Ligji për artistët, ja ndryshimet
që parashikohen të bëhen

Ligji për artistët, ja ndryshimet<br />që parashikohen të bëhen<br>
Projektligji për Artin dhe Kulturën synon të ndryshojë për herë të dytë Ligjin “Për Artin dhe Kulturën”, të miratuar në vitin 2010 dhe të ndryshuar në vitin 2014. Artistët kanë reaguar kundër ministres Mirela Kumbaro duke e akuzuar se me këtë projektligj ajo mbështet forcimin e pushtetit të saj në të gjitha sferat e kulturës.

Pikat që kanë kundërshtuar nga ky projektligj artistët janë: Së pari, fakti që drejtorët e institucioneve kombëtare, që sot emërohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, mes dy kandidaturave të propozuara nga Ministri, do të emërohen me Urdhër të Ministres Mirela Kumbaro, ku përfshihen Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Biblioteka Kombëtare.

Sipas projektligjit artistët kanë vënë re se “do të shpërndahen bordet artistike të institucioneve, një traditë dhjetëravjeçare, të cilat u fuqizuan me Ligjin e vitit 2010”. Me këtë projektligj edhe bordet artistike do të caktohen nga Ministrja e Kulturës. Artistët kanë kundërshtuar mes të tjerash edhe faktin që punonjësit e institucionit do të propozohen nga drejtori dhe do të miratohen nga ministri, por edhe shumë pika të tjera të projektligjit, që ata i kanë parë si një përpjekje për një centralizim të institucioneve.

Aktori Mirush Kabashi është shprehur se “kjo s’ka ndodhur as në kohën e Ramiz Alisë”. Ndërsa Robert Ndrenika ka reaguar për një situatë tjetër atë të zhvendosjes së Teatrit Kombëtar tek Turbina. Në momentin që kanë mësuar shkrirjen e disa institucioneve kulturore të gjithë artistët e teatrit kanë shprehur shqetësimin për zhdukjen e Teatrit Kombëtar. Ndaj ata kanë kërkuar me insistim të mos zhvendosen nga godina pa u bërë transparenet një projekt për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.

Projektligji i Ministrisë së Kulturës që kundërshtojnë aktorët
Në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, publikuar në faqen e Ministrisë së Kulturës, parashikohet që:

-Galeria Kombëtare e Arteve të kthehet në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura.

– Në institucionet publike qendrore të artit e të kulturës, subjekt i këtij ligji, përfshihen edhe:

f) Qendra Kombëtare e Kinematografisë; g) Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit; gj) Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”; h) Biblioteka Kombëtare; i) Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale.

– Emërimi i titullarit të institucionit publik qendror nuk bëhet më me vendim të Këshillit të Ministrave, por me “Urdhër të Ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën”

-Për bordet artistike të institucioneve, parashikon: “Bordi artistik përbëhet nga 7 anëtarë, nga të cilët një përfaqësues nga Ministria përgjegjëse për Financat, një përfaqë- sues nga Ministria përgjegjëse për Artin dhe Kulturën, ndërsa anëtarët e tjerë janë personalitete të shquara të fushës së artit, veprimtarive shoqërore ose përfaqësues nga fusha e biznesit. Anëtarët miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe nuk mund të jenë të punësuar në institucionin, pranë të cilit funksionon ky bord.

Emërimi i tyre bëhet për një afat 4-vjeçar. Lirimi dhe shkarkimi, para përfundimit të këtij afati, bëhet nga ministri përgjegjës për artin dhe kulturën, për shkelje të ligjit ose për arsye të mosfunksionalitetit të tij.”

-Mënyra e funksionimit të Bordit përcaktohet në rregulloren e miratuar me Urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën.

-Miratimi i veprimtarive artistiko-kulturore në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet të tjera publike.

1. Miratimi i veprimtarive artistiko-kulturore në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet të tjera publike bëhet me Urdhër të titullarit pas propozimit nga kolegjiumi i institucionit përkatës.

2. Kolegjiumi ka në përbërje jo më pak se 3 nëpunës ose punonjës, të përcaktuar me urdhër të titullarit.

3. Mënyrat e funksionimit të kolegjiumit për institucionet qendrore të artit dhe kulturës propozohen nga institucioni dhe miratohen nga ministri përgjegjës për Artin dhe Kulturën.

4. Mënyra e funksionimit të kolegjiumit për njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera publike miratohen nga titullari i institucionit.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Rusia pretendon se ndaloi sulmin e papritur të Ukrainës në rajonin e Kurskut

Rusia pretendon se ndaloi sulmin e papritur të Ukrainës në rajonin e Kurskut