Bisedimit Shqiptaro Sovjetike për Bazën detare të Vlorës
Komisioni sovjetik për Bazën Detare të Vlorës
Në mbështetje të kërkesës së qeverisë shqiptare, që kërkonte krijimin e komisionit dypalësh për Bazën Detare, qeveria sovjetike përgjigjet pozitivisht dhe më datën 17 maj 1961 njofton Ministrinë e Jashtme Shqiptare se në Tiranë do të vijë zv.ministri i Punëve të Jashtme të BRSS-së, Firjubini, me një komision prej 10 vetësh, për t’u takuar dhe për të zhvilluar bisedimet rreth Bazës Detare të Vlorës, që sovjetiket kanë vendosur ta likuidojnë.
Sovjetikët nuk lajmëruan kohën se kur do të vijë Komisioni, por papritur më datën 18 maj, një ditë pas njoftimit, lajmëruan se komisioni vjen sot në Tiranë. Në të njëjtën kohë dorëzohet edhe një notë në përgjigje të notës sonë, duke akuzuar partinë si përgjegjëse për heqjen e Bazës së Vlorës.
Këtë notë nuk e gjeta. Në përbërjen e delegacionit sovjetik janë edhe dy ushtarakë të lartë, gjeneral armate Antonov zv. i parë i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike; dhe i dyti admirali i Flotës, Kasatonov, komandant i Flotës së Detit të Zi.
Më 19 maj sovjetikët bllokojnë atasheun ushtarak mos të dalë nga Ambasada dhe e njoftojnë të largohet nga Bashkimi Sovjetik si person nongrata, brenda 24 orëve.
E njëjta masë, pas protestës së bërë nga pala jonë, si kundërpërgjigje, u mor për atasheun ushtarak sovjetik në Tiranë, kolonelin Rura.
Firjubini takimin e parë e mori me zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Halim Budon, të cilin e falënderoi për pritjen dhe kushtet e mira të krijuara, duke i lënë të kuptojë se jemi gati të fillojmë nga bisedimet.
Halim Budo njofton për atë çfarë ka ndodhur me atasheun ushtarak tonin në Moskë. Firjubini përgjigjet se nuk mendon të ketë ndodhur kështu.
Të nesërmen Firjubini takon ministrin e Punëve të Jashtme, Behar Shtyllën, ku i bëri një deklaratë nga ana e qeverisë sovjetike se asnjë pengesë nuk do t’u bëhet oficerëve dhe kursantëve për t’u kthyer në atdhe.
Bisedimet vazhduan për disa ditë, por pa rezultat. Secila palë qëndronte në pozicionet e veta, duke argumentuar se në gjykimin e çështjeve kanë të drejtë dhe asnjëra nga palët nuk lëvizi nga pozicionet e saj.
Një ditë, kur bisedimet kishin ngecur dhe nuk po lëviznin, dhe kur Kasatonovi ndodhej në bazën e Raguzës, te komanda e Brigadës 40 të nëndetëseve, mbas një bisede me ministrin e Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, u njoftuan që, me porosi të Enver Hoxhës, të shkonin dhe t’i bënin një vizitë admiralit. Aty të mundoheshin të merrni ndonjë informacion prej tij.
K/admiral Hitua, vazhdon Zeqiriu, thirri këshilltarin e tij, k/admiralin Kulik, dhe e njoftoi se kemi shumë dëshirë t’i bëjmë një vizitë admiralit Kasatonov, ju lutemi na njoftoni kur mund të na presin.
Për çudinë tonë, pa kaluar as një gjysmë ore, Kuliku na njofton se admirali na pret. Morëm katerin, hipëm dhe Hitua i thotë Abdiut që po na përcillte që lidhjet me Tiranën mbaji ti.
Pritja na u bë ceremoniale, me roje nderi, ku na priti vetë Kasatonovi në hyrje të sallonit shumë të bukur dhe madhështor. Përshtypje na bëri kjo anije e stërmadhe dhe e ndërtuar me gusto. I thashë Zeqiriut se ajo anije është ndërtuar në Finlandë, unë atë e kam vizituar dy herë me kapitenin e rangut të parë, këshilltarin tim. Dhe Zeqiri i tha se po, kështu është, kjo është anije e shtabit të bazës së Pashalimanit.
Na ulën në një tavolinë të rrumbullakët dhe si fillim u pyetëm për kohën, për punën, në mënyrë që të hynim në temë për çfarë kishim shkuar. Ata, aty për aty, na shtruan tavolinën me vodkën dhe mezet ruse, ku çukitëm dhe gotat. Pas mbarimit të bisedës, nuk morëm ndonjë përgjigje konkrete, por mundëm të kuptojmë se së shpejti do të ndodhte, dhe largimi do të ishte i shpejtë.
