U zhvillua sot në Bruksel samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku për të katërtin vit radhazi liderët e Ballkanit Perëndimor u takuan me udhëheqësit e Bashkimit Europian.
Në deklaratën e përbashkët mes liderëve europianë dhe atyre të Ballkanit Perëndimor thuhet se samiti i sotëm shërbeu për të kuptuar se agresioni rus kundër Ukrainës dhe sfidat gjeopolitike në intensifikim, nxjerrin në pah nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, liderët e Bashkimit Europian rikonfirmojnë angazhimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Union.
"E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi realiste, të cilën duhet ta shfrytëzojmë",- thuhet në deklaratë.
I theksuar në deklaratën finale është edhe Plani i Rritjes, për të cilin thuhet se "do të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, me kusht që partnerët të zbatojnë reformat e lidhura me BE-në."
"Plani i Rritjes ka potencialin të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme duke siguruar deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime. Kjo vlerë i shtohet 29 miliardë eurove që po shpërndahen përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. BE-ja bën thirrje që të shfrytëzohen maksimalisht mundësitë e jashtëzakonshme që ofron Plani i Rritjes përmes zbatimit në kohë të reformave",- thuhet në deklaratë.
Samiti u organizua në prag të mbledhjes së fundit të Këshillit Evropian për këtë vit.
Kryeministri Edi Rama u prit sot nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa - drejtues i samitit, si dhe zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e jashtme, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian, Kaja Kallas.
Bashkimi Evropian, përveç Costës u përfaqësua dhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa në takim mori pjesë edhe Kallas.
Në tryezën e përbashkët, Shqipëria dhe Mali i Zi u ulen si pararojë e negociatave për anëtarsim krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor si dhe me afate të paracaktuara të anëtarësimit, respektivisht në 2028 dhe 2029. Kryeministri Rama dhe homologu malazez Spajiç kanë arritur që të përfshihen në integrimin gradual me përfitimin nga fondet paraanëtarësimit dhe lehtësira të tjera.
Ky samit është zhvilluar në vitin 2022 në Tiranë. Liderët e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor do të takohen përsëri vitin e ardhshëm më 1 qershor në samitin BE–Ballkani Perëndimor 2026, që do të zhvillohet për të dytën herë në Malin e Zi.

Kliko këtu për të lexuar deklaratën e plotë
Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni shqiptar kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në Europa Building në kuadër të Samitit BE- Ballkani Perëndimor.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor po zhvillohet në Bruksel, ku për të katërtin vit radhazi liderët e Ballkanit Perëndimor takohen me udhëheqësit e Bashkimit Europian.
Në fillim të samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Bruksel, presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova ka shënuar progres në reforma si sundimi i ligjit dhe ekonomia përgjatë viteve të fundit, por Unioni nuk e ka vlerësuar këtë përparim.
Sidoqoftë, ajo thekson se Kosova nuk do të heqë dorë nga qëllimi për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian, pavarësisht vështirësisë që mbart ky objektiv.
"Nuk do të heqim dorë nga rrugëtimi në BE pavarësisht sa i vështirë do të jetë. Vendi ka pasur përparime në reforma si sundimi i ligjit dhe ekonomia, por fatkeqësisht nuk është përkthyer në hapa përpara drejt BE-së. Shpresojmë se me kalimin e kohës të gjitha vendet anëtare do e kuptojnë se anëtarësimi i Kosovës përmes një procesi të merituar, është diçka edhe në përfitim të BE-së",- tha Osmani.
E pyetur mbi mungesën e Serbisë në këtë samit, Osmani tha se prania e Beogradit zyrtar në evente të tilla ka qenë e një shteti që mbron intereresat e Rusisë.
"Nuk e paskam vënë re mungesën e tyre. E vetmja gjë që Serbia ka sjellë ndonjëherë në këtë samit ka qenë prezenca e një shteti që mbron interesat e Rusisë",- tha Osmani.
Në vijim të agjendës së tij në Bruksel, në kuadër të Samitit BE- Ballkani Perëndimor, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e jashtme, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian, Kaja Kallas.
Samiti synon të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.


