Vendimi për një nga çështjet më të debatueshme në Maqedoninë e Veriut, Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, vijon të mbahet pezull në Gjykatën Kushtetuese prej vitesh tashmë.

Shkaku për vonesën më të fundit mbetet moszgjedhja nga Kuvendi e gjyqtares Meri Dika Georgievska, e propozuar nga Këshilli Gjyqësor, e cila do të plotësonte përbërjen e plotë të Kushtetueses dhe do t’i hapte rrugë shqyrtimit të lëndës.

Sipas mediave vendase, mungesa e anëtares së re ka bllokuar edhe mbajtjen e seancës përgatitore ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë do të diskutonin çështjet kontestuese të ligjit.

Nga Kuvendi thanë se pika për zgjedhjen e gjyqtares është futur në rend dite në seancën e 97-të, por nuk është shqyrtuar pasi mungonin përfaqësues të Këshillit Gjyqësor. Tentativa për zgjedhje u bënë edhe më 8 prill dhe 19 maj, por pa rezultat.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese pret veprimin e Kuvendit. Situata mund të komplikohet edhe më shumë pasi brenda gjashtë muajve dy gjyqtarëve aktualë, Osman Kadriut dhe kryetarit Darko Kostadinovski, u përfundon mandati.

Në një intervistë për Alsat, gjyqtari Osman Kadriu paralajmëroi se nëse shfuqizohet neni 23 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që lidhet me harmonizimin me ligjet e tjera, atëherë përdorimi zyrtar i shqipes mund të zhbëhet.

Çështja e Ligjit të Gjuhëve mbetet një nga temat më të nxehta politike në vend, duke shkaktuar përplasje të forta mes partive politike.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka vite  që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në dhjetor të 2024-ës Gjykata Kushtetuese vendosi ta shtynte seancën për një datë pacaktuar

Ligji për gjuhët përbëhet nga 25 nene. Ai hyri në procedurë parlasmentare me 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, Ligji për gjuhët u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë. 

Ndonëe presidenti Ivanov dhe opozita e cilësuan ligjin si anti kushtetues, ligji i ri solli disa ndryshime, veçanërisht u lejua përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”

Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Mes këtyre ishte edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të bënte "korrigjime" pasi të kthehej në pushtet. Tan ndërkohë që është në pushtet, kjo parti nuk lejon përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës, që kanë nxitur edhe protesta masive nga studentët në Shkup e më gjerë.

Në vitin 2019,  Komisioni i Venecias dha një vlerësim për këtë ligj duke thënë se disa dispozita të tij tejkalonin standardet ndërkombëtare për gjuhët rajonale dhe të pakicave.

Komisioni kërkoi heqjen ose kufizimin e dispozitave për dy gjuhësinë në procedurat gjyqësore por edhe rishikimin e dispozitave për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore, duke rekomanduar që këto përcaktime të hiqen ose të kufizohen, për shkak të vështirësive teknike dhe administrative që mund të shkaktojnë.

Gjithashtu u sugjerua rishikimi i  nenit 3 të Ligjit për gjuhët, i cili parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimet institucionale dhe fusha të tjera, duke kërkuar një përcaktim më të qartë të fushës së zbatimit për të shmangur keqkuptimet dhe konfliktet në praktikë.