Ardhja e parë e Kasatonovit, si anëtar i komisionit qeveritar për Bazën e Vlorës, kundëradmiralit Zeqiri Mero i kujtohet shumë mirë. Se Kasatonovin e pritëm me roje nderi nga udhëheqja e lartë e Flotës Luftarake Detare.
Më në fund, ata na përcollën si miq, si shokë, përfundon Zeqiriu.
Mbas këtij takimi dhe përshtypjeve të marra nga ky takim, menjëherë sa mbërritëm në komandë u njoftua udhëheqja e lartë.
...Me k/admiral Zeqiriun u njoha që kur ai u emërua komisar i Flotës, në gusht të vitit 1960. Ishte njeri shumë i qetë, me një arsyetim dhe me një logjikë shumë të fortë, i vëmendshëm, rrinte pranë kuadrove dhe ndihmonte në zgjidhjen jo vetëm të problemeve të punës, por edhe të atyre familjare. Më vonë, me largimin e sovjetikëve banonim bashkë në një pallat dhe jo vetëm kaq, por edhe në të njëjtën shkallë. Shpesh dilnim nga zyrat së bashku, ktheheshim aty pranë në bufe dhe hidhnim nga një gotë raki. Dhe u njohëm me njëri-tjetrin jo vetëm ne, por edhe gratë dhe fëmijët, që ishin afërsisht moshatarë. Edhe sot takohemi shpesh për kafe dhe për të kujtuar të kaluarën tonë...
Kështu, pa kaluar as 2-3 ditë, pasi pala jonë njoftoi sovjetikët se ne jemi dakord, të lëmë të lira anijet luftarake nga Baza e Vlorës që t’i marrin sovjetikët. Në fytyrat e ushtarakëve të lartë, Antonovit dhe Kasatonovit, u vu re një gëzim i brendshëm dhe një kënaqësi në fytyrat e tyre për këtë arritje. Mbas këtij njoftimi, delegacioni sovjetik kërkoi një pushim dhe, mbasi u tërhoqën, kryetari i delegacionit deklaroi se pala sovjetike ishte dakord dhe e pranojnë propozimin tonë, në të cilin ne bëmë njoftimin për lejimin e largimit nga Baza Detare e Vlorës të: 8 nëndetëseve, bazës lundruese “Kotelnikov” dhe anijeve të tjera të shtabit ndihmues, anijen shpëtuese, ofiçinën lundruese, të gjitha ato që ndodheshin në bazën e Raguzës dhe radën e saj. Sovjetikët njoftuan se do të largoheshin nga Baza Detare më datë 26.05.1961 ora 08.00 për në Bashkimin Sovjetik.
Pala jonë, për nder të delegacionit sovjetik, dhe për arritjen e kësaj marrëveshjeje, shtroi një drekë lamtumire, e cila kaloi mirë dhe bukur, si i thonë një fjale: “Të gjithë të kënaqur dhe të gjithë të gëzuar, që këto bisedime përfunduan me mirëkuptim”.
Nga pala jonë, komisionit sovjetik iu kërkua, Firjubinit, se kur do të largoheshin nga baza lundruese “Tomorri” efektivat e mbetur sovjetikë të nëndetëseve që janë aty. Firjubini u përgjigj se ai nuk ka udhëzim për këtë çështje nga qeveria sovjetike.
Më datë 28 maj Firjubini shkon në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare dhe njofton se delegacioni sovjetik sot do të largohet për në Moskë.
Kështu përfundon misioni i delegacionit sovjetik, i kryesuar nga zv.ministri i parë i Jashtëm sovjetik në Tiranë, për anijet luftarake dhe ndihmëse të Bazës Detare të Vlorës, në mirëkuptim të plotë nga të dyja palët.
(Në foto: Faksimile e një dokumenti rus që tregon fi llimin e evakuimit të bazës së Pashalimanit)
Largimi i anijeve sovjetike nga Baza Detare e Vlorës
Ashtu si u deklarua nga komisioni sovjetik, anijet luftarake sovjetike dhe ato ndihmëse të brigadës 40, në bazën e Raguzës dhe Radës pranë saj, do të largohen më 26 maj 1961, fiks në orën 08.00 të mëngjesit, me një kohë të bukur dhe një det të qetë. Baza lundruese “Kotelnikov”, kjo kështjellë detare dhe mbas saj, me radhë të teta nëndetëset, si dhe anijet e tjera ndihmëse, që disa prej tyre ishin dhe ato shumë të mëdha, ngritën spirancat, duke u vendosur për një në forvater njëra pas tjetrës, filluan të dalin nga Gjiri i Vlorës.
