"Kam patur bindjen dhe e kam ende këtë bindje se Reforma reale në Drejtësi fillon sot. Deri më sot kemi bërë Kushtetutën, kemi bërë organizimin dhe funksionimin e institucioneve, pra jemi kujdesur për veten, kemi bërë institucione, kemi bërë rregulla sesi t'i ndërtojmë ato pra se si të forcojmë transparencën dhe e gjitha kjo në të mirë të publikut është, por tani me këto 27 ligje fillon reforma reale.
Është reforma e shërbimeve ligjore. Janë shërbimet ato që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë njerëzit, shëndetin, pasurinë e kështu me radhë. Nga kjo pikëpamje, si Ministër i Drejtësisë jam 1000 % i fokusuar në çdo resht, pikë, presje dhe paragraf të këtyre ligjeve”, tha Manjani.
Kritikat
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, u shpreh se drafti paralel për ndryshimin e Kodit Penal përmban gjëra të rrezikshme, të cilat që prekin lirinë e njeriut. "Drafti që gjendet sot zyrtarisht në kalendarin tuaj të punimeve ka nevojë për një ripunim të thellë ende, sepse me thënë të vërtetën ka dhe gjera të rrezikshme në të dhe ne duhet të jemi në gjendje t’i korrektojmë sepse e përsërisë, prek në mënyrë të drejtpërdrejtë standardin e zbatimit të të Drejtave të Njeriut në terrenin konkret. Sigurisht, në një çast të caktuar, ne do jemi të vëmendshëm edhe për të llogaritur pjesën e shpenzimeve financiare sepse çdo shërbim është dhe shpenzim gjithashtu. Qeveria ka një rol aktiv edhe në këtë pjesë por çmoj paraprakisht se në listën e ligjeve, ndoshta jo të gjitha kanë të njëjtën rëndësi", u shpreh Manjani.
Ligji për SHISH
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, shprehu rezerva edhe për futjen e ligjit për SHISH në paketën e Reformës në Drejtësi. “Ligji për SHISH nuk duhet të jetë pjesë e paketës të Reformës në Drejtësi, aq më tepër kur në përmbajtjen e tij ky ligj, ka një dispozitë që e lejon atë që të përgjojë edhe me video në banesën e dikujt tjetër, pra ja ku kemi një problem që përveçse formal edhe substancial, të cilën duhet ta mendojmë mirë, të marrim frymë thellë përpara se ta bëjmë sepse kjo është një diskutim jo vetëm në Shqipëri, por është një diskutim global. Me zhvillimin e teknologjisë sa do ta garantojmë privatësinë?! Është një temë që e mora si shembull për të kuptuar se jo gjithçka ka të njëjtin prioritet”, tha ministri.
Kërkesa për Hysin
Ministri Manjani i kërkoi deputetes Vasilika Hysit që Komisioni i Ligjeve të shqyrtojë me vëmendje maksimale 27 ligjet e reformës. “Ju lutem Znj, Hysi, t’i transmetoni Komisionit të Ligjeve, realisht vëmendjen maksimale të Qeverisë Shqiptare në të 27 ligjet, është moment shumë i rëndësishëm për shërbimet ligjore. Ne nuk harxhojmë më kohë për të bërë ligje për t’i shërbyer vetes, duhet që këto ligje t’i shërbejnë njerëzve. Sigurisht, sot fillojmë me Noterinë por pjesa tjetër e mbetur e ligjeve është gjithashtu e rëndësishme. Ju e dini që unë kam çuar dhe një letër në Komisionin e Ligjeve, të paktën për të parë mundësinë e një koordinimi të disa nismave në lidhje me Drejtësinë Penale duke qenë se është një moment shumë delikat në këtë sektor, sepse Kodi i Procedurës Penale për sasinë e ndryshimeve që propozohen të bëhen është praktikisht një kod i ri”, pohoi Manjani.
(Tryeza konsultative për 27 ligjet e Reformës në Drejtësi)
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com