KORCE - Zbatueshmëria e ligjit antiduhan në Rajonin e Korçës mbetet ende në fazën fillestare. Në mjediset publike dhe kryesisht në lokale, pihet duhan pa asnjë lloj kufizimi, duke shkelur tërësisht kriteret që parashikon ligji në fjalë. Nuk janë vetëm të rriturit ata, të cilët konsumojë duhan, por kjo vihet re gjithnjë e më shumë tek fëmijët si dhe adoleshentët.

Sezoni i verës e ka vënë edhe më shumë në dukje këtë fenomen, ku fëmijë dhe adoleshentë blenë duhan në tregun e lirë, ndërkohë që e konsumojnë atë pa problem në lokale dhe mjedise publike. Edhe pse ligji ka mbi gjashtë vjet që është miratuar, duket se zbatimi i tij ka dështuar.

Ky fakt u pohua dhe gjatë një takimi të zhvilluar nga drejtoresha e Shëndetit Publik në Korçë, në zbatim të një shkrese të dërguar nga Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo. Në takim u pohua se gjatë kësaj periudhe ligji ka mbetur vetëm në fazën e paralajmërimeve, në një kohë që lokalet dhe ambientet publike në rajonin juglindor tymosen nga duhani.

Krahas duhanit, jo pak problematik për rajonin e Korçës mbetet dhe konsumimi pa kriter në lokale i alkoolit, konkretisht nga grupmoshat e reja.

Ndërkohë, burime policore bëjnë të ditur se rritja e kriminalitetit tek moshat e reja ka evidentuar faktin se rreth 40 % e autorëve të veprave të ndryshme penale janë fëmijë e adoleshentë, të cilët në momentin e krimit kanë qenë nën efektin e pijeve alkoolike apo të cigareve me hashash.

Sipas tyre bashkëpunimi me inspektoratin e higjienës dhe stafet e mësuesve në shkollat që fillojnë së shpejti vitin e ri arsimor, do të ulë numrin e përdoruesve në moshë të vogël të duhanit dhe pijeve alkoolike.
(dai.is/Gre.M/Shqiptarja.com)