Foto:Aleksandër Vuçiç
Serbia sot nuk do të ketë përfaqësues në Samitin Bashkimi Evropian, Ballkani Perëndimor në Bruksel, njoftoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Vuçiç tha se “as ai dhe as askush tjetër” nuk do të shkojë në Bruksel, duke theksuar se ka biseduar me shumë liderë evropianë dhe se është mirënjohës për respektin që ndaj Serbisë kanë treguar Ursula von der Leyen (presidentja e Komisionit Evropian) dhe Antonio Costa (president Këshilli i Evropës).
“Për herë të parë në 13 ose 14 vitet e fundit, as unë dhe as dikush tjetër nuk do të shkojmë në atë konferencë ndërqeveritare. Askush nuk do ta përfaqësojë Republikën e Serbisë, kështu që Ballkani Perëndimor do të jetë pa Republikën e Serbisë”, tha presidenti.
Sipas tij, këtë vendim e merr për hir të qytetarëve të Serbisë, pavarësisht se e di që kjo do të hasë kritika në Bruksel. Ai theksoi se vendimin e ka marrë personalisht dhe se qeveria serbe nuk duhet të përballet me asnjë lloj presioni për këtë çështje.
“Mendoj se në këtë mënyrë po e mbroj Serbinë dhe interesat e saj. Serbia është në anën e vet, sado që kjo të mos u pëlqejë Uashingtonit, Brukselit apo Moskës”, tha Vuçiç, duke shtuar se do të mbeten në rrugën evropiane për aq kohë sa ai është president, ndërsa më pas, shtoi ai, “do të shohim”.
Kryeministri Rama ndodhet sot në Bruksel, për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve më të lartë të BE.
Në nisje të agjendës, Kryeministri Edi Rama u prit në një takim nga Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa.
Kryeministri Rama do të marrë pjesë në seancën plenare “Thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i integrimit gradual, përfshirë "Roam like at home", si dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.” - të drejtuar nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, me pjesëmarrjen e Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë Kaja Kallas, si dhe Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola.

Foto: Vjosa Osmani
Në Bruksel, sot do të mbahet Samiti i liderëve BE-Ballkan Perëndimor, ku Kosova do përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Para këtij samiti Osmani gjatë një interviste të dhënë së fundmi deklaroi se Kosova absolutisht synon të marrë statutin e kandidatit për integrim në BE.
“Shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si identitet, si vend, si komb, ne kemi kontribuar në vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian për shekuj me radhë. Pra, ne besojmë fuqimisht se, ndërsa është një proces shumë kompleks, nëse përdoren kriteret e bazuara në meritë, Kosova në të vërtetë do të kishte qenë një favorite deri tani. Por, është komplekse në rastin tonë. Përveç kësaj, për shkak të pesë vendeve të panjohura, të cilat shpresojmë vërtet se do ta kuptojnë se të kesh Kosovën si anëtare të unionit, nuk është vetëm përfitimi i popullit të Kosovës, por është një imperativ strategjik. Është një imperativ sigurie për të gjithë kontinentin”, deklaroi Osmani.
Presidentja tha gjithashtu se Kosova është rreshtuar krah përmirësimit të performancës në indekset ndërkombëtare, qoftë në atë të ligjit, të ekonomisë e kështu me radhë.
“Nëse shohim se çfarë thotë BE-ja për këtë progres, Kosova tani është 100% në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Çdo vendim i vetëm në këto fusha është plotësisht në përputhje, qoftë sanksione kundër Rusisë apo kundër kundërshtarëve të tjerë të botës perëndimore, dhe ajo që BE-ja përfaqëson sot në aspektin e vlerave, Kosova është gjithashtu plotësisht në përputhje me reformat e sundimit dhe ligjit.
Ne jemi në krye dhe bazuar në indekset ndërkombëtare, siç është “Gallup International”, i cili u publikua së fundmi, Kosova është në fakt numri një në Evropë për sa i përket indeksit të sundimit të ligjit. Ajo kryeson të gjitha vendet evropiane dhe është e treta në botë kur bëhet fjalë për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Kjo ka qenë përparësia kryesore e institucioneve tona. Dhe tani, për sa i përket indeksit të perceptimit të korrupsionit, kemi më të ulëtin në rajon. Pra, këto janë disa nga çështjet për të cilat kemi punuar shumë në aspektin e reformave ekonomike”, shtoi presidentja.
Ajo tha se edhe vetë raportet e BE-së pohojnë se Kosova është vendi më i mirë në rajon, ai përket reformave administrative.
“Përsëri, sipas raporteve të BE-së që marrim çdo vit, ne jemi më të mirët në rajon për sa u përket reformave administrative. Natyrisht, ka ende disa gjëra dhe disa detyra shtëpie që duhet të përfundojmë. Por mendoj se nëse nuk do të kishte ndërlikime politike që nuk kanë të bëjnë fare me reformat, ne do të kishim qenë absolutisht vendi i parë në rajon deri tani”, deklaroi Osmani.
Ndërkaq, ajo pohoi se Kosova e mbështet integrimin e Ukrainës në BE, duke deklaruar se edhe në rastin e saj, vendi ynë është renditur krah BE-së, në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Komente











