Me 16 janar të këtij viti, në një mbledhje të grupit parlamentar të PS-së, Kryeministri Edi Rama kishte thënë se ligjet që lidhen me integrimin europian, nuk janë të debatueshme.

“Në momentin kur vjen në parlament, duhet miratuar, jo diskutuar!”, ka thënë Rama.

Gati dy muaj më pas socialistët e kthyen këtë deklaratë në propozim ligjor. Ata kërkojnë që ligjet që synojnë përafrimin me normat e BE-së, e që në mënyrë eksplicite janë të ndaluara të kalonin me procedurë të përshpejtuar, tani e tutje të miratohen pa diskutime të gjata!

Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike që monitoron punën e parlamentit paralajmëron për rreziqet e një praktike të tillë.

“Në standardet e vendeve të Bashkimit Europian kërkojnë një proces konsultimi publik, konsultime me ekspertë të grupeve të interesit, konsultime me ekspertë ndërkombëtarë, delegacionin e BE-së, përpara se procesi të shkojë në parlament. Më pas kërkon një investim të gjatë dhe të thelluar në komisione parlamentare përpara se të shkojë në seancë plenare. Të gjitha këto etapa në rastin konkret nuk janë marrë në konsideratë dhe e kanë konsideruar parlamentin si një noter formal të akteve të qeverisë”, ka thënë Afrim Krasniqi.

Krasniqi thekson se integrimi vetëm në letra mund të na kthehet në boomerang, për shkak të moskuptimit nga të gjithë aktorët të akteve të miratuara!

“Pasojat do të jenë afatgjata për vendin, sepse cilësia e ligjeve do të jetë më e dobët, sepse besimi i ligjeve do të jetë më I ulët, sepse partneriteti me BE-në do të jetë më kritik dhe vetë cilësia e procesit integrues nuk do të japë impakt për shoqërinë!”, ka thënë Krasniqi.

Propozimi i shefit të grupit parlamentar socialist dhe 2 të tjerëve duket se do të jetë shkas për një tjetër beteje tjetër të ashpër politike mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi i kritikoi këtë të mërkurë propozimet për ndryshimin e njëanshëm të rregullores së parlamentit.

Bardhi u kthye 14 vjet pas kur i kujtoi PS-së, bllokimin nga ana e tyre të statusit të vendit kandidat pikërisht për shkak të rregullores së parlamentit.

“Në vitin 2012 ndryshimi vetëm me KONSENSUS i Rregullores së Kuvendit ishte kusht i Komisionit Europian që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi”, ka thënë Bardhi.

Procesi i përafrimit të legjislacionit me BE-në, një ndër proceset më të komplikuara të negociatave për anëtarësim, parashikon ndërhyrjen në shumicën dërrmuese të legjislacionit vendas.