Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, duke e akuzuar se nuk po tregon të vërtetën për efektet që ka sjellë ligji i miratuar në vitin 2024.
Reagimi i Zhupës vjen një ditë pasi Rama publikoi një sqarim shterues për projektet e investimit në Sazan dhe Zvërnec, ku deklaroi se zona “Pishë Poro-Nartë” nuk ka ndryshuar asnjëherë statusin si “Peizazh i Mbrojtur” dhe se ndryshimet ligjore nuk kanë prekur standardet e mbrojtjes së këtyre territoreve.
Sipas Zhupës, problemi nuk qëndron te emërtimi formal i zonave, por te ndryshimet që, sipas saj, kanë prekur filozofinë e mbrojtjes së tyre.
“
Edi Rama gënjen kur thotë se në zonat e mbrojtura nuk ka ndryshuar asgjë nga ligji i 2024, edhe për peizazhet e mbrojtura. E vërteta është se Ligji nr. 21/2024 ndryshoi pikërisht filozofinë e mbrojtjes së tyre dhe hapi rrugën për ndërtime e zhvillime që më parë ishin të kufizuara. Në ligjin e ri është hequr logjika e ndalimit. Janë fshirë konceptet e “kufizimit, eliminimit dhe parandalimit” të aktiviteteve të papërshtatshme dhe në vend të tyre është futur ideja e lejimit të ndërhyrjeve urbane, turistike dhe ekonomike brenda zonave të mbrojtura. Edhe vetë përkufizimi i “Peizazhit të Mbrojtur” është ndryshuar. Ai nuk paraqitet më vetëm si një hapësirë që duhet ruajtur, por edhe si një territor që krijon mundësi për zhvillime turistike, agroturistike dhe veprimtari të tjera ekonomike. Për më tepër, ligji ia kalon qeverisë dhe Këshillit Kombëtar të Territorit kompetencën për të përcaktuar me vendime administrative se çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet në këto zona. Pra, kufijtë e mbrojtjes nuk burojnë më qartë nga ligji, por varen nga vullneti i qeverisë”, shprehet deputetja.
Zhupa pretendon se me ligjin e ri janë hequr konceptet e kufizimit dhe parandalimit të aktiviteteve të papërshtatshme dhe është zgjeruar hapësira për ndërhyrje urbane, turistike dhe ekonomike brenda zonave të mbrojtura.
Ajo kundërshton edhe argumentin e Ramës se statusi i zonave të mbrojtura nuk ka ndryshuar.
“Statusi formal i zonave të mbrojtura mund të ketë mbetur në letër, por në praktikë hapësira për ndërtime dhe zhvillime është zgjeruar ndjeshëm. Kjo është arsyeja pse sot shohim projekte që depërtojnë në territore që dikur konsideroheshin të paprekshme. Nuk është rastësi që edhe Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizimin e këtyre ndryshimeve dhe rikthimin e një mbrojtjeje reale për zonat e mbrojtura. Kur një shqetësim ngrihet edhe në nivel europian, askush nuk mund të pretendojë se problemi nuk ekziston”, deklaron Zhupa.
Deputetja e PD-së thotë gjithashtu se Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizimin e këtyre ndryshimeve dhe kujton se më 14 maj ka depozituar në Kuvend një nismë për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024.
“Pikërisht për këtë arsye, më 14 maj kam depozituar në Kuvend propozimin për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024 dhe rikthimin e garancive që mbrojnë natyrën nga betonizimi dhe interesat afatshkurtra.Mund ta mbani këtë nismë edhe disa ditë në sirtarët e shumicës, por nuk e dini sa kohë ju ka mbetur. Zëri qytetar po bëhet çdo ditë më i fortë dhe protestat për mbrojtjen e pasurisë kombëtare publike nuk do të ndalen”, shprehet ajo.
Një ditë më parë, Rama deklaroi se pretendimet për heqjen e statusit të zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve janë të pavërteta dhe se zona “Pishë Poro-Nartë” ka mbetur në të njëjtën kategori mbrojtjeje që prej vitit 2004. Sipas kryeministrit, ligji parashikon prej vitesh mundësinë e zhvillimeve të caktuara në peizazhet e mbrojtura, në përputhje me procedurat dhe lejet përkatëse.
Komente









Po shko moj grifshe se na mbushe mendjen
Përgjigju