Për Flotën Luftarake Detare Shqiptare u bë shumë keq dhe ishte e padëshirueshme, sepse ne humbëm një flotë që po rritej dhe po forcohej nga dita në ditë, që as ëndërrimtari dhe optimisti më i madh nuk e kishte menduar dhe përfytyruar ndonjëherë. E lamë, na iku nga duart. Humbëm bashkë me Flotën, përfundimisht mbështetjen me të gjitha furnizimet për: karburante, vaj-lubrifikantë, armatimet, pjesët e ndërrimeve, bazat e riparimit, ushqimet, veshmbathjen, shkëmbimin e eksperiencës e shumë e shumë të tjera.
Por përse ndodhi kjo, që Partia e Punës dhe qeveria shqiptare e lejuan largimin, dhanë viston “OK” dhe pranuan largimin e anijeve luftarake (nëndetëset) dhe anijet e tjera, bazën “Kotelnikov“, anijen e shtabit dhe gjitha anijet e tjera ndihmëse pranë bazës së Raguzës dhe radën e saj, të cilat shumë shpejt do të bëheshin tonat?
Në analizën që i bëj kësaj ngjarjeje unë arrij në përfundimin se aty pleksen dy probleme të mëdha: problemi politik dhe ai ekonomik.
POLITIKE
E para: Në politikë mund të hynin në një konflikt me Bashkimin Sovjetik, i cili kishte filluar të bëhej arrogant dhe kërcënues, veti këto që i kishte shfaqur hapur dhe i kishte vënë në jetë në vitin 1955 në Republikën Demokratike Hungareze, me ndërhyrjen brutale me forcë ushtarake, ku u përfshinë tanket dhe trupat e armatosura për të shtypur lëvizjen për liri dhe demokraci të turmave të pa armatosura, të cilat i vranë dhe i burgosën. Aty nuk kishte asnjë pretekst për ta bërë këtë në një shtet të lirë dhe të pavarur.
Pozicioni ynë ishte i lidhur me mjetet luftarake të Flotës me ekuipazhet sovjetike. Kjo ishte një kartë e fortë që duhej vlerësuar nga ne, për mos t’u dhënë sovjetikëve një pretekst më shumë. Prandaj shumë drejt u mor vendimi për të lejuar largimin e anijeve dhe për një arsye tjetër: vendi ynë ishte i izoluar gjeografikisht nga miqtë dhe aleatët tanë të Azisë. Dhe në radhë të parë të Republikës Popullore të Kinës. Me fqinjët tanë të tre vendeve ishim me marrëdhënie diplomatike të kufizuara, si dhe me disa marrëveshje ekonomike të kufizuara. Pra ishim, si i thoshim ne në ato vite, si në “Gojën e Ujkut”.
Mikja jonë Kina ishte jo vetëm larg, por ajo sa kishte mbushur 10 vite të ekzistencës së saj dhe kishte hallet dhe problemet e veta. RP e Kinës moralisht dhe ekonomikisht na ndihmoi me të gjitha mungesat që ne paraqitnim.
E dyta: Mbajtja e anijeve të bazës së Roguzës dhe radës së saj do na kushtonte shumë dhe do të sillnin perkursione të ndërlikuara, që mund të çonin deri në ndërhyrjet e armatosura, mbasi marrëveshjet e firmosura, nr.39, datë 3 mars 1959, e kishin parashikuar se kalimi i nëndetëseve dhe mjeteve të tjera luftarake lundruese do të fillonin nga viti 1961 dhe do të përfundonin më 1965 dorëzimin e tyre palës shqiptare, mbasi ne të kompletonim kuadrin drejtues navigator, silurës, artiljer, minjor, dhe personelin e nevojshëm inxhiniero-teknik, për studime, i cili ishte në Bashkimin Sovjetik.
Pra, këto ishin problemet politike që ne i dimë shumë mirë dhe duhej t’i kishim parasysh në vendimet tona.
