Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi të enjten projektligjin “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, një nismë që synon të vendosë rregulla ligjore për ndikimin në vendimmarrjet publike, një fushë që deri më tani ka funksionuar pa kuadër të posaçëm.
Gjatë diskutimeve, deputeti Erion Braçe vuri në pikëpyetje thelbin e projektligjit, duke ngritur shqetësimin nëse ai rrezikon të kthehet në një mekanizëm që legalizon ndikimin e paligjshëm, thjesht përmes regjistrimit formal si lobim. Braçe kërkoi sqarime konkrete se ku është hasur realisht lobimi në Shqipëri dhe pse lind nevoja për këtë ligj, ndërsa kritikoi edhe ndalimet e forta ndaj deputetëve krahasuar me funksionarë të tjerë.
“Ku është kufiri ndarës midis ndikimit të paligjshëm dhe lobimit? Çfarë i dallon? A mos vallë po shkojmë drejt legalizimit të ndikimit të paligjshëm si lobim? Se mjafton të regjistrohesh të deklarosh dhe ta ushtrosh veprimtarinë që sot është e paligjshme, nesër si lobim. A kemi ne sot lobim? Ku e keni hasur ju lobimin që vini tek nevoja për këtë projektligjin. E kemi pranë Kryeministrisë, Ministrisë, pra ku e keni hasur? Ndalimin më të egër në ligj e keni ndaj deputetëve, si mendoni ju ka ndonjë gjë në dorë deputetët sot, që pasi u mbaron mandati të mos ushtrojnë këtë veprimtari për 2 vite? Mos do të ishte më mirë që t’i ndalohej lobimi 5 vite një anëtari Këshilli Mbikëqyrës së ndonjë institucioni financiar dhe jo vetëm 1 vit siç parashikohet? Nuk mendoni që veprimtaria ekonomike është kyçe për organizatat ekonomike që mund të përfshihen në lobim?”, u shpreh Braçe.
Në përgjigje, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, theksoi se edhe pse lobimi nuk është i zhvilluar gjerësisht në Shqipëri, qeveria e ka parë të nevojshme vendosjen e standardeve ligjore për të shmangur abuzimet dhe mungesën e transparencës.
“Lobimi nuk është gjerësisht i zhvilluar në vend, por është parë e nevojshme se duhen garantuar standardet ligjore për këtë proces,” tha Pirdeni.
Braçe solli më pas edhe raste konkrete për të ilustruar se si është shfaqur lobimi në praktikë, duke dalluar mes rasteve të dështuara dhe atyre që kanë prodhuar ligje me interes publik.
“Ka pasur dy raste lobimi në Shqipëri në ekzekutiv. Na erdhi një propozim ligjor për të hequr tarifën prej 10% për importin e frigoriferëve me 1 derë. Dhe kur pyeta se kush i sillte këto frigoriferë me vetëm një derë ishte vetëm një kompani, Kuvendi e ktheu mbrapsht, lobimi ishte bërë tjetërkund. Rasti tjetër është lobimi për të hartuar ligjin për regjistrin e pedofilëve dhe është rasti pozitiv i lobimit dhe Kuvendi e miratoi. Deputeti portretizohet si hajdut por nuk është i tillë. Ju marr rastin e buxhetit dhe paketës fiskale. ”, tha ai.
Çfarë parashikon projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”?
Sipas projektligjit, veprimtaria e lobimit do të lejohet vetëm për persona fizikë ose juridikë të regjistruar në një Regjistër të posaçëm të Lobimit, i cili do të administrohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ky institucion do të ketë kompetencë për monitorimin, verifikimin dhe publikimin e të dhënave mbi lobistët dhe aktivitetin e tyre.
Projektligji parashikon kufizime të forta etike dhe ligjore, duke ndaluar përdorimin e formave të ndikimit të paligjshëm ose korruptiv. Personat e dënuar për korrupsion, pastrim parash, mashtrim apo vepra të tjera të rënda penale nuk mund të ushtrojnë lobim për një periudhë pesëvjeçare nga përfundimi i dënimit.
Një tjetër kufizim i rëndësishëm lidhet me ish-zyrtarët e lartë publikë. Ministrat dhe deputetët ndalohen të angazhohen në lobim për dy vite pas përfundimit të mandatit, ndërsa ndalohet edhe lobimi për interesa të shteteve të huaja që bien në kundërshtim me interesat kombëtare.
Çdo marrëdhënie lobimi duhet të formalizohet me kontratë të shkruar dhe të regjistrohet brenda 15 ditëve në sistemin elektronik të Regjistrit të Lobimit. Megjithatë, ligji parashikon që të dhënat sensitive të kontratave, si periudha dhe shpërblimi, të mos bëhen publike.
Projektligji synon gjithashtu parandalimin e konfliktit të interesit, duke ndaluar lobimin në rastet kur lobisti ose të afërmit e tij kanë interesa të drejtpërdrejta në çështjet për të cilat ushtrohet ndikimi. Lobistët janë të detyruar të deklarojnë qëllimin e lobimit, subjektin për llogari të të cilit veprojnë dhe të raportojnë çdo gjashtë muaj burimet financiare dhe shpenzimet e kryera.
Mosrespektimi i rregullave parashikon masa ndëshkuese që variojnë nga gjoba deri në 5 mijë euro, deri te ndalimi i ushtrimit të aktivitetit për një periudhë deri në tre vite.
Nisma, në thelb, synon të vendosë për herë të parë rregulla të qarta për lobimin në Shqipëri, një praktikë e njohur në demokracitë perëndimore, por e parregulluar deri më tani në vendin tonë.
Komente











