Janë 137 nene në projektligjin e ri të mediave audio- vizive dhe kalimin nga transmetimet kabllore në ato digjitale, që priten të miratohen në javët e para të vitit 2013. Palët kanë rënë tanimë dakort. Kryetarja e komisionit parlamentar për mediat dhe edukimin, Valentina Leskaj, thotë për DW se ligji i ri është hartuar me asistencë teknike nga BE, Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja dhe është në linjë me standartet e BE-së në këtë fushë. "Është një projektligj që integron dy ligje ekzistuese: atë për mediat audio- vizive dhe ligjin për transmetimet dixhitale. Gjithashtu në ligjin e ri pasqyrohen avancimi i teknologjisë si edhe direktivat e BE dhe të Këshillit të Evropës", thotë znj. Leskaj.
Konsensus mes palëve për një media të pavarur dhe të lirë
Projektligji i ri rregullon me konsensus mes plave mënyrën e organizimit të medias audio - vizive, entet rregullatore mediatike, Këshilin Kombëtar të Radio- Televizioneve dhe Entin Rregullator për Mediat në Shqipëri. Në thelb të tyre është përzgjedhja e anëtarëve të këtyre dy enteve. "Përbërja e bordeve të KKRT dhe Entit Rregullator të Mediave ka një ndikim të madh në pavarësinë e dy institucioneve që aktualisht kanë probleme të mëdha me pavarësinë dhe lirinë e mediave. Mënyra se si operon sot KKRT për procesein e dhënies së licensave apo heqjen e tyre në rast shkeljesh, e monitorimit për të drejtat e njeriut, e reklamave mendoj se është klienteliste", mendon znj.Leskaj.
Gjuha e shifrave
Raportet e hartuara nga Këshilli Kombëtar i Radio-Televizioneve për kohën televizive që i jepet nga operatori publik RTSH tregojnë se në vitin 2011 maxhoranca parlamentare ka marrë 85%, opozita 5% dhe 10% të tjerët. Këto shifra , thonë raportet janë një përkeqësim nga viti 2008 kur 70% të kohës televizive e kishte maxhoranca dhe 30% opozita. Ndërkohë që në vitin 2004 kur maxhoarnca e sotme ishte në opozitë ajo kishte 48% të kohës televizive kurse mazhoranca e majtë, e atëhershme kishte 52%.
A e ndryshon situatën një ligji i ri konsensual?
Përfaqësuesit e maxhorancës dhe ata të opozitës kanë arritur konsensus që ligji i ri të sanksionojë përbërjen e KKRT me përfaqësues nga shoqëria civile. A mund ta ndryshojë situatën automatikisht ky konsensus? "Jo, nuk e ndryshon. Shqipëria vuan nga moszbatimi i ligjeve dhe jo nga mungesa e tyre. Shqipëria ka ligje shumë të mira por nuk i zbaton ato. Edhe ligji aktual thotë që KKRT dhe Këshilli Drejtues i RTV duhet të jenë të paanshme", thotë Valentina Leskaj.
Ajo thekson se pavarësia e të vetmit operator audio- viziv në Shqipëri, RTSH, është e lidhur me financimin e tij. Fondet që qeveria vë në dispozicion janë shumë larg kërkesave të projektligjit, në buxhetin e sapomiratuar të shtetit për vitin 2013.
Fondet për dixhitalizimin deri në vitin 2015
Operatori publik, RTSH, ka marrë prej tre dy frekuenca të transmetimeve dixhitale. Por pa fonde nga qeveria ato nuk mund të fillojnë nga aktiviteti dhe në përgjithësi mungesa e fondeve rrezikon digjitalizimin e gjithë transmetimeve audio- vizive në nivel kombëtar deri në vitin 2015. Kalimi nga transmetimet analoge në ato digjitale, nuk mund të ndodhë me një të shkelur butoni, thotë Valentina Leskaj. Ky proces do kohë. Së pari bëhej pilotimi dhe pastaj kalohet rajon pas rajoni në gjithë vendin. Dhe ky proces ka një kosto financiare që përbëhet nga financimi i shtetit dhe taksat e qytetarëve", sqaron ajo.
Ligji i ri u pret rrugën monopoleve
Licensimi për operatorët audio- vizivë digjitalë në ligjin e ri i mbetet KKRT dhe jo subjekteve private. Leskaj: "Në bazë të këtij vendimi konsensual licensimi jepet nga KKRT, që mbetet një ent rregullator i pavarur. Shqipëria është ende një vend me demokraci të brishtë. Nëse licensimin e merr një kompani private, kjo do të bëhej në një kohë kur sektori privat nuk është i zhvilluar në standarde. Kjo krijon riskun e monopoleve. Kjo do të cënonte aksesin për ata që nuk kanë fuqi ekonomike."
Ligje dhe reforma të qëndrueshme
Më tepër se miratim i këtij ligji, thelbësore është zbatim i tij. Në Shqipëri në vitet e fundit ka ligje si ai për sistemin fiskal, apo për arsimin e lartë që kanë ndryshuar gjashtë deri në shtatë herë. Kjo për Kryetaren e komisionit parlamentar për Mediat, Arsimin dhe Mjetet e Informimit publik është tregues i paqëndrueshmërisë së reformave dhe hartimit të ligjeve pa bërë vlerësimin e nevojave që ka vendi. Për rëndësinë që i jep BE-ja bazës ligjore për mediat audio - vizive dhe transmetimet digjitale në ndërtimin e një demokracie funksionale në Shqipëri, si kusht për progress në procesin e integrimit europian, flet edhe një konferencë që BE-ja e organizon në mes të janarit në Tiranë, në vijim të komferencës "Speak up" të organizuar vitin e kaluar në Bruksel.
Marrë nga Deutsche Welle
(ad.ti/shqiptarja.com)