Rreziqet në rritje nga tërmetet, zjarret dhe përmbytjet kërkojnë një qasje të re ndaj sigurisë së ndërtimeve. Gjatë një takimi mes Inspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, dhe ekspertëve të fushës u theksua nevoja për standarde më të forta në inspektime në kushtet kur fenomenet e lidhura me ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
“Siguria e ndërtimeve nuk mund të jetë përgjegjësi e një institucioni të vetëm. Ajo kërkon bashkëpunim, standarde të përbashkëta, përgjegjësi të qarta dhe institucione që punojnë në mënyrë të koordinuar. Rreziqet me të cilat përballet sektori i ndërtimit kanë ndryshuar. Zjarret, tërmetet dhe përmbytjet nuk mund të trajtohen më si ngjarje të rralla, por janë pjesë e realitetit të ri, për të cilin duhet të planifikojmë, të ndërtojmë dhe të inspektojmë çdo ditë. Prandaj, pyetja nuk është vetëm nëse objekti është ndërtuar sipas projektit, por edhe nëse ai është i sigurt gjatë gjithë jetës së tij” tha Sula.
Inspektori i Përgjithshëm nënvizoi se siguria në ndërtime nuk mund të mbetet përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve, ekspertëve, universiteteve dhe biznesit.
“Siguria e ndërtesës nuk fillon dhe mbaron në kantier, por lidhet me kontrollin teknik, ndërtimin, materialet, kolaudimin dhe çdo hallkë tjetër të procesit. Çdo hallkë e dobët në këtë zinxhir krijon rrezik. Siguria e ndërtesës nuk përfundon me kolaudimin. Kontrolli teknik duhet të ndjekë të gjithë ciklin e jetës së ndërtesës, e cila banohet dhe përdoret nga qytetarët. Kjo është një nga sfidat kryesore që kemi përpara" tha Sula
Sula vuri në dukje nevojën për inspektime të bazuara në analizën e riskut dhe përcaktimin e qartë të përgjegjësive edhe pas përfundimit të projekteve ndërtimore.
Komente










