Ligji i ri, gjobat e masat për farmacitë
Dënohet shitja e ilaçeve pa recetë

Ligji i ri, gjobat e masat për farmacitë<br />Dënohet shitja e ilaçeve pa recetë
TIRANE- Penalitete të forta parashikon ligji i ri i barnave dhe materialeve mjekësore i cili sapo është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë. Çdo subjekt privat apo shtetëror i cili ka në administrim apo ofron barna dhe materiale mjekësore duhet të zbatojë një sërë kushtesh që parashikon ky ligj, në të kundërt inspektorët dhe Ministria e Shëndetësisë do të zbatojnë penalitetet të cilat nisin nga 10 mijë lekë të reja e deri në heqje të licencës. Kështu nëse një institucion publik tregton barnat e dhuruara apo ato që janë për promocion në spital, dënohet me heqje të licencës dhe sekuestrim të mallit. Në këtë projekt ligj është parashikuar edhe një tjetër penalitet që ka të bëjë me shitjen e barnave pa recete, një nga çështjet më problematike, ku deri më tani çdo pacient mund të paraqitej në farmaci dhe shumë lehtë mund të merrte edhe barna të cilët janë të ndaluara të shiten pa recetën e mjekut.

“Tregtimi i barnave në farmaci ose në agjenci farmaceutike pa recetën e mjekut, me përjashtim të barnave OTC, dënohet me 50 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës” thuhet në pr/ligj. po kështu edhe masa janë parashikuar edhe në rastet kur në farmaci nuk punojnë profesionistët apo mungojnë drejtuesit teknikë të saj. Masat në këto raste shkojnë 50-100 mijë lekë apo edhe heqje të licencës. “Tregtimi i barnave me pakicë në farmaci nga persona pa arsimin farmaceutik, dënohet me 100 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje me heqje të licencës; tregtimi nga ndihmësfarmacistët, në mungesë të drejtuesit teknik ose të farmacistit, dënohet me 50 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës” thuhet në pr/ligj.

Por edhe në rastet e mungesës  së drejtuesit teknik ose farmacist ka penalitet sikurse edhe në rastet kur mungojnë dokumentet shoqëruese të mallit apo kur nuk ka informacion periodik nga nga subjektet farmaceutike. Edhe pajisja e barnave me pullë është një tjetër pikë e rëndësishme, dhe në rastet kur ajo mungon këto barna sekuestrohen ndërkohë që gjoba shkon deri në 100 mijë lekë, dhe në raste të përsëritjes heqje të licencës deri në dy vjet.

Ajo që është e rëndësishme dhe parashikohet në këtë ligj është gjurmimi i barit. “Bëhet fjalë për sistemin “track and trace”. Në ligjin bazë të barnave, do të kemi një mënyrë të përcaktuar qartë të gjurmimit të barit. Ky sistem, së bashku me projekte të tjera që kemi me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për të arritur deri te receta elektronike, do të krijojnë lehtësi dhe siguri në qarkullimin e barnave në Shqipëri”, është shprehur ministri Beqaj pak ditë më parë kur ka bërë publik këtë ligj.
 
Masat dhe gjobat në rastet e shkeljeve nga farmacitë
 
-Fabrikimi i barnave pa autorizimin përkatës dhe ndryshimi në formën farmaceutike pa autorizim, dënohen me sekuestrim të barnave dhe me gjobë 50 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje me heqje të licencës,
-Hedhja në treg e barnave të regjistruara pa lejen e përdorimit dhe e barnave të paregjistruara pa autorizimin e veçantë dhe pa lejen e përdorimit, dënohet me sekuestrim të barnave dhe me 100 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje me heqje të licencës;

-Tregtimi me shumicë i barnave pa pullën e kontrollit dhe çmimin e shitjes me pakicë,dënohet me sekuestrim të barnave dhe me 100 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje me heqje të licencës;
-Tregtimi me pakicë i barnave pa pullën e kontrollit dhe çmimin e shitjes me pakicë dënohet me sekuestrim të barnave dhe 100 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje me heqje të licencës për jo më pak se 2 vjet;
-Tregtimi i barnave të dhuruara dhe i mostrave promocionale e spitalore, dënohet me sekuestrim dhe heqje të licencës;

-Mosrespektimi i praktikave të ruajtjes dhe të shpërndarjes së mirë të barnave, dënohet me 100 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës;
-Shitja e barnave me shumicë në mungesë të drejtuesit teknik ose farmacistit dënohet me 50 mijë lekë gjobë; shitja e barnave me shumicë pa faturën shoqëruese dhe dokumentacionin përkatës dënohet me 100 mijë lekë gjobë; shitja e barnave me pakicë nga importuesit ose shpërndarësit e tyre dënohet me 50 mijë lekë gjobë;
-Mosdhënia e informacionit periodik nga subjektet farmaceutike, dënohet me 50 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës;

-Tregtimi i barnave me pakicë në farmaci nga persona pa arsimin farmaceutik, dënohet me 100 mijë lekë gjobë dhe , në rast përsëritjeje me heqje të licencës; tregtimi nga ndihmësfarmacistët, në mungesë të drejtuesit teknik ose të farmacistit, dënohet me 50 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës;
-Tregtimi i barnave në farmaci ose në agjenci farmaceutike pa recetën e mjekut, me përjashtim të barnave OTC, dënohet me 50 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës;

-Përgatitja dhe shpërndarja e barnave nga mjekët dhe stomatologët, dënohen me dhjetëfishin e vlerës së tyre edhe me heqje te licencës;
-Shitja e barnave, që përdoren nga njerëzit në farmacitë veterinare, dënohet me 10 mijë lekë gjobë dhe i propozohet Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për heqjen e licencës;

-Mungesa e barnave të detyrueshme në farmaci dhe në agjenci farmaceutike, dënohet me 10 mijë lekë gjobë;
-Deklarimi i rremë i çmimeve CIF të importit dhe çmimeve të fabrikimit për barnat e prodhuara në vend, dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të shumës së llogaritur ndërmjet vlerës së deklaruar dhe çmimit real.
-Reklamimi i barnave jo OTC, në kundërshtim me rregulloren për reklamimin dhe promocionin, dënohet me 200 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës.
-Kryerja e veprimtarive pa licencën përkatëse, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me sekuestrim të barnave dhe heqje të licencës.


Shkrimi u publikua sot (29.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan