TIRANË - Kur një pacient me sëmundje terminale ezauron të gjitha trajtimet mjekësore, ndërhyrjet kirurgjikale, kimioterapinë, etj, atëherë ai shpallet i pashërueshëm. Në këtë rast, pacienti ka nevojë për
kujdesin paliativ, që tashmë në Shqipëri do të funksionojë përmes një ligji të posaçëm.
Drafti i këtij ligji, të cilin Këshilli Ministrave e ka përcjellë për miratim në parlament, është i organizuar në 28 nene dhe trajton parimet kryesore që udhëheqin kujdesin paliativ, si mbrojtja e dinjitetit dhe autonomisë së pacientit pa asnjë paragjykim dhe diskriminim, mbrojtja dhe promovimi i cilësisë së jetës deri në fund të saj, si dhe konceptimi i vdekjes si një proces normal, sigurimi i një jetese pa dhimbje deri në fund të saj dhe mbështetja e duhur mjekësore e psikosociale për personin e sëmurë, si dhe mosshpejtimi apo mosprovokimi i vdekjes.
Bashkë me këto parime bazë në pr/ligj, një rëndësi e veçantë i është kushtuar dhe të drejtave që kanë pacientët gjatë kohës që ata marrin kujdes paliativ.
Shërbimet shëndetësore përmes të cilave ofrohet kujdes paliativ në Shqipëri janë shërbimi në kujdesin shëndetësor parësor dhe shërbimi hospis. 'Hospisi, është njësia e specializuar multidisiplinare e shërbimit të kujdesit paliativ, ku mund të ofrohen, të paktën, një nga shërbimet e mëposhtme: shërbimi në banesë, shërbimi me shtretër, shërbimi ditor.
Një kujdes i veçantë në pr/ligjin e propozuar nga ministria e Shëndetësisë i është kushtuar dhe fëmijëve me patologji të pashërueshme, që kanë nevojë për kujdes paliativ. Shërbimet shëndetësore që trajtojnë këta fëmijë duhet të shtrihen në të gjitha strukturat shëndetësore ku ofrohet kujdes paliativ për të rriturit, por në seksione të veçanta.
Si shërbim të veçantë ligji i ri parashikon dhe shërbimin vullnetar në nivel komunitar, i cili bazohet në kontributin vullnetar të personave që ndihmojnë duke asistuar pacientët apo familiarët e tyre në shtëpi dhe hospis. Kujdesi paliativ, për shkak të specifikës së tij, ofrohet edhe nga shumë organizata jofitimprurëse.
Shërbimet këshilluese ofrohen nga psikologë, me qëllim vlerësimin psikologjik të gjendjes së pacientit dhe këshillimin e tij për të gjetur një mënyrë sa më efikase për t'u përballur me situatën ku ai ndodhet. Kujdesi shpirtëror sigurohet nga një përfaqësues fetar ose dikush i kualifikuar me arsimin ekuivalent dhe përfshin meditim, këshillim, lutje, apo praktika e rituale të shenjta.
Një moment me rëndësi që trajton pr/ligji është aksesi ndaj barnave. Drafti parashikon nxjerrjen e një vendimi të Këshillit të Ministrave për miratimin e listës së barnave esenciale për kujdesin paliativ, të cilat rimbursohen plotësisht si pjesë integrale e listës së barnave të rimbursueshme nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.
Sipas të dhënave nga institucionet shëndetësore shqiptare vlerësohet se rreth 2500 persona në vit kanë nevojë për kujdes paliativ në stadin terminal. /ATSH/