EKONOMIKE
Sasia e madhe e nëndetëseve 12 copë, baza lundruese 2 copë, anije të tjera luftarake dragamina të mëdha dhe të vogla 8 copë, gjuajtës detarë 6 copë, katera silurues dhe dhjetëra anije të tjera të mëdha dhe të vogla, nuk mund të përballoheshin dhe ne t’i mbanim ato në gatishmëri të plotë luftarake.
E para: Nuk dispononim kuadrin e nevojshëm të përgatitur drejtues, navigator dhe inxhinier-teknik, të cilët do të mbaronin shkollat dhe do të ktheheshin në atdhe gjatë viteve 1961-1965, dhe kjo në rast se do të vazhdonim marrëdhëniet me sovjetikët.
E dyta: Më kryesorja, dhe ajo që ishte përcaktuese që u mor ky vendim që të liheshin të lira me ekuipazhet sovjetike ishte se: Kjo armatë e stërmadhe anijesh do të kërkonte furnizime të paimagjinueshme për mbetjen gjallë të tyre, për karburante, vaj lubrifikant, pjesë ndërrimi, armatime, ushqim, veshmbathje, pa përmendur dokun dhe riparimin e tyre.
Të gjitha këto kërkonin fonde kolosale në valutë dhe lekë, që, dhe po t’i kishim këto të holla, nuk do mund të gjenim tregje furnizimi për këto anije sovjetike.
E treta: Kjo ishte një kockë shumë e fortë, e stërfartë, “Titan”, për dhëmballët e njoma, të brishta, të cilat do të copëtoheshin dhe goja do të mbetej hapur. Ekonomikisht, kjo do t’i kërkonte shtetit tonë të varfër sasi të mëdha fondesh, që nuk do të ishte në gjendje t’i përballonte. Prandaj vendimi ishte i drejtë, i pakontestueshëm, i pa kritikueshëm dhe shumë mirë i gjetur, i matur, i argumentuar dhe i bazuar. Ky vendim tregon për vlerat ushtarake dhe ekonomike që ai mbartte. Në të kundërt, çdo vendim tjetër do të ishte një aventurë, i cili do të mbartte një rrezik të madh në vetvete.
Përse ikën sovjetikët nga VloraIkja nga Baza Detare e Vlorës ishte një marrëzi e sovjetikëve pasi për të punuan shumë paraardhësit e tyre, admiralë, gjeneralë, specialistë etj.
Largimi ishte një aventurë allahrushroviane. Me këtë lëvizje, duke u larguar dhe duke e lëshuar Bazën Detare të Vlorës, ata, sovjetikët, humbën një bazë të fuqishme dhe të mbrojtur mirë, duke i thënë kështu ”Lamtumirë” detit Mesdhe, të cilin e kishin aq qejf dhe pranë.
Lëvizja dhe ikja nga Baza Detare e Vlorës ishte një akt i turpshëm për qeverinë sovjetike, pavarësisht nga arsyet dhe justifikimet që nxjerrin për këtë akt.
Në të njëjtën kohë, ishte një fitore dhe lajm i gëzuar për forcat e NATO-s. Në mënyrë të veçantë, ky largim ishte një fitore dhe një qetësim për fqinjët tanë Italinë dhe Greqinë, të cilët bazën e Vlorës e konsideronin si një kërcënim të drejtpërsëdrejtë si pjesëtarë të NATO-s që ishin.
Kjo bazë i detyronte këta dy shtete të mbanin në gatishmëri të përhershme forca të mëdha detare, ajrore dhe tokësore, sidomos bregdetare. Shpesh herë kam menduar për këtë vendim, për të gjetur arsyet që sovjetikët e hodhën këtë hap të parët. Ngase u nisën ata, cilat ishin rrethanat që i detyruan për të bërë këtë veprim?
