Ligji për Prizrenin dhe Hoçën e Madhe në Gjykatë Kushtetuese

Ligji për Prizrenin dhe Hoçën e Madhe në Gjykatë Kushtetuese
Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit dhe ligji për Hoçën e Madhe, tashmë janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe presin vendimin përfundimtarë nga kjo e fundit. Lëvizja Vetëvendosje e përkrahur edhe nga shoqëria civile në Prizren, të premten më datë 27 prill ka dorëzuar këto dy ligje në kushtetuese, pasi që konsiderojnë se miratimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës përbën shkelje të parimeve të laicitetit dhe neutralitetit të besimeve fetare.

Kjo është bërë e ditur gjatë një konferencë për media, të shtunën, nga deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, me ç’rast ka dhënë shpjegim sa i përket arsyes së dërgimit të dy ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, atë për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Hoçën e Madhe.

Sipas tij, për një veprim të tillë, kanë qenë të shtyrë edhe nga shoqëria civile e Prizrenit dhe deputetë të tjerë, duke përmendur atë të PDK-së, Nahit Hasanin, nënshkrimin e të cilit nuk kanë mundur ta sigurojnë për shkak se ai gjendet jashtë vendit.


“Dje, pra me datën 27 prill, dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese lëndët për dy ligjet e miratuara më datë 20 prill, respektivisht dy ligjet që konsiderojmë që përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe ato janë; ligji për Qendrën Historike të Prizrenit dhe ligji për Hoçën e Madhe. Për Qendrën Historike të Prizrenit ne kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me shoqërinë civile dhe qytetarët e Prizrenit. Nisma ka buruar nga ta si dhe faktimi dhe shqyrtimi i ligjit në lidhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në një farë mënyre kanë kërkuar nga ne dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta dërgojmë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë deputeti Liburn Aliu i cili ishte dhe anëtar i komisionit.

Aliu, duke folur për përmbajtjen e dy ligjeve ka shtuar se të dyja lëndët janë të ngjashme, meqë të dyja ligjet e shkelin kushtetutën në të njëjtat pika.

Sipas tij, me miratimin e këtyre ligjeve është shkelë neni 8 i Kushtetutës që ka të bëjë me laicitetin e shtetit, ku neni 8 thotë që Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.

“Konsiderojmë se është shkelur edhe neni 5 pika 5.2 ligji për liri fetare në Kosovë. Rrjedhimisht janë shkel parimet e laicitetit dhe neutralitetit të besimeve fetare. Po ashtu ligji e shkel Kushtetutën edhe në neni 24 ku bëhet fjalë për barazi para ligjit. Ky ligj, me këtë përmbajtje, konsiderojmë që krijon pabarazi të hapur për pjesëtar bashkësive fetare të përmendura në ligj në raport me bashkësitë e tjera fetare dhe personave që nuk i përkasin asnjë besimi fetar. Neni 24 i Kushtetutës thotë se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e barabartë ligjore pa diskriminim”, ka thënë Aliu.

Deputeti Liburn Aliu, ndër të tjera ka thënë se projektligji ka shumë defekte dhe në këtë mënyrë po krijohet precedent që edhe fshatrat e tjera të kërkojnë kompetenca të veçanta sa i përket planifikimit rural, sepse është tejkaluar trashëgimia kulturore.

Sipas, Aliut, amendamenti i pestë i Ligjit për Hoçën e Madhe është më i diskutueshmi, ku parashihet që Këshilli i fshatit të ketë një përfaqësues të Kishës Ortodokse, tre të komunës dhe tre të fshatit Hoçë e Madhe.

Kuvendi i Kosovës më 20 prill pas një debati të gjerë, kishte miratuar Ligjin për Hoçën e Madhe dhe atë për Qendrën Historike të Prizrenit, ku është dashur që Qeveria të heq dorë nga shumica e amendamenteve të propozuara nga ajo, duke mbështetur amendamentet e komisionit funksional.

Para së të fillonte shqyrtimi i këtyre projektligjeve, kryeministri, Hashim Thaçi kishte kërkuar nga deputetët që të kenë kujdes që të ruhen dispozitat që janë në përputhje me Pakon e Ahtisarit.

Këto dy ligje janë pjesë e pakos së Ahtisarit dhe janë ndër ligjet që i paraprijnë plotësimit të kushteve për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

/rg/shqiptarja.com//

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore