'Ligjërimi poshtërues i pushkaliqeve!'

'Ligjërimi poshtërues i pushkaliqeve!'

Respekti – na mësonte Kanti – është zanafilla e çdo virtyti! Mungesa e tij krijon premisat iluzore se mund të përfitosh në politikë duke përbuzur të tjerët, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë: fyerja është pikësëpari cënim real i dinjitetit të fyesit. Bash si flamat stinore të gripit, ashtu edhe gjuha e ndyrë e disa politikanëve profesionistë të tranzicionit post-komunist, vjen ciklike sa herë që disa prej tyre ndjehen të cënuar në përplotësimin e pushtetit të tyre, që në pamjen e tyre, duhet të jetë përgjithmonë absolut. Kush e cënon sadopak, edhe me të drejtë, pushtetin e këtij soj politikani nuk i shpëton dot sulmeve poshtëruese që nuk kursejnë asfare dinjitetin e personit e aq më pak atë të pozicionit zyrtar. Besoj se është një ndër vetitë më të padenja të politikanit dëshira për të patur sukses politik duke poshtëruar e ofenduar kolegun e sidomos gratë në politikë! Janë krejt të freskëta në kujtesën publike çmenduritë denigruese që lidhen me 21 janarin e 2011-s, ku asokohe nuk u hezitua të përçmohej Presidenti i vendit si “horr bulevardi”, kryeprokurorja e përgjithshme si “kurvë bulevardi”, gazetarët si “puçistë kundër qeverisë” deri te cinizmi i papranueshëm kur populli opozitar socialist asokohe u quajt “turma e kokëpalarëve”!

Tundimit të përdorimit të gjuhës përçmuese nuk i shpëton dot po ajo njësi politike që asokohe (në 2011) ishte në pushtet e tani në opozitë! Vetë kreu i shtetit, që do të duhej të ishte garanti i gurit themeltar të ligjit në Shqipëri, e lë mënjanë ligjin e përdor fjalor fyes ndaj dy ministreve të nderuara. Akoma më tinëzare bëhet kjo gjuhë kur atë e përdor tërthorazi nëpërmjet zëdhënësit me mendësi pushkaliqe që bën “bam” sa herë e mbush me barut ofendues! Vetinë e pushkaliqes ofenduese nuk e ka vetëm zëdhënësi por edhe mjaft politikanë të rangut të lartë të Opozitës që helm i kanë fjalët. Hamendësimet e tyre fyese për disa prej ministreve të qeverisë shkojnë përtej çdo fantazie të sëmurë. Njëri i thotë “e marrë” ministres, tjetri ia pret “e çmendur”, kurse tjetra i numëron orët e gjumit me hamendësime të turpshme e cytanike që do të ishin të papranueshme për çdo nënë! Mjerisht, gjithë ky ligjërim vjen nga e ashtuquajtura elitë politike cangë e opozitës!
Përdorimi i kësaj gjuhe vulgare duhet të na bëjë të skandalizohemi dhe të krijojmë një barrierë të fortë qytetare kundër saj, pasi trajtimi i këtij ligjërimi si një ndodhi normale në politikë dhe krijimi i një kulture të fyerjes, është më i dëmshëm se vetë fyerja. Ndërtimi autentik i një kulture demokratike në Shqipëri, ashtu si në çdo vend autentik europian, duhet të fillojë nga njohja e përgjegjshme e dinjitetit të çdo autoriteti publik e shtetëror dhe kritika ndaj tij duhet bërë me mjete demokratike e me dashamirësi politike e sociale për të mirën e vendit dhe jo me delegjitimimin e diabolizimin e personave e institucioneve, pasi në fund të fundit, institucionet janë të të gjithëve qytetarëve. Me këtë mendësi ofenduese, drejtuesit e opozitës kanë krijuar idenë se populli opozitar është krejt i manipulueshëm dhe i gatshëm të zgërdhihet sa herë nxjerrin batuta të pabukura nga goja. Veç të tjerash, kjo është fyerje dhe për vetë popullin e opozitar duke e konsideruar atë, sipas shprehjes së Marksit, një lloj “Lumpen – opozitë” me të cilën mund të bësh ç’të duash!

