund të denoncojë shkelje. Siguri.gov.al do të jetë në funksion duke filluar nga muaji i ardhshëm.
“Do të lançojmë së shpejti një portal me qëllimin që jo vetëm sytë e inspektorëve të jenë në terren, por edhe qytetarët. Ata do të mund të denoncojnë çdo padrejtësi që shohin. Portali ‘Sigurt.gov.al’ do të jetë një nga mekanizmat e rinj për rritjen e kontrollit dhe transparencës”,- thotë Sula.
Në Shqipëri aktualisht funksionojnë 73 spitale, publike dhe jopublike, të cilat do të jenë në fokus të kontrolleve më të rrepta gjatë vitit 2026.
Komente










