Liceu i Korçës në anarki, Refuzimi i
‘salutimit fashist’, ja masat që mori Koliqi

Liceu i Korçës në anarki, Refuzimi i<br />‘salutimit fashist’, ja masat që mori Koliqi
TIRANE- Nga trazitat e nëntorit 1939 deri në në fund të janarit 1940 në Korçë shënoheshin çdo ditë incidente. Merreshin po ashut masa të rrepta për ti vënë nxënësit dhe profesorët e liceut në hullinë ku urdhënonte qeveria. Një prej urdhërave që refuzohej në masë ishte ai që e quanin “salutimi fashist”, i vënë si rregull nëpër të gjithë shkollat shqiptare të asaj kohe sipas një qarkoreje të ministrisë së arsimit e datës 22 prill 1939.

Për shkak të këtij urdhëri, rebelimi shtohej në rradhët e nxënësve të liceut të Korçës, edhe pse, herë pas herë ishin marrë masa të ashpra në këtë shkollë si me përjashtimin e përhershëm të disa nxënësve apo pushimin nga puna të një varg profesorësh. Me 23 janar pas revoltave të liceistëve ishte menduar e udhës të shkonte në Korçë vetë Ministri i Arsimit Ernest Koliqi, i cili kishte marrë masa të rrepta. Ja çfarë shkruan prefekti i Korçës në këtë telegram që e sjellim të plotë, për këto trazira të 23 janarit dhe masat që u morën për ti dhënë fund anarkisë në këtë lice.

MBRETNIJA SHQIPTARE
Prefektura e Korçës
Nr. 20/4 Res.
Korçë, më 26-I-1940-XVIII
P. T.
Ministris P. të Mbrendëshme
Seksionit Politik
Tiranë
Vijon Teli i jonë Nr. 20/I Res d.
23-I-40-XVIII

Parashtrojmë se ngjarja e 23 Kallndorit 1940-XVIII ngjamun në Liceun e këtushëm asht rezultanta e disa fakteve që po parashtrojmë ma poshtë: Siç dihet, salutimi FASHIST asht urdhërue me qarkoren e Ministrisë s’Arsimit Nr.1962 d.22-Prill 1939. Ky urdhër nuk asht rrespektue përgjithësisht prej nxansavet të Liceut, as që asht imponue qysh në fillim me insistim prej Zv.Drejtorit të ma parshëm Gligor Sarafini edhe prej Profesorave të kohës së tij. Drejtori i Liceut që ka qenë në kohën e mrritjes t’urdhërit të Ministrisë ka qemë Kostaq Cipo, sot i internuem n’Itali, i cili kishte porositë nxanxit që të salutojnë tue iu thanë se asht e mira e jonë dhe e Juej që të salutoni, dhe kështu salutimi ka filluar të zbatohej prej shumicës deri sa ky u internue.

Vendin e tij e zuri Zv. Drejtori Gligor Sarafini, nji person pa vullnet e pa autoritet e çka ma tepër gzonte nji antipathi të madhe ndaj nxansit të ciltë e njihnin si Profesor. Ky Direktor pandehte se salutimi do të bahet me përsëritje burokratike të Qarkores të Ministrisë s’Arsimit dhe me shpalljen e sajë nëpër hyrjet e shkollës pa i dhanë ktij urdhërit shpirtë me kshilla e me masa dishiplinore sporadike.

Ky ometim rrxoj ma tepër prestigjin e Zv.Drejtorit dhe shkaktoj që Liceu të bahesh një qendër anarshije, çrregullimi dhe indishipline, e në këto rrethana u shkaktue edhe ngjarja e 28 Nandorit, të cilën me gjith që e parashikoj nuk kje i zoti t’a evitoj. Pasojat  i dimë se janë: largimi i tëgjith Profesoravet bashkë me ish Drejtorin dhe përjashtimi i 12 nxansavet nga shkolla, gja e cila, siç dihet u provokue nga neve dhe Komanda e Grupit Ç.RR. të këtushme, deri sa ish Zv.Drejtori me këshillin e tij kishin neglizhue tue mos marrë asnji masë.

Mbas largimit të Gligor Sarafinit e të Profesorave të tjerë, Liceu u plotsue me Zv.Drejtorin e ri Z.Anton Krajnin dhe me profesora të tjerë të ciltë përgjithsisht janë të mirë. Zv.Drejtori i ri tue konstatuar gjendjen të përshkrueme ma lart dhe tue pasë parasysh faktin se indishiplinimi i nxanxavet kish marrë hov, vendosi që të shtrojë rregullin edhe dishiplinën me prudencë e me parimin, hiq e mos kput, dhe jemi të bindun se me këtë mënyrë dhe me disa masa disiplinore partikulare do t’i mrrinte qëllimit mbasi ka fillue t’a gzojë simpathinë e nxansavet.

Ky takt i Zv.Drejtorit duket se nuk u pëlqye prej gjith profesoravet, e sidomos prej Profesoravet Frano Alkaj e Riçato, të ciltë nuk kishin durim dhe kërkonin që salutimi të zbatohesh nji herë e mirë pa marrë parasysh preçedencat që përshkruem ma nalt. Zv.Drejtori u nodh në pozitë të ngushtë se nodhesh përpara nji kërkimit i cili ishte në kundërshtim me taktikën e tij edhe kërkohesh prej tij që të hiqte e të këputëte siç ngjajti me 23 Nandor që shkaktoj mbylljen e Liceut. Profesorat Alkaj e Riçato në kërkimet e tyne për salutim kanë qenë intransigjent. I pari i friksonte nxansat tue iu thanë se do t’i shpinte në Karabineri, e i dyti dilte nga klasa edhe nuk jepte msim po mos t’a salutonin.

