Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, lidhur me prezantimin e projektligjit "Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit".
TIRANË, 7 Korrik /ATSH/ -Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot një seancë dëgjimore me ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, lidhur me prezantimin e projektligjit "Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit".
Anëtarët e komisionit diskutuan gjerësisht çështjen e transferimit të së drejtës së zhvillimit nga zonat historike në ato në zhvillim, me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga kaosi i ndërtimeve.
Duke folur para komisionit, drejtoresha e Agjencisë së Planifikimit të Territorit, Adelina Greca, tha se, zonat historike nuk mund të përdoren nga pronarët. "Pronarët që zotërojnë prona në një zonë të trashëgimisë kulturore, nuk mund ta përdorin të drejtën e tyre atje ku duhet të ruhen shtëpitë karakteristike, por në një zonë tjetër."
Ndërkaq, Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, theksoi se ligji nuk përjashton asnjë kategori. "Kjo çështje nuk zgjidhet menjëherë. Me ligjin e planifikimit të territorit nuk përjashtohet asnjë kategori."
Gjithashtu, ministrja Gjermeni shprehu gatishmërinë për të forcuar masat ndaj ndërtuesve apo arkitektëve që ndërtojnë në kundërshtim me ligjin, duke parashikuar edhe heqjen e licencës, siç u kërkua nga grupet e interesit.
Në fund, komisioni hodhi në votim projektligjin, që u miratua në parim nga anëtarët e pranishëm në mbledhje. /gj.m//a.ke/