FIER - Dyshimet për një lidhje dashurie me një grua të martuar nga Korça fshihen pas vrasjes makabre të 21-vjeçarit fierak Daniel Xhafa, trupi i pajetë i të cilit u gjet i djegur në pyjet e një fshati pranë Larisës në Greqi. Autor i vrasjes së tij dyshohet të jetë bashkëshorti i gruas korçare i cili kishte zbuluar në telefonin e nënës së tre fëmijëve mesazhe të shumta që i kish shkëmbyer me 21-vjeçarin. Por të afërmit e këtij të fundit mohojnë në mënyrë që Danieli të ketë pasur marrëdhënie me të martuarën. Në një rrëfim për A1 Report at drejtojnë gishtin e akuzës ndaj gruas nga Korça, e cila sipas tyre kërkonte me ngulm të kishte lidhje me 21-vjeçarin, por Danieli sipas tyre, asnjëherë nuk ra “pre”.
 
Daniel Xhafa prehet në vendlindjen e tij në Fier
I riu, i cili prej vitesh kish emigruar me familjen ne Greqi, është përcjellë të martën për në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes në Kuman të Fierit. Familja Xhafa e cila nuk e ka shitur shtëpinë në qytetin e Fierit, vijon të presë ngushëllime për humbjen e të dashurit të tyre.  

Djali i hallës: Ajo ishte e fiksuar pas tij, Danieli nuk e humbi asnjëherë!
A1 Report ka mundur të marrë rrëfimet e të afërmve të Danielit të cilët mes dhimbjes nuk ngurrojnë të tregojnë motivet e ekzekutimit barbar të Danelit, i cili pasu u godit për vdekje me thijë u dogj nga autori/ët për të fshehur gjurmët.

Djali i hallës së Danielit  përjashton çdo mundësi që i riu të kishte lidhje dashurie me gruan e martuar. Përkundrazi, rrëfen ai, - ka qenë kjo e fundit e cila e ka joshur dhe këmbëngulte për të krijuar lidhje me të.
 
“E ka joshur, i pëlqente dhe pse e bëri për vete ai ishte i logjikshëm, ishte djalë i rregullt. Ajo mundohej t’i dërgonte ndonjë lekë, ta merrte me pushime, i tregonte shumë gjëra edhe për burrin, ajo donte t’i tregonte që e donte, ishte e fiksuar tek ai. Mirë po ky nuk e humbiste, nuk e lejonte. Ajo gjente pretekste për ta takuar i thoshte hajde se kam harruar dicka te makina”, -tregon kushëriri i Daniel Xhafës.

Sipas tij, ka qenë bashkëshorti i cili ka gjetur në telefonin e gruas së tij mesazhet që ajo kishte shkëmbyer me 21-vjeçarin. Pas kësaj ai ka kërkuar takim me, Danjel Xhafën dhe pasi e ka marrë në makinë e ka dërguar në një zonë të pyllëzuar të Larisës. Aty me ndihmën e një bashkëpunëtori e ka dhunuar barbarisht e ka goditur disa herë me thikë derisa i ka shkaktuar vdekjen. Më pas autorët për të humbur gjurmët kanë djegur trupin e viktimës. 

Daniel Xhafa

Ende nuk ka të dhëna për identitetin e gruas me të cilën ishte në një lidhje dashurie i riu fierak.

Xhaxhai i Danielit: Drejtësia grke të zbardhë vrasjen
Xhaxhai i viktimës, Agurri Xhafa i kontaktuar nga A1 Report përmes telefonit i bëri apel shtetit grek të zbardhë këtë ngjarje dhe të dënojë autorët. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)