Vlen të theksohet se ashtu si e kërkojnë rregullat dhe normat ndërkombëtare, për nder të largimit të tyre, në anijet tona, në Bazën e Pashalimanit, në nëndetëse, në bazën lundruese “Tomorri” dhe anijet e tjera, sipas urdhrit të k/admiralit Abdi Mati, që kishte dhënë porosi, u ngritën flamurët e zbukurimit për përcjelljen e anijeve sovjetike. Ashtu si u pritën, po ashtu u përcollën me nderime nga ne. Me këtë gjest ne treguam dinjitetin tonë, për atë kohë që qëndruam dhe punuam së bashku për 4 vjet.
Kortezhi i vendosur në forvater një nga një filluan të dalin nga ujërat tona territoriale dhe kur anija e tyre e fundit la ujërat tona territoriale dhe hyri dhe ajo në ujërat ndërkombëtare, nga baza “Kotelnikov” u dha me radio transmetuese, hapur, sinjali trifjalësh “Vishlli-bllago-polluçno”, që do të thoshte “dolëm shëndosh e mirë”.
Me këtë frazë sovjetikët treguan një druajtje, një farë frike që edhe më parë e kishin shfaqur në bisedat me oficerët dhe me detarët tanë, se mos i sulmonim, mos bënim ndonjë marrëzi, si njerëz gjaknxehtë dhe kokëfortë që na quanin. Shkurt, mos bënim ndonjë veprim të çmendur.
Ata nuk e dinin dhe s’kishin nga ta dinin, se Enver Hoxha e kishte thënë “taksative”, se nuk duhet të derdhet asnjë pikë gjak sovjetiku në Bazën Detare të Vlorës, të cilën e kishte përsëritur disa herë. Kjo porosi kishte shkuar deri te detari i fundit, që të gjithë ishin ndërgjegjësuar.
-Që në prishjen, çarjen e parë, ne kishim instaluar në komandën e Flotës, që nga fundi i vitit 1960, një radiomarrës në valët e sovjetikëve, i cili e kapi këtë sinjal të dhënë nga baza lundruese “Kotelnikov”.
Me këtë sinjal përfundoi odisea ruse në Bazën Detare të Vlorës dhe në Mesdhe. Jam i bindur se, si kuadri i lartë, ashtu dhe ai i ulët sovjetik, largimin nga Baza Detare e Vlorës e kanë përjetuar me dhimbje.
Jo vetëm për çka u investua, por mbi të gjitha shkuan dëm ato përpjekje dhjetëvjeçare derisa u arritën marrëveshjet për këtë Bazë.
Kjo bazë ka një pozicion strategjik për daljen në Mesdhe, me një pozicion mbrojtës natyror të klasit të parë. Por ushtarët janë ushtarë dhe ata, në kundërshtim me pikëpamjet e tyre, zbatojnë urdhrat e eprorëve, pa fjalë, gatitu, dhe me fjalën si urdhëron. Dhe jo vetëm kaq, se urdhri është urdhër dhe befeli-befel, por dhe punojnë pas kësaj, me përkushtim për ta zbatuar atë më së miri.
Është shumë e goditur fraza e shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare në gojën e komandantit sovjetik në filmin “Ballë për ballë”. “Admiral, do bredhim si çifutë në shkretëtirë po ikëm nga Vlora”. Ata e humbën, e lanë, e qanë, e braktisën këtë kështjellë të fuqishme, që vuri në lëvizje Flotën e Gjashte Amerikane dhe u bë tmerri i fqinjëve tanë, Italisë dhe Greqisë.
Nuk vonoi dhe këshilltari sovjetik, pranë komandantit të Flotës Shqiptare, admirali Kulik, shkon në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare dhe dorëzon një notë, ku thuhet se marinarët sovjetikë do të tërhiqen nga Baza Detare e Vlorës dhe të gjitha ato që ndodhen atje, dhe vazhdon me provokime se ne u kemi mbajtur katër nëndetëse dhe bazën lundruese.
- Më 4 qershor, në orën 11:04 minuta, këtë orë e kam fiksuar, se kam qenë aty i pranishëm në bankinë, nënoficeri i fundit sovjetik Miçmani hipi në motoskaf dhe motoskafi u largua për në radë, ku ndodhej anija “Çiaturi”, që në bordin e saj ishin dhe disa familje të sovjetikëve të Bazës.