Në analizën komplekse që unë i bëj kësaj ngjarjeje në atë periudhë të viteve 1960-1961, nuk rezulton as një rrethanë apo zhvillim politik apo ushtarak të ketë vend. Përfundimet e mia janë këto:
E para: Mund të kenë pasur ndonjë marrëveshje të mirëfilltë midis dy fuqive të mëdha, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të lënë të lirë pellgun e detit Mesdhe, duke lënë të lirë sovjetikët Bazën Detare të Vlorës dhe amerikanët të largojnë nga Mesdheu Flotën e tyre të Gjashtë.
Në këtë periudhë, ashtu siç rezulton sot rreth Bashkimit Sovjetik, NATO ka pasur rreth 300 baza ajrore, që rrethonin kufijtë e shtetit sovjetik me avionë te fuqishëm gjujtës- bombardues. Në krahët e tyre mbanin predha me mbushje bërthamore dhe veç këtyre bazave dhe dhjetëra qendra lëshimi me raketë balistike me mbajtje bërthamore në gatishmëri të përhershme.
E dyta: Në mesin e viteve 1960 Bashkimi Sovjetik, me propozim të Hrushrovit, mori iniciativën për një çarmatim të përgjithshëm dhe të menjëhershëm, të cilin unë jam munduar të zbërthej në këtë studim.
Me këtë hap, duke e lënë Bazën e Vlorës, donte të vërtetonte se ai propozimet e tij nuk i kishte për efekt propagandistik, por i kishte seriozisht dhe bëri tërheqjen e Bashkimit Sovjetik nga Mesdheu, në mënyrë të njëanshme, ashtu siç e bëri.
E treta: Nikita Hrushrovi kishte kohë që me Enver Hoxhën nuk po gjente gjuhën e përbashkët, dhe jo vetëm kaq, por as mund të çante Byronë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila ishte e fortë rreth Enver Hoxhës.
Siç tregojnë dhe këto pak dokumente që unë kam menduar të paraqes, E. Hoxha dhe N. Hrushrovi uleshin, bisedonin, pranonin, grindeshin, putheshin, përqafoheshin, shtrëngoheshin fort me të dyja duart. Por lëshonin pe aq sa duhej dhe prapë në të tyren, kush më shumë e kush më pak, kush me argument e dikush pa atë.
Kështu N. Hrushrovi pa që së fundi E. Hoxha nuk ia pranoi propozimin, në marsin e vitit 1961, për kalimin e Bazës së Vlorës në duart e sovjetikëve, propozim që u refuzua dhe më vonë në variantin e dytë, që kjo Bazë, aty për aty, të kalonte në dispozicion të Traktatit të Varshavës, propozim që ishte po i njëjtë, “Jo hiç, po abili”.
Me të drejtë dhe në mënyrë dinjitoze të dy këto variante nuk u pranuan dhe u hodhën poshtë nga pala shqiptare. Si rezultat pra edhe i këtij qëndrimi, N. Hrushrov mori vendim të tërhiqet nga Baza Detare e Vlorës. Duke tërhequr anijet, përfshi dhe 8 nëndetëset, bazën lundruese ”Kotelnikov” dhe anijet e tjera të përqendruara në bazën e Raguzës, me efektivat sovjetikë me të gjitha këto anije. Me këtë rast Hrushrovi me një gur vriste dy zogj, duke u thënë amerikanëve dhe NATO-s ja si veproj unë, pra jam për bashkëpunim e çarmatim dhe për paqe. Ndërsa Enver Hoxha le të thyente kokën me Shqipërinë dhe shqiptarët. Për këtë ai deklaroi se ju “do të shitemi për 30 aspra”. Kjo profeci e Nikita Hrushovit, me gjithë dëshirën e madhe të tij, nuk u realizua dhe Shqipëria qëndroi e pavarur.
