Ligji i Policisë së Shtetit ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë nga Avokati i Popullit. Përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Avokati i Popullit bën me dije se kërkon shfuqizimin e një neni të ligjit për Policinë e Shtetit.
Më konkretisht kërkohet shfuqizimi i nenit 8 i ligjit nr. 133/2020 i lidhur me disa kompetenca të për veprimtari informative gjurmuese të qytetarëve.
Ky nen ka të bëjë me kompetencën e Policisë së Shtetit për gjurmimin dhe mbikëqyrjen e qytetarëve nëpërmjet komunikimeve joelektronike në raste të ndryshme.
Sipas Avokatit të Popullit, ky nen vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Ata shtojnë se përmbajtja dhe zbatimi i këtij neni cënon rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e krijon premisa që ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që mbikëqyr e gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve kompetente.
Kjo kompetencë përfshihet dhe në projektligjin e ri që e ndryshon SHÇBA-në në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore e cila pritet të miratohet në Kuvend më 4 mars.
Në nenin 32 të këtij ligji është e njëjta përmbajtje për gjurmimin e personave të dyshuar përmes mjeteve dhe teknikave të veçanta për identifikimin ose lokalizimin e vendndodhjes së tyre. Në rastin e AMP-së gjurimi bëhet për tre organet që ky institucion ka për detyrë t’i kontrolloj. Praktikisht, nëse ligji për Policinë e Shtetit shkon në Kushtetuese, edhe miratimi i AMP-së së re rrezikon të mos kaloj në ligj enkas për këtë nen.
Neni 8 që kërkohet të shfuqizohet:
1. Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese, me qëllim parandalimin e veprave penale, zbulimin e veprave penale, identifikimin apo lokalizimin e autorëve të tyre, Policia e Shtetit merr, grumbullon, përpunon dhe dokumenton informacion dhe të dhëna nëpërmjet:
a) mbikëqyrjes së veçantë zanore të komunikimeve joelektronike të personave të dyshuar në ambiente publike apo të hapura për publikun me autorizim të prokurorit:
b) mbikëqyrjes së veçantë vizuale të personave të dyshuar në vende publike apo të hapura
për publikun;
c) gjurmimit ose mbikëqyrjes se veçante të personave të dyshuar nëpërmjet përdorimit të mjeteve, pajisjeve apo teknikave të veçanta për identifikimin ose lokalizimin e vendndodhjes së tyre.
2. Kushtet, rregullat, procedurat dhe afatet që zbatohen për përdorimin e masave të veçanta të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
3. Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurine publike, Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorise se Posaçme Kunder Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mund të kontrollojne në çdo kohe zbatimin e rregullave dhe procedurave të parashikuara në udhëzimin e përbashkët të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.".
Njoftimi i Avokatit të Popullit në Facebook:
AVOKATI I POPULLIT I KËRKON GJYKATËS KUSHTETUESE TË SHFUQIZOJË NJË NEN TË LIGJIT PËR POLICINË E SHTETIT. Institucioni i Avokatit të Popullit i ka dërguar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një neni të ligjit “Për Policinë e Shtetit” që lidhet me dhënien Policisë të disa kompetencave që lidhen me veprimtari infomative gjurmuese të qytetarëve në rrethana të ndryshme. Avokati i Popullit konstatoi dhe vlerësoi se neni 8 i ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar” vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Përmbajtja dhe zbatimi i këtij neni cenon rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e krijon premisa që ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që mbikëqyr e gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve kompetente. Gjithashtu ai cenon dhe eleminon garancitë kushtetuese dhe mjetet ligjore të mbrojtjes së individit, si kontrollin gjyqësor, kufijtë e përgjimit, mbikëqyrjes e gjurmimit dhe kohëzgjatjen e aplikimit të këtyre masave si dhe detyrimin e strukturave të Policisë së Shtetit për asgjësimin e të dhënave të mbledhura. Për këto arsye të qenësishme Avokati i Popullit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese më 18.02.2021 me kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe KEDNJ, të nenit të sipërpërmendur; si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij neni.