Liljana Hoxha: Fotot me
Berishën i nxorri Nexhmija

Liljana Hoxha: Fotot me <br />Berishën i nxorri Nexhmija
Liljana Hoxha, nusja e djalit te diktatorit, Enver Hoxha në një intervistë për gazetarin Alfred Peza, në TV 'Vizion Plus' ka shprehur dyshimet e saj mbi vdekjet e diktatorit Hoxha, Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos si dhe akuzon Nexhmije Hoxhën se e ka shtyrë atë drejt vetëvrasjes. Në lidhje me fotot me kryeministrin Sali Berisha, nusja e dytë e familjes Hoxha deklaroi se i nxorrën në media Nexhmije dhe Teuta Hoxha. Me poshte lexoni intervisten e plote te Liljana Hoxhes.

Më shumti unë ju kam thirrur për librin tuaj që është fryt i një punë të jashtëzakonshme 10-vjeçare dhe si një nikoqire e mirë, si ajo nikoqire që i shpërndahen fëmijët, nipërit dhe mbesat nëpër botë, për shkak të zhvillimeve dhe hapjes së Shqipërisë. Dhe vjen një ditë si kjo dhe i mbledh në një tryezë, i bën një gosti shumë të mirë. Kjo gosti e ka titullin "Pushtimi i brendshëm". Atëherë zonja Hoxha pse ky titull?

Sinqerisht unë e ndjej veten të varfër të flas me fjalë pasi kam bërë aq punë. Atë punë e kam qëndisur, kam menduar çdo fjalë që kam shkruar dhe është e zorshme që unë me pak fjalë të përmbledh atë që kam dashur të them me një vepër të tërë. Po, megjithatë, kuintesenca është kjo: Diktatura me egër se Staliniste është thënë, Enver Hoxha më i keq se Stalini etj,. Nuk është problemi i raportit tim personal, çfarë mendoj unë, çfarë ndjesish humane që domodoshmërisht mund t'i kem, por është bindja që kam që komunizmi me gjithë të metat e tij duke degraduar në sistem totalitarist, nuk mund të ishte kaq i egër sa ishte ky tek ne. Ishte i tillë për aryse se Shqipëria historikisht ka qenë e rrezikuar kafshatë për t'u kapërcyer, midis Serbisë edhe Jugosllavisë, pavarësisht nga presionet e tjera të jashtme, të kamufluara ose jo. Kështu që, kjo gjë që mbetet çështje objektive historike s'ka pse gjatë komunizmit të sfumohet dhe të harrohet nën fasadën e sistemit komunist, nën atë Kushtetutë sado gjakatare që të jetë ajo me gjithë problemet që do të sillte si rrjedhim luftën e klasave, izolimin, varfërinë etj., me radhë. Këto gjëra s'i kishte për qëllim, por ashtu ndodhi. Pse ndodhi? Se kishte diçka më të thellë që ne akoma s'duam ta shohim dhe nuk duam ta shohim me qëllim.

Cila është?
Agjentura. Rrejti agjenturor që kishte mbërthyer Shqipërinë përpara po se po, por fjala është pas çlirimit meqenëse se Shqipëria duhej të ishte një vend socialist si gjithë lindja dhe nuk duhet të ishte e pavarur, por duhet të ishte në tutelën jugosllave, siç edhe u pa, siç dukej ndihmesë internacionaliste në fillim dhe është pranuar normalisht prej Jaltes, por në fakt ka qenë një tutelë shoviniste dhe me qëllim për ta bërë dhe Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë.

Ky është pushtimi i brendshëm, kjo është domethënia e titullit?
Kjo është domethënia e titullit: Agjentura. Agjentura është një rrjet i shpërndarë në mënyrë të tillë, maskuar qoftë edhe nëpërmjet Sigurimit që ishte një institucion shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e shtetit, nuk fajësoi të gjithë institucionin, por segmente të posaçëm të tij kanë qenë thjesht agjent në shërbim të interesave antikombëtare. Njerez si keta kanë kapur majat e pushtetit, kanë qenë në byro, kanë arritur deri tek Enver Hoxha, kanë qenë në ish-nomenklaturë siç duket dhe siç është akoma, dhe kanë përfshirë edhe vetë Elitën.

Ky pushtim i brendshëm vazhdon sipas jush edhe pas vitit 1990?
Për mua vazhdon sepse mjafton edhe vetem si krahasim. Ishte sistem stalinist komunizmi në Shqipëri, ishte më i egër se të gjitha diktaturat evropiane, e vende komuniste të lindjes? Atëherë është shumë e thjeshtë të thuash: Eshtë tranzicion stalinist ky? Pasi është tranzicioni më i egër në të gjithë vendet e ish- lindjes.

