Ligjvënësit e Miçiganit pas takimit me Trump: Nuk kemi informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve

Ligjvënësit e Miçiganit pas takimit me Trump: Nuk kemi informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve

Foto ilustruese

Udhëheqësit kryesorë republikanë të legjislaturës së shtetit Miçigan thanë pas një takimi me Presidentin Donald Trump të premten se ata nuk kishin ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet, ku demokrati Joe Biden mundi republikanin Trump.

"Ne ende nuk jemi vënë në dijeni për ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në Miçigan dhe, si udhëheqës legjislativë, do të ndjekim ligjin dhe procesin normal në lidhje me elektorët e Miçiganit," thanë në një deklaratë të përbashkët udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit të Miçiganit Mike Shirkey dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Lee Chatfield.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany tha më parë se takimi i Presidentit Donald Trump me ligjvënësit nga shteti i Miçiganit nuk do të ishte për t’u treguar atyre si të veprojnë dhe se aty nuk do të merrnin pjesë zyrtarë të fushatës.

Presidenti Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit e legjislaturës së Miçiganit ndërsa fushata e tij vazhdon të sfidojë fitoren e zotit Joe Biden, bazuar në akuza të paprovuara për mashtrim të votuesve.

Pas dështimit me disa sfida në gjykatë për të minuar fitoren e zotit Biden duke vënë në dyshim ligjshmërinë e votave të numëruara, presidenti dhe këshilltarët e tij ligjorë po lidhen drejtpërdrejt me udhëheqësit legjislativë republikanë të shtetit, për të parë nëse ata janë të gatshëm të ndërmarrin hapa për të ndryshuar vullnetin e votuesve.

Takimi duket se ishte pjesë e fushatës së pazakontë pas-zgjedhore të Presidentit Trump për të bllokuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Biden në Miçigan dhe në shtetet e tjera fushë-betejë, me synim përmbysjen e rezultateve zgjedhore në mbarë vendin.

Zoti Biden, e fitoi Miçiganin me 154,000 vota më shumë. Por ky shtet ende nuk i ka çertifikuar rezultatet, ndërsa zoti Trump dhe aleatët e tij vazhdojnë të përpiqen të bindin gjyqtarët dhe ligjvënësit e shtetit për të mos përfillur votën popullore, por që elektorët të zgjidhen nga legjislatura e shtetit, ku republikanët kanë shumicën.

Takimi u planifikua pasi Presidenti Trump ndërmori hapin e pazakontë për t’u telefonuar personalisht dy zyrtarëve zgjedhorë të qarkut Uejn të Miçiganit në fillim të kësaj jave, të cilët ranë dakord të çertifikonin rezultatet. Por zyrtarët thanë se më vonë ata shfaqën dëshirën për ta rishikuar vendimin e tyre pasi kishin folur me Presidentin Trump.

Zoti Trump shkoi më tej, duke i ftuar dy ligjvënësit republikanë të Miçiganit në Shtëpinë e Bardhë për bisedime, ndërkohë që zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve përgatiten të konfirmojnë zotin Biden si fitues.

Qarku Uejn, i cili përfshin Detroitin, është më i populluari në Miçigan dhe ku u votua me shumicë për zotin Biden.

Të premten, kur udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit në Miçigan, Mike Shirkey, po nisej nga Detroiti për në Uashington, ai u përball me një numër aktivistësh që mbanin pankarta me fjalët: "Respektoni Votën" dhe "Mbroni Demokracinë".

Në fillim të kësaj jave, zoti Shirkey tha se Biden është presidenti i zgjedhur. Ai tha se asnjë përpjekje për t'ia dhënë votat elektorale të Miçiganit Presidentit Trump “nuk do të ndodhë", sipas portalit të lajmeve “Bridge Michigan”.

Përpjekje të Presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve

Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij po ndërmarrin hapa gjithnjë e më të dëshpëruara për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, përfshirë thirrjen e legjislatorëve të shtetit të Miçiganit në Shtëpinë e Bardhë si pjesë e një përpjekjeje me pak gjasa për sukses për të përmbysur fitoren e Joe Bidenit.

Ndër taktikat e përdorura së fundmi: thirrjet telefonike personale të presidentit me zyrtarët lokalë të zgjedhjeve që po përpiqen të anulojnë çertifikimin e zgjedhjeve në Miçigan, përpjekjet e një sfide ligjore që Pensilvania të mos respektojë votën popullore dhe presioni ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në Arizona për të vonuar çertifikimin e votave.

Ekspertët e ligjit zgjedhor i shohin këto si përpjekjet e fundit të dëshpëruara, nga ekipi i fushatës së presidentit Trump dhe thonë se është e sigurt që zoti Biden do të hyjë në Zyrën Ovale në janar. Por ekziston një shqetësim i madh se përpjekja e zotit Trump po i bën dëm të konsiderueshëm besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve amerikane.

Senatori i shtetit Jutah, Mitt Romney, një nga kritikët më të zëshëm të presidentit Trump nga radhët e partisë republikane, akuzoi zotin Trump për përdorimin e "presionit të hapur ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë për të rrëzuar vullnetin e popullit dhe për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve". / VOA

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Molla e dijes: 21/11/2020 10:00

    DREJTËSIA Në ç'kohë jetuam e po jetojmë, si nuk pamë asnjëherë drejtësi, na mashtruan e na mashtrojnë, politikanët e vjetër dhe soj i ri. Zhvatën sa deshën këta makutë, pa pikë turpi e plot babëzi, veç gënjeshtra, dënim një mut, drejtësia e shpresuar një utopi! E kanë fajin njerëzit apo sistemi? Sorrollatje në këtë rreth vicioz, rëndësi ka kush do jetë ''mbreti'', ky sharlatan kaq ambicioz. Faji gjithmonë ngelet jetim, shpresa tashmë nuk ka vlerë, deshëm lirinë demokracinë, morrëm thjesht një mut mender! Komunizmi na la bujqësinë, demokracia na la veç një pras, nga diktatura në diktaturë, prodhuam vetëm shokë Taras. Sytë i patëm ne nga Europa, por ajo na doli kurvë plakë, ngelëm 30 vite në tranzicion, përpara s'bëmë asnjë hap. Shpresa na ngeli te Amerika, kjo lidere botërore e demokracive, që tërë kohës na përmend peshqit, por mbështet diktatorët e partive. E vërteta vonon por nuk harron, demokracia amerikane një fasadë, zgjedhjet e fundit një dalje boje, teori manipulimi, o sa gallatë! Ndërkombëtarët na i varën shpresat, te struktura e re e quajtur SPAK, që ashtu si OFL, është fiasko e madhe, peshqit e mëdhenj s'guxon t'i kapë. E ç'të bëjmë në këtë xhungël? Kemi tërë kohës në semafor, mirë pa punë edhe të varfër, por nuk kemi as ujë 24 orë! Popullin e vodhën dhe e lodhën, ia nxorrën jashtë qumështin e nënës, parajsa demokratike porsi ferr, duket sikur po vete në të s'ëmës!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!