TIRANE- Parandalimi i pastrimit të parave dhe financimi i terrorizmit do të jetë sot ligji më i rëndësishëm që do të diskutohet në komisionet parlamentare.

Ky ligj ka si qëllim parandalimin e pastrimit të parave si dhe financimin e terrorizmit. Ndryshimi i ligjit, i sjellë në Kuvendin e Shqipërisë nga qeveria shtrin fushën e veprimit për të hetuar mbi pasurinë e zyrtarëve.


Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar do të diskutohet në orën 09: 00 në Komisionin e Ligjeve, një orë më vonë në Komisionin për Ekonominë dhe Financat dhe më pas në 11:00 në Komisioni për Sigurinë Kombëtare dhe Komisionin për Integrimin Europian.

Qeveria ka ndryshuar ligjin, duke bërë pjesë të hetimit edhe pasuritë e të ardhurat e miqve të politikanëve. "Në këtë kategori përfshihen anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht", thuhet në nenin e shtuar në ligj. Shtimi i kategorisë së personave që duhet t'i nënshtrohet kontrollit të pasurisë ka qenë një ndër problematikat e konstatuara në raportet e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Pyetja që lind është se si do të hetohen, dhe nga nis problemi?
Duke qenë të ekspozuar nga hetimi i pasurisë, politikanët e lartë shpesh i kalojnë përfitimet abuzive në emrat e miqve apo mikeshave në ngushta. Pas miratimit të ndryshimit, edhe pasuritë e këtyre të fundit do të duhet të qartësojnë burimin e financimit. Kështu, në rast se një mik apo mikeshë e një politikani do të blejë prona, apo do të shtojë llogaritë bankare pa e argumentuar fitimin, atëherë pjesë e hetimit do të jetë edhe politikani apo drejtuesi i lartë që ka lidhje me të. Në disa raste politikanët nuk kanë lidhje direkte martesore apo familjare me ata që përdorin paratë e tyre. Me ndryshimin e ri, hetimi i pastrimit të parave ka mundësinë ligjore ta shtrijë kontrollin edhe te politikani mik apo mikeshë.
(sg/shqiptarja.com)