Liria që u është dhënë politikanëve është më e gjerë sesa e qytetarëve të thjeshtë dhe kjo për faktin se ata kanë më shumë përgjegjësi publike, më shumë hapësirë veprimi për menaxhimin e gjësë publike, por shfrytëzimi i denjë i lirisë nuk mund të anashkalojë përgjegjesinë. Ka një pasazh të Dostojevskit ku shkruhet për çështjen e lirisë ose më saktë për peshën e saj. Pjesa titullohet “Legjenda e Inkuizitorit të madh” dhe aty rrëfehet për një sistem që bazohet në mohimin e lirisë që Zoti i ka dhënë njeriut. Në këtë kontekst futet legjenda që përshkruan se si Krishti vendos të kthehet në tokë e të shkojë në Sevilia të Spanjës në kohën e inkuizicionit. Inkuizitori e arreston Krishtin, sepse sipas tij Ai ka krijuar e krijon shumë probleme me dhuratën e lirisë që i ka dhënë popullit. Populli nuk e kupton lirinë dhe nuk mund të jetë i lumtur me lirinë. Liria është tepër problematike, pasi ajo mbart me vete edhe përgjegjësinë për të cilën populli nuk është i gatshëm. Inkuizitori kërkon ta lirojë popullin nga pesha e lirisë duke e zëvendësuar atë me autoritetin e duke i kërkuar Krishtit të largohet. Vetëm në këtë mënyrë njerëzia do të jetë e lirë dhe çmimi që duhet paguar është ai i mungesës së lirisë. Pra, dua të theksoj se politikani i sojit opozitar nuk e kupton faktin se dhurata e lirisë nuk është për të fyer, por bash e kundërta e saj: për të respektuar!

Përballë këtij modeli politikanësh duhet ndërtuar një alternativë e re bazat e së cilës gjenden te mjaft përfaqësues të Partisë Socialiste të cilët janë të kulturuar e të denjë për një ligjërim politik dinjitoz siç i ka hije një shërbëtori të shtetit. Modelet politike morale dhe përkushtimet fillojnë të ekzistojnë vetëm dhe ekskluzivisht atëherë kur ato shndërrohen në një vizion të qartë të respektit për kundërshtarin dhe për çdo person. Kjo merr peshë akoma më tepër në rastin e disa politikanëve me përgjegjësi të madhe brenda partive të tyre. Aty është edhe kulmi i domosdoshmërisë së shërbimit dinjitoz: sa më e madhe përgjegjësia, aq më i madh duhet të jetë sensi i shërbimit e për rrjedhojë thirrja morale është më e fortë se kudo. Në fakt gjuha e rënduar vjen bash nga krerët e opozitës. Secili prej tyre duhet të mësojë se po nuk arriti të kontrollojë veten, nuk kontrollon dot askënd: “Është e vështirë të mendohet që njerëzit që kanë humbur sensin e kontrollit të vetes së tyre, të kenë aftësi të bëjnë zgjedhjet e duhura në politikë”! (Tocqueville. A. De la Democratie en Amerique).

Duhet pra t’i japim fund kësaj kulture delegjitimuese me nuanca shpotitëse që vetëm përkeqëson situatën dhe dëmton në mënyrë përfundimtare edhe reputacionin e atyre që e nxisin e mbështesin atë. Koha për konvertim kulturor nuk mbaron kurrë, mjafton të kemi vullnetin e mirë. Këshilla e fundit miqësore për ta do të ishte shprehja latine: “Primum non nuocere”: nëse nuk je në gjendje të bësh mirë, të paktën mos bëj keq!

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Konjak: 24/02/2020 08:58

    Na bere gjithe ato argumente shkencore e filozofike ,vetem e vetem te na thoshie se politikanet e majt jane te shkelqier e te diathtet balt .Po mir more shkencetar i kulluar ,e filozof i pa shoq ,ne dim se pushteti eshte ai qe te ben mir ,apo te ben keq .Po mir more zoteri ,po c'do na thuash per kete aradhe politikanesh te majt qe sot kane pushtetin ,dhe populli ka nje rroge apo pension poshterues ,qe nuk miafton as per buke that .Popullit nuk i duhet se kush eshte i mir e kush i keq per ju barkfryret ,i duhet se kush interesohet edhe per ta ,duke i ngritur sado pak rrogen apo pensionin ,nese i kan edhe ato .Ju e keni mendimin :secili per vete zoti per te gjithe . Faleminderit .

    Përgjigju
  • Hej: 23/02/2020 20:20

    Po Mona e ka te late?

    Përgjigju
  • Pse mos beje preshe ,Kure gjen nje pjese te popullit Pa tru..: 23/02/2020 17:23

    Dhe keta,pse mos tallen me Popullin.. Keta vetem Ajo qe kushton 2 Euro ,qe te vihen ne gjume per tere jeten .. Atehere keta pushojne .. Perndryshe ,,keta dhe Femijet e niperit e tyre,,do Tallin By....dhe do jetojne Si Bossa ..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Barazimi me Everton, Guardiola: Pësojmë gol në goditjen e parë në portë

Barazimi me Everton, Guardiola: Pësojmë gol në goditjen e parë në portë