Në 1972 ka qenë goditja e parë e Enver Hoxhës nga sëmundja dhe më pas kanë ardhur dhe godijet e tjera. Këtu fillon, pas 1972, nga goditja e parë në zemër të infarktit të miokardit, ka filluar edhe ajo që ju e quani pastaj përpjekja e Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë për ta izoluar Enver Hoxhën. Ndërkohë Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu ishin treshja e pushtetit, në fakt dhe jo akoma Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha që fituan terren më vonë. Por, prapë nga libri kuptohet një gjë, që të tre kanë vdekur në mënyrë të dyshimtë: Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Vazhdoni t'i qëndroni kësaj dhe a është më e qartë sot për ju se ka diçka që ka funksionuar?
Absolutisht që i qëndroj kësaj, madje unë nuk kam dashur ta përfshij më gjerë, që pikëpyetja ime e parë që kam bërë si qytetare është që kur kam njohur Sokolin. Para se të njihja Sokolin unë isha një vajzë e dalluar, vajzë populli, por isha vajzë e dalluar në Tiranë, isha në tabelë nderi në Tiranë nga nxënësit më të dalluar, isha e vetmja konkuruese (atëherë kishte forma të ndryshme emulacioni, por më e mira dilte) , do të isha miku i vogël i librit që e re, do të isha komandante "çete" (e gjithë nxënësve të shkollës) duke qenë më e vogël se të mëdhenjtë e shkollës, më zgjidhnin, ma varnin këtë këmborë. Unë bëja programet dhe as dilja t'i lexoja, vija të tjerë t'i lexonin. Kam qenë e interesuar të bëhej puna dhe jo të dukem unë, isha shumë e ndrojtur, isha shumë timide. Por, si duket, mendoja, organizoja, edhe këtë aftësi mbase ma kishin kuptuar mësuesit e mi. Në këtë sens dua të them se unë isha shumë e dalluar dhe shumë e përkëdhelur nga shoqëria, jo se desha të përkëdhelesha, por se ndihesha që isha e realizuar në atë kohë. Ajo isha unë dhe pikë, unë ashtu e njihja veten që do të isha gjithmonë më e mira, paçka që kjo nuk ishte ambicje por mënyrë të qëni. Sapo kam njohur Sokolin jam luftuar për të mos qenë vajzë e rregullt, për të mos qenë vajzë e shkëlqyer, por e përlyer. Ndërkaq që çdo njeri në popull që merrte vesh që unë isha e vluara e Sokolit më donte , nuk më donte vetëm ish-konjuktura, fillimisht familja Kapo nuk më donte duke qenë shoqe e ngushtë e Nexhmijes. Këtë ia kam thënë edhe Nexhmijes që pse s'më duan. Është fjala për ato pikëpyetje që mund t'i bëjë njeriu vetes se çfarë ndodh këtu, çfarë ndodh këtu kur Enver Hoxha më do, unë jam nuse e Enverit, ndërkaq urrehem, luftohem dhe gjithçka në dinjitet. Se mua nuk më mungonte gjë dhe nëse njeriu paragjykon se çfarë kam unë që qahem kur i kam pasur të gjitha të mirat dhe ka jetuar mirë siç ka ndodhur nga ndonjë gazetare mediokre sepse ia urdhëron dhëndri i Beqir Ballukut, nuk është faji im. Bëra një parantezë këtu se më duhet ta bëja. Por, fjala është se kjo gjë sa vinte edhe më rrethonte. Madje, mund të mos jetë vendi, mund të jetë e tepërt, mund të mos ketë lidhje librin, por sa ishte Mehmet Shehu, në mënyrë të çuditshme edhe ai më ka mbrojtur siç më donte Enver Hoxha. Mehmet Shehu s'kishte lidhje me mua, nuk ishte ai që më luftonte, mund të më ketë luftuar familja e tij, fëmijët, të cilët ishin shumë inteligjentë e ambiciozë e mund të më shikonin me një sy rivalitetit. Por Mehmet Shehu vetë nuk më ka luftuar, siç më ka luftuar Vito Kapo, Hysni Kapo, Ramiz Alia dhe kështu me radhë. Kështu që, jo vetëm që i qëndroi asaj, por i mëshoj shumë.
Ajo që kuptohet është se shumë herët që pas 1972, Nexhmije Hoxha afrohet me Ramiz Alinë, ndërkohë që në fakt trekëndëshi i pushtetit në Shqipëri ishin Enver, Mehmeti dhe Hysniu, që ishin gjallë, por që më pas, siç thoni ju, vdiqën në rrethana të paktën nga pikëpamja shëndetësore dhe mjekësore të dyshimta. Në atë kohë filloi forcimi i lidhjes së Nexhmije Hoxhës me Ramiz Alinë, gjë që pastaj kulmon në 1985 kur ai merr pushtetin dhe më pas edhe pas vitit 1990.

Ç'është kjo gjë kaq e veçantë që e lidh Ramiz Alinë ose më mirë Nexhmije Hoxhën me Ramiz Alinë edhe përkundër burrit të vet, pavarësisht se shëndeti i tij, edhe për shkak të moshës, ishte në rënie?
Mosha 77-vjeç kur ai vdiq nuk është ndonjë moshë shumë e madhe se vetë Nexhmija sot është 91-vjeç. Por thotë që Enveri ishte i disiplinuar, vuante nga diabeti, por rrojti gjatë, kur ka 20 e disa vjet që Nexhmija është e ve'. Nuk është normale që të thuhet nga një grua. Megjithatë kalojmë në çështjen që ju shtruat. Nuk ishte që filloi avash-avash të afrohet Nexhmija me Ramizin, ai ishte plan, ata ishin të afruar që gjatë luftës Nacional-Clirimtare.

Më herët se kaq?
Sigurisht.

Kur ka filluar?
Që me fejesën e Ilirit me Teutën (Nusja e djalit të madh të Enver është mbesa e Ramiz Alisë), kjo ka qenë një dhënie në tabaka, paçka që ai mbase s'kishte pse të mos e pranonte urdhërin se edhe ajo ishte vajzë e bukur, por nuk ishte ajo