Drafti i propozuar nga mazhoranca për ndryshimin në ligjin e Presidentit të republikës rregullon mënyrën e emërimit të kryeministrit. Në pikën 1 të nenit 20 thuhet se Kryeministri i emëruar duhet të gëzojë mbështetjen e partisë ose koalicionit të partive që kanë shumicën e vendeve në Kuvend.
Ndërsa në pikën 6 është vendosur edhe mekanizmi zhbllokues i një situatë ku asnjë forcë politike nuk arrin të krijojë shumicën në parlament. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend.
Emërimi i Kryeministrit
1. Emërimi i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret. Emërimi i Kryeministrit është nismëtar kur procedura për emërimin e kryeministrit nis nga Presidenti i Republikës dhe është pasues kur procedura nis nga Kuvendi. Kryeministri i emëruar duhet të gëzojë mbështetjen e partisë ose koalicionit të partive që kanë shumicën e vendeve në Kuvend.
2. Emërimi nismëtar bëhet në fillim të legjislaturës ose kur posti i Kryeministrit ngelet vakant dhe përfshin emërimin sipas pikave 5, 6 dhe 7 të këtij neni.
3. Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet në rastet kur Kryeministri zgjidhet nga Kuvendi pas përfundimit pa sukses të procedurave për miratimin e Kryeministrit të emëruar, kur zgjidhet për shkak të mosushtrimit nga Presidenti i Republikës të kompetences për emërim ose të moszbatimit të procedurës së emërimit, si dhe kur zgjidhet me mocion mosbesimi. Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës pa zhvilluar procedura konsultimi.
4. Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për emërimin e Kryeministrit, në rastin e emërimit nismëtar, brenda 10 ditëve nga mbledhja e parë e legjislaturës së re të Kuvendit, brenda 10 ditëve nga përfundimi pa sukses i raundit të parë për miratimin nga Kuvendi të Kryeministrit të emëruar, ose brenda 10 ditëve nga krijimi i vakancës. Për emërimin pasues, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për emërimin e Kryeministrit brenda 10 ditëve nga votimi në Kuvend për Kryeministrin e zgjedhur nga vetë Kuvendi.
5. Presidenti i Republikës bën emërimin nismëtar të Kryeministrit, pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend. Konsulta ka qëllim të identifikojë kandidatin që gëzon mbështetjen e shumicës së Kuvendit dhe që mund të marrë miratimin në Kuvend. Kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend mund t’i paraprijnë konsultës me Presidentin e Republikës me takime eksploruese mids tyre, me qëllim që të lehtësojnë përafrimin drejt kandidaturave të përbashkëta.
6. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend.
7. Në rast se kandidati i emëruar nuk miratohet në raundin e parë të votimit, atëherë Presidenti i Republikës rinis konsultën me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë së dytë me numrin më të madh të vendeve në Kuvend.
8. Në rast se kandidati i emëruar në raundin e dytë nuk miratohet, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin e zgjedhur nga Kuvendi, ose shpërndan Kuvendin, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë vetë Kryeministrin e ri.
9. Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në pikat 5, 6 dhe 7 të këtij neni, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi. Në këtë rast zbatohen gjegjësisht procedurat që rregullorja parashikon për zgjedhjen e Kryeministrit me mocion mosbesimi.
10. Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin pasues të Kryeministrit, brenda 10 ditëve nga zgjedhja, atëherë Kryeministri i zgjedhur i paraqet Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Kryeministri, zëvendeskryeministri dhe ministrat e miratuar sipas kësaj pike bëjnë betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim
Lajmi kryesor: