Ligji bankar ‘fantazmë’ dhe skandali i rrjedhjes së të dhënave nga ‘Credit Suisse’! Çfarë dimë dhe çfarë jo për fshehjen e pasurisë së bosave të drogës e politikanëve të korruptuar

Çfarë është skandali i rrjedhjes së të dhënave nga Credit Suisse? A është shkelje privatësie rrjedhja e të dhënave dhe a do të mbajë banka përgjegjësi? Këto janë disa prej pyetjeve përgjigjet e së cilave do t’i gjeni më poshtë.

Çfarë janë “sekretet Suisse”?

“Sekretet Suisse” është një hetim ndërkombëtar për një nga bankat më të pasura dhe më të rëndësishme në botë, Credit Suisse.

Më shumë se 163 gazetarë nga 48 media, duke përfshirë “Premium Times”, në  39  vende anembanë botës kaluan muaj të tërë duke analizuar informacionet e llogarive bankare të rrjedhura nga Credit Suisse.

Zvicra është një destinacion i njohur për parat nga e gjithë bota, pjesërisht për shkak të ligjeve të saj të sekretit bankar. Nuk ka asgjë të gabuar në thelb të kesh një llogari bankare zvicerane, por bankat supozohet të shmangin klientët që fitojnë para në memurë të paligjshme ose që janë të përfshirë në krime. Kështu duhet të jetë në parim, por gazetarët identifikuan dhjetëra zyrtarë të korruptuar qeveritarë, kriminelë dhe abuzues të të drejtave të njeriut midis llogarive në Credit Suisse.

Çfarë ka në të dhënat e rrjedhura?

Të dhënat e rrjedhura përfshijnë informacione për më shumë se 18,000 llogari të Credit Suisse dhe 30,000 mbajtës të llogarive. Disa klientë mbajnë llogari të shumta, ndërsa shumë llogari kontrollohen nga shumë klientë.

Informacioni për secilën llogari përfshin numrin e llogarisë, emrin e mbajtësit ose mbajtësve, datat e hapjes dhe mbylljes dhe shumën maksimale të pranishme ndonjëherë në llogari. Nuk ka asnjë tregues nëse ato janë llogari kontrolli, kursimi apo investimi.

Credit Suisse ka filiale të shumta dhe gjithashtu ka blerë disa banka gjatë viteve. Nuk ka asnjë tregues në të dhënat nëse disa nga këto llogari janë hapur në një nga ato banka të tjera përpara se të transferoheshin në Credit Suisse, apo nëse ato i përkasin një filiali. Të gjitha llogaritë janë referuar në këtë hetim si llogari "Credit Suisse".

Disa nga mbajtësit e llogarive janë njerëz, ndërsa të tjerët janë persona juridikë si kompani. Ata janë të vendosur në më shumë se 120 juridiksione dhe përfaqësojnë mbi 160 kombësi.

Shuma totale e parave të mbajtura në llogaritë ishte më shumë se 100 miliardë dollarë.

Të dhënat në rrjedhje nuk shtrihen deri në ditët e sotme, megjithëse shumë prej llogarive mbetën të hapura edhe në vitet 2010. Vitet që ka pasur më shumë fluks në hapjen e llogarive ishin 2007 dhe 2008. Viti 2014, ishte ai në të cilin shumë llogari janë mbyllur, vit i cili përkon me futjen e rregulloreve të reja në Zvicër për shkëmbimin automatik të informacionit tatimor për klientët me rezidencë të huaj. Llogaria mesatare ishte e hapur për rreth 11 vjet.

Pse klientët nga disa vende nuk janë të përfaqësuar në të dhëna?

Megjithëse të dhënat e zbuluara të Credit Suisse përfshijnë informacione për klientët nga më shumë se 120 juridiksione, disa nga vendet më të mëdha në botë duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe Brazilin, nuk janë shumë të përfaqësuara.

Në një kohë kur arsyet për këtë nuk janë plotësisht të qarta, gazetarët vunë re se shumë klientë që u shfaqën në të dhëna jetojnë në vende që nuk kanë nënshkruar “Standardin e Përbashkët të Raportimit” (CRS), një nismë globale kundër evazionit fiskal që u kërkon vendeve të shkëmbejnë automatikisht informacionin bazë bankar.