E katërta: Kushtet që po kalonte Bashkimi Sovjetik, sidomos në fushën ekonomike, nuk qenë të mira në realizimin e planeve të tij, duke mos arritur objektivat e planifikuar dhe të përcaktuar në planet 5-vjeçare në Kongresin e fundit XXI. Mbajtja e kësaj Baze, me morinë e madhe të nëndetëseve, bazave lundruese, anijeve të tjera të shtabit të riparimeve të anijeve shpëtuese etj. etj., si dhe pikave të raketave e të artilerisë bregdetare dhe kundërajrore, pra mbajtja e të gjitha këtyre, larg Bashkimit Sovjetik, do të rëndonte shumë mbi buxhetin, edhe kështu të cunguar te tij.
E pesta: Pa kaluar as një vit e pak, sovjetikët, mbas lënies së Bazës Detare të Vlorës, më 1962 u detyruan ta linin dhe të hiqnin raketat balistike nga ishujt e Karaibeve, si pasojë e presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këmbënguljes së presidentit të asaj kohe Xhon Kenedi. Ky veprim i nxituar dhe i pamenduar mirë nga sovjetikët ishte një shuplakë dhe turp për sovjetikët.
Pavarësisht se dhe amerikanët hoqën edhe ata nga territori i Republikës së Turqisë bazat dhe raketat balistike pranë kufirit me BRSS-në, por, sikundër analizohet sot, ngjarja e Kubës ka qenë pika më e zjarrtë e acarimit, e cila konsiderohet si pragu i Luftës së Tretë Botërore. Por siç shihet, shtetet e mëdha dhe të fuqishme dinë të lozin mirë shah, të dalin nga ceit-notit dhe ta përfundojnë mirë ndeshjen.
Kohët e fundit të vitit 2010, në një transmetim televiziv të programit të parë të drejtuar nga Andrei Mallahov, me temën ”Le të Flasim”, promovohet libri “Gratë e Kremlinit”, ku përfshiheshin Nadjezhda Krupskaja, bashkëshorte e Leninit; Nadjezhda Allulejeva e shoqja e Stalinit, Larisa e shoqja e Gorbaçovit, si dhe dhjetëra gra të tjera të anëtarëve të bazës politike, ku ishin ftuar fëmijët, nipërit dhe mbesat e deri te stërnipërit e tyre.
Midis tyre dhe djali i Mikojanit, të cilit iu bë një pyetje nga drejtuesi: “Përse Mikojani nuk mori pjesë në varrimin e nënës tënde?” Përgjigjja ishte: “Sepse babai, Mikojani, kishte shkuar në një mision shumë të rëndësishëm në Kubë, te Fidel Kastro”, për ta qetësuar atë, sepse Fideli ishte indinjuar shumë për veprimet e Hrushrovit, që bisedimet me Kenedin për tërheqjen e raketave nga Kuba ishin bërë pa e pyetur dhe pa e vënë në dijeni Fidelin.
Mikojani, pas shumë përpjekjesh mundi ta qetësoje dhe ta zbusë Fidelin. Kjo ishte arsyeja e mungesës së Mikojanit në varrimin e së shoqes.
(Në foto: Letër e nënkryetarit të të qeverisë së Bashkimit Sovjetik A.Gromyko dërguar Këshillit të Ministrave të Shqipërisë ku i kërkojnë të gjithë anijet e bazës detare të Vlorës)
Fill mbas largimit të sovjetikëve nga Baza Detare e Vlorës, Enver Hoxha në ditarët e tij do të shkruante: ”Shpëtoi Vlora nga katastrofa që e priste”. Lind pyetja: Kur kjo dihej, që marrëveshja që lidhëm me sovjetikët ishte me rreziqe dhe me pasoja, përse u lejua të bëhej? Përse nuk u ndal? Çfarë pengonte, kush ishin ata që e imponuan? Ishte i pa detyruar, përse i thoni tani?
Likujdimi i bazës së Pasha-Limanit Ja prapaskenat me palën sovjetike
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)