Ndërsa Jani Nano me aparatin dhe kamerën e tij filmonte këtë ngjarje historike. Mbas pak futet në bazën lundruese “Tomorri”, ku bëri dhe aty filmime të pamjeve të brendshme të fjetinave dhe kajutave ku banonin sovjetikët.
Duhet thënë se përveç filmave, gazetave, revistave dhe ndonjë lecke apo ndonjë rregullore, që ishin mbi dysheme, asgjë tjetër nuk ishte dëmtuar në fjetinat dhe kajutat, me përjashtim të ndonjë depoje uji (baçoku) që dikush nga sovjetikët, nga marazi apo nga urrejtja, e kishte shpuar me thikë.
Mbas pak në bankinë vjen ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, i shoqëruar nga komanda e Flotës. Mbasi na përshëndeti, iu drejtua Janit dhe e pyeti a e filmove. Si urdhëron, përgjigjet Jani. Ai u përshëndet me ne dhe me të gjithë shoqëruesit dhe u nis për në Vlorë. Sovjetikët, mbasi hipën në anijen “Çiaturi”, që qëndronte në radën e Raguzës numër 2, me mbërritjen e marinsave të fundit, anija ngriti spirancën dhe filloi lundrimin për të dalë nga gjiri i Vlorës dhe më tuje për në Sevastopol.
Siç shihet, përfundimisht u prish kjo “martesë” në kulmin e respektit, dashurisë dhe mirëkuptimit reciprok midis dhëndrit dhe nuses, aq shumë të dashuruar dhe të bashkuar me njëri-tjetrin, që po punonin me përkushtim për të ngritur këtë “çerdhe” të përbashkët, të cilët e kishin ëndërruar prej vitesh me durim dhe kënaqësi.
Por një njeri kapriçioz, ndërsa ishte kulmi i lumturisë që po i jepnin njëri-tjetrit, ato çka tani ju i dini, jep një urdhër të çmendur për të dyja palët, që kjo mblesëri të prishet dhe, pa një pa dy, ajo u prish, u shkatërrua, u përmbys shumë keq.
Ky ishte një turp për sovjetikët, për udhëheqjen dhe qeverinë e Bashkimit Sovjetik, ishte një disfatë politike dhe aq më keq ushtarake.
-Theksoj se në historiografinë detare dhe ushtarake sovjetike, të cilat unë i disponoj, si me blerjet në shtëpinë e librave, kur kam qenë në Rusi, dhe nga disa materiale të tjera të siguruara nga shokët dhe miqtë e mi, për Bazën Detare të Vlorës dhe në mënyrë të veçantë për largimin, flitet shumë pak dhe për të mos thënë aspak. Vetëm si për një ngjarje kalimtare, pa konkluzione dhe pa mbështetje marrëveshjesh të kësaj natyre.
Kështu, në një material rus që unë disponoj, kjo përshkruhet:
“Në pranverën e vitit 1961 filloi evakuimi i pikës së bazimit të anijeve luftarake. Por në maj në 1961 kryqëzori sovjetik, i dërguar për të bërë shoqërimin dhe mbulimin e anijeve, me në krye komandantin e Flotës së Detit të Zi, nuk u lejua të futet në gjirin e Vlorës dhe admirali Kasatonov u detyrua të kalojë me anijen transport “Zollotoi Rog”, briri i artë.
Si rezultat, në verën e vitit 1961, pika e parë e bazimit në detin Mesdhe u la sipas marrëveshjes sovjetike-shqiptare.
Në Vlorë u lanë 4 nëndetëse dhe baza lundruese “Nemçinov” dhe infrastruktura bregdetare.
Kështu përfundoi faqja shqiptare, nga përshkrimet e Flotës Luftarake Detare dhjetor 1961.
Shqipëria prishi marrëdhëniet diplomatike me BRSS-në dhe ato u rivendosën në mesin e viteve 1990.
Por kjo në asnjë mënyrë nuk u reflektua në përmirësimin e lidhjeve midis flotave shqiptare dhe Rusisë së sotme.”
Përkthimi është i imi - po jap dhe faksimilen në gjuhën ruse.
Sic shihet, asnjë sqarim për marrëveshjet e nënshkruara, asnjë vërejtje pse u larguan etj. Dhe prishjen e marrëdhënieve diplomatike ata vetë ia dedikojnë gabimisht dhe me qëllim Shqipërisë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)