Ligji për ish-Sigurimin si Dekriminalizimi

Ligji për ish-Sigurimin si Dekriminalizimi

Vite të shkuara, kur PD zgjeroi koalicionin e vetë qeverisës, kreu i partisë aleate kish propozuar për postin e një zëvendësministri emrin e një intelektuali që kish bërë karrierë në strukrurat e Brukselit dhe që kish ndërtuar jetën dhe karrierën e vet larg rrokullisjeve të politikës shqiptare. Dosja e tij mbeti në pritje në tryezën e kryeministrit Berisha për një kohë të gjatë, ndërsa emërimet politike me ministra, zëvendësa e drejtorë të mëdhenj po ezauroheshin. Ndërsa u pyet nga aleati vet pse nuk po e firmoste emërimin e tij, kryeministri me qetësi i thotë: “Këtë djalin nuk e njoh. Më mirë më sill një emër tjetër se nuk kam se ku ta kap me këtë dosje që ka”. Me kaq mbaroi aventura fluturake e mikut që desh të kontribuonte për vendin e vet dhe që u rikthye sërish nga erdhi. Mendja dhe kontributi i tij ish i padëshiruar pikërisht se nuk kishin ku ta “kapnin”, apo më qartë ta shantazhonin, për të qëndruar në një linjë me eprorët edhe kur ishte më se e qartë se abuzohej me ligjin dhe me pushtetin.

Kjo histori, që diskutohej shpesh në rrethin tonë të miqve, ku i “pakapuri” ish njëri prej nesh, më është kujtuar shpesh këto kohë ndërsa në parlament po diskutohej për ndryshimet ligjore për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Pavarësisht se kundërshtimi për këtë akt të vonuar vjen nga një pjesë e opozitës për ndonjë çështje IM dhe se ligji në fjalë bëhet vetëm për arsye politike për kundërshtarë të veçantë, e gjithë kjo pjesë nuk më intereson. IM a kushdo qoftë le të gjejë vetë të drejtën nëse nuk ka njolla. Dhe nëse ka kjo është sërish punë e tij për pasojat që do të ketë.

Çështja është shumë më e gjerë dhe shkon më përtej një hapjeje dosjeje. Ka të bëjë së pari me funsionimin normal të administratës zyrtare dhe me meritokracinë sipas kontributeve. Deri më sot, edhe qytetari më i thjeshtë e di këtë, që meritokracia funksionimi i administratës në bazë të karrierës është i shtrembëruar. Kemi patur një armatë të gjerë spiunësh e bashkëpunëtorësh të sigurimit të kohës së diktaturës, një pjesë e mirë e të cilëve kanë bërë karrierë të sukseshme në këta 30 vite. Ndaj të mos bëhemi hipokritë. Shumë prej nesh i njohim, u dimë emrat e pseudonimet, por çudërisht kemi mbetur veç vëzhgues të karrirrave të suksesshme të tyre, gjithmonë pas emrave me pushtet e kurdoherë benifitarë të pasurive publike dhe të mirave që burojnë nga pushteti.

Pushtetarët tanë, në tre dekada rradhazi, i kanë patur me qejf të kenë pranë e të përdorin pikërisht ata që kishin cen në biografi dhe që nën shantazh mund t’u shërbenin më mirë. Këta kanë qenë ata që e njohin më mirë “zërin e padronit”, që japin maksimumin për të plotësuar vullnetin e shefit edhe kur është abuzim, që mund të firmosin një akt apo një tender edhe kur ashiqare shkelet ligji, apo kur mbyllin sytë për çdo abuzim e shpërdorim nga klientët që janë marrë vesh me shefin e madh. E parë në këtë prizëm, këta “ të dobishmit e beut” dhe që dikur kanë ngrënë “lugën e prishur”, jo vetëm që s’mbajnë pikën e përgjegjisisë për atë çkanë vjellur në kohën e diktaturës, por po bëhen dhe pengesë e madje regres në ditët e sotme, ndërsa janë shndërruar si gardhet me të cilat janë rrethuar politikanë e shtetarë që paguhen me taksat tona.

E njëjta situatë dhe pikë reference mund të thuhet për ligjin kundër kriminalizimit. Në atë kohë ligji u etiketua si një fitore politike për opozitën që drejtohej nga Basha, por që gjithsesi dha efekte të vyera për shoqërinë. Pikërisht nga ai ligj u pa se sa qejf i kanë pushtetarët ata që kanë cene dhe që i ndërfusin dhe i gradojnë në administratë. Dhjetëra e qindra ishin ata kishin shkelje të rënda penale dhe që kishin infiltruar në administratën e lartë dhe të mesme. Shumë deputetë që kapi ky ligj kishin mundur të ishin dhe në institucionin më të lartë të vendit, në sallën ku bëhen ligje, jo thjesht për tu bërë fresk kryetarëve të tyre, por për të qenë vota sipas urdhërit. Edhe për ta ishte parë se karrira e tyre kish qenë meteorile dhe se ngjitja në shkallët e larta të administratës nuk ish bërë nga meritokracia, por nga të tjera arsye.

E pra, ndërsa dje ceni i shëruar ishte për të larguara ata që kishin patur lidhje me krimin, sot ceni që kërkohet të shërohet është për ata që mund të përdoren e shantazhohen për lidhjet e vjetra me sigurimin e shtetit. Në fakt ky ligj është i vonuar dhe që mund të ishin bërë paketë e përbashkët me atë të dekriminalizimit. Nëse nuk është bërë, pse trysnia e atyre që kanë halle e mund të digjen prej tij, paska qenë e fortë. Në të gjitha rastet, ky ligj nuk është thjesht një detyrim për të shkuarën, por për të tashmen dhe për të ardhmen. Pasi të shkuarën e kemi ende shumë prezente, e kemi në parlament, në administratë e kudo dhe ka ardhur koha të divorcohemi prej saj. Në të kundërt do të mbetemi peng të gjithë nga një e shkuar e frustuar.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja