Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un theu traditën duke mos vizituar mauzoleumin e paraardhësve të tij në 69-vjetorin e themelimit të Partisë së Punëtorëve të Koresë çka nxit spekullimet lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Kim, për të cilin mendohet se është rreth të tridhjetave, vizitonte varrin e babait të tij, Kim Jong Il dhe të gjyshit, themelues i Koresë së Veriut, Kim Il Sung, përgjatë mesnatës që i paraprinte datës 10 tetor dhe kjo vizitë njoftohej me disa orë vonesë.

"Por, media shtetërore koreanoveriore nuk e ka njoftuar sot një vizitë të tillë, përveç disa fotove të vjetra që i thurin lavdi lidershipit të tij", njoftoi agjencia koreanojugore e lajmeve, Yonhap.

Kim nuk shfaqet në publik që nga fillimi i shtatorit të kaluar duke rritur spekulimet se ai vuan nga probleme shëndetësore, përfshirë fryrje të mundshme të kyçeve të këmbëve për shkak të dëshirës së papërmbajtur për djathin emental dhe ushqimet me pasura me kalori.

Ai dukej qartë që çalonte gjatë shfaqjes së fundit në publik, ndërkohë që media koreanoveriore foli për "shqetësime fizike" që pengonin përmbushjen e detyrave të një lideri.

Duke cituar shërbimet sekrete vendase, ministri koreanojugor i Mbrojtjes, Han Min Koo i deklaroi parlamentit këtë javë se Kim po kurohej prej një sëmundjeje të panjohur, diku në veri të Phenianit.

ATSH