Numri i rasteve me ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 53, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë prezantuar një faqe të re interneti ku qytetarët mund të ndjekin të dhënat më të fundit për përhapjen e virusit dhe zonat me rrezik.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se nga 53 rastet e raportuara, 50 janë të konfirmuara, ndërsa 3 janë raste të dyshuara dhe pacientët ndodhen të shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive. Sipas tij, 52 pacientë kanë zhvilluar formën neuroinvazive të sëmundjes.

Deri tani, 25 pacientë janë shëruar dhe janë lënë të vazhdojnë trajtimin në shtëpi, ndërsa janë regjistruar edhe 5 viktima. Aktualisht, 21 pacientë janë të shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, prej të cilëve 6 ndodhen në kujdes intensiv.

Klekovski tha se është përditësuar udhëzimi për mjekët specialistë dhe mjekët e familjes, me fokus të veçantë te pacientët që marrin terapi imunosupresive.

Ai njoftoi gjithashtu se ka përfunduar raundi i katërt i spërkatjes kundër mushkonjave në Shkup dhe se është hapur një faqe e re interneti e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, ku publikohen të dhëna për rastet, zonat me rrezik dhe masat parandaluese të ndërmarra.

Sipas ministrit, spërkatje të jashtëzakonshme janë kryer në gjashtë zona me rrezik, si dhe në disa pjesë të Kisela Vodës, Gazi Babës, Zelenikovës, Studeniçanit, Butelit dhe Gjorçe Petrovit.

Autoritetet kujtojnë se për ethet e Nilit Perëndimor nuk ekziston një trajtim specifik antiviral. Mjekimi synon lehtësimin e simptomave, ndërsa rastet e rënda trajtohen në spital. Qytetarëve u rekomandohet të mbrohen nga pickimet e mushkonjave me repelentë, veshje mbuluese, rrjeta në dritare dhe duke eliminuar ujin e ndenjur pranë banesave.