TIRANE- Kuvendi miratoi të enjten në seancë plenare disa ndryshime në ligjin "Për akcizat", ndër të cilat parashikohet rritja e nivelit të akcizës për cigaren. Ligji i ri parashikon rritjen e akcizës së cigares, nga 900 lekë të vjetra paketa me 20 cigare, në 1100 lekë paketa me 20 cigare. Për vitin 2016-17 do të rritet me 100 lekë të vjetra.
Përmes kësaj mase, qeveria u merr duhanpirësve 40 milionë dollarë taksa shtesë në vit. Për të mos lejuar që paratë të përfitohen nga tregtarët, Këshilli i Ministrave kishte parashikuar kufizimin e importeve deri në hyrjen në fuqi të ligjit me 15 për qind mbi mesataren e vitit të kaluar. Por me propozim të Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, masa u shtrëngua edhe më shumë dhe madje edhe koha në të cilën ajo nis efektet.
Ligji i i ri përcakton se në rastin e një iniciative për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës, sasia e importit të mallrave të akcizës, nga çasti i vendimit të Këshillit të Ministrave për rritjen e akcizës, deri në hyrjen e ligjit në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 5 për qind më shumë se mesatarja mujore e importeve të çdo kompanie në vitin paraardhës./ATSh/