Me datë 18-I-1940-XVIII Zv.Drejtori Z.Andon Krajni me iniciativën e tij apo me urdhër të Ministrisë i dha ultimatum nxansavet të Klasavet të VII e të VIII që në rasë se nuk do të salutonin në mësimet e para pas festës të Bajramit do të merren masat ekstreme. Në këtë interval u informue se Klasa e katërt kishte vendosë të rrifte në klasë Profesor Alkaj. Për t’evituar këto ngjarje të pa pëlqyshme u murën masat në marrveshtje me Komandantin e Grupit siç Ju kemi raportue me telin t’onë Nr. 20 Res datë 22/I/40-XVIII.

Jemi ne gjendje të konfirmojmë se anarshija dhe indishiplinimi e çrregullimi i Liceut asht nji çështje fjeshtë shkollore edhe nuk ka të bajnë fare me ndonji organizatë që të ketë lidhje nga jashtë. Nuk përjashtojmë faktin se këto ngjarjet e nxansavet t’jenë aprovue prej disavet të pa knaqun nga rregjimi i sotshëm, kundrejt të cillve rezervohemi të marrim masa në nji kohë ma të volitshme.

Qyteti i Korçës e ka pritë me keqardhje të madhe mbylljen e Liceut dhe ka dizaprovue sjelljet e studentavet, veçanërisht Kryefetartë parija e vendit janë paraqitë para Ministrit t’Arsimit në pranin t’onë e të Federalit të ciltë u lutun Ministrit që të hapet Liceu dhe të merren masat rigoroze kundra shkaktarvet tue dhanë zotimet se do të përpiqen në çdo mënyrë që t’i bindin djelmt e tyre që t’i shtrohen disiplinës e të pajtohen me frymën e re fasiste. Zoti Ministër i’u premtoj çeljen e Liceut dhe theksoj me keq-ardhje se asht i shtërnguem të marrin masa rigoroze kundra kryeshkaktarvet dhe i’u tha se po të përsëritet ngjarja e tille e dytë Liceu do të mbyllet jo nga Ministri por nga nxansit vetë.

Për të gjetur fajtort edhe shkaktartë e ktyne ngjarjevet asht nji problem mjaft i randë, por duke shkuar nga parimi se në nji shkollë kur ka 25% nxansa të pa zot e të pa dishiplinuem asht faji i tyre, edhe kur kjo përqindje kapërcen numrin 75% siç asht në rastin konkret asht faji i profesoravet, mund të themi se edhe në këtë rast faji asht ma shum i profesoravet se sa i studentavet, dhe prandej, në marrveshtje me Shkëlqesinë e tij Ministrin e Arsimit vendosëm që nxansavet kundrejt të cillvet do të merren masat disiplinore mos t’i hiqet çdo shpresë për rehabilitim dhe vazhdim në shkollë, dhe ndëshkimi t’jetë i bazuem në këtë frymë.

Sa për Profesorat e lamë në kompetencën e Ministrisë s’Arsimit. Ndëshkimet kundra nxansavet janë të domosdoshme për rujtjen e prestigjit t’Arsimit Kombëtarë me frymën Fashiste. Prandej, Shkëlqesija e Tij Ministri i Arsimit mori këto masa:

1 - Përjashtoj dy nxansat e Klasit të VIII si Kryeshkaktar të qujtun Aleko Xoxa nga Fieri e Mihajl Refail nga Korça nga të gjith shkollat e Mbretnis Shqiptare dhe përgjithmonë.

2 – Të gjith nxansit e tjerë të Klasavet VII e të VIII si edhe 46 nxansa të Klasavet të ndryshme u përjashtoj nga msimet për këtë vjet me të drejtë që të rregjistrohen në vitin e ardhshëm mbasi të kenë në dorë nji çertifikatë nga Inspektori i Arsimit e nga autoritetet e sigurimit publik, dhe 15 nxansa po të klasavet të ndryshme i përjashtoj për këtë vjet nga mësimet me të drejtë që t’i ketë secili në dorë çertifikatën që u tha sipër.

3 – Dha urdhën për hapjen e Liceut me datë 27-I-1940-XVIII ditën e Shtunë, tue kshillue Drejtorin që t’i’u 􀃀 asin nxansavet dhe profesoravet Alkaj e Roçato, të cilvet i’u kishte dhanë këshilla edhe veçanërisht. Me këto masa të marruna dhe me zotimet e dhanuna prej prindërve të nxansavet kemi shpresë dhe bindje se nxansat e Liceut do të na lanë ktej e tutje të qetë. Nxansat e përjashtuem jo Korçar u larguen qysh sot prej Korçe, dhe të tjertë që mbeten do t’jenë gjithnji nën survejancë. Prefekt’i Kl.I-rë

(Dr. A. Kosmaçi)
M I N I S T R I J A E P . T Ë
MBRENDËSHME
Zyra Sekrete
Mbritun më 27-I-40-XVIII
Nr. 724/107 ex 39


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Furrat e bukës, OSHEE apel subjekteve të deklarojnë kontratat dhe të aplikojnë për ndryshimin e tarifës 14 lek/kWh

Furrat e bukës, OSHEE apel subjekteve të deklarojnë kontratat dhe të aplikojnë për ndryshimin e tarifës 14 lek/kWh