Vendet që janë përfshirë shumë në të dhëna, si Egjipti, Ukraina dhe Venezuela, nuk janë zotuar ende të shkëmbejnë informacione bankare sipas CRS.

Si u kontrollua vërtetësia e të dhënave? Çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë?

Gazetarët kaluan muaj duke intervistuar persona të përfshirë në skandal dhe duke kontrolluar të dhënat nga burime të tjera, duke përfshirë të dhënat e kompanive, gazetat zyrtare, dosjet gjyqësore dhe hetimet penale.

Si e zgjodhën gazetarët informacionin e kujt të publikonin? Po në lidhje me shqetësimet e privatësisë?

Nuk është krim të hapësh një llogari bankare zvicerane. Në gazetarinë e përgjegjshme, nuk ka asnjë justifikim për publikimin e të dhënave bankare private pa një interes publik bindës.

Gazetarët shpenzuan muaj për të konfirmuar vërtetësinë e rrjedhjes dhe duke hetuar klientët e Credit Suisse. Sipas gazetarëve ata kanë “ndjekur’ një klientë hap pas hapi, vetëm kur kishte dyshime të forta se shfrytëzonin sistemin bankar zviceran për qëllime të paligjshme.

Emrat e të cilëve janë publikuar? Rastet e klientëve të njohur me rrezikshmëri të lartë. Njerëz të lidhur politikisht, të akuzuar ose edhe të dënuar për krime të rënda.

Historia më e madhe që bashkon këto raste është ajo e një institucioni të madh financiar që lejoi klientët të fshehin asetet e pastruara ose të vjedhura.

Në fund, qëllimi i gazetarisë investigative është të identifikojë dhe ekspozojë dështimet sistematike. Gjatë 20 viteve të fundit, Credit Suisse është përfshirë në më shumë se një duzinë skandalesh të mëdha që përfshijnë korrupsion, evazion fiskal, pastrim parash ose krime të tjera nga ana e klientëve të saj. Banka ka paguar gjoba të shumta dhe ka arritur marrëveshje me autoritetet, duke premtuar periodikisht se do të forcojë praktikat e saj të pajtueshmërisë, por skandalet kanë vazhduar.

Cila është përgjegjësia e bankës në lidhje me klientët e saj?

Gazetarët folën me ekspertë të shumtë financiarë, rregullatorë dhe të brendshëm të bankave rreth masave paraprake që Credit Suisse duhet të kishte marrë për të parandaluar marrjen e klientëve të dyshimtë.

Ross Delton, një ekspert dhe avokat kundër pastrimit të parave me bazë në SHBA, tha se njerëzve me rrezik të lartë dhe me ndikim politik nuk u ndalohet hapja e llogarive bankare, por duhet t'i nënshtrohen një kontrolli të zgjeruar. Origjina e pasurisë së tyre duhet të ekzaminohet dhe një menaxher i lartë duhet të miratojë hyrjen e tyre, tha ai.

Sa për njerëzit e dënuar për korrupsion, "ky është një nivel krejtësisht tjetër. "Atje, pyetja duhet të jetë : A duhet ta marrin si klient?”, tha ai.

Një pyetje tjetër që lidhet me një bankë të përmasave të Credit Suisse është se çfarë shkalle përgjegjësie duhet të marrë ajo kur pranon klientët që krijojnë llogari për të depozituar para të paligjshme?

 “Nuk është e justifikueshme të thuhet se ata nuk ishin në dijeni për rreziqet e pastrimit të parave sepse klientët vinin nga banka tjetër tha Maira Martini nga Transparency International.

Çfarë thonë ekspertët se duhet ndryshuar?

Shumë ekspertë financiarë të konsultuar për Credit Suisse thonë se problemi shkon përtej dështimeve të vetë bankës, duke treguar për rregullore të dobëta në të gjithë industrinë bankare zvicerane. "Sistemi është problemi", thonë ata.

E vetmja mënyrë për të ekspozuar krimin e saj është gjetja e mënyrave për të depërtuar në “vellon” e fshehtësisë që e mbron atë.

Banka ka mohuar çdo akuzë të ngritur nga ky investigim.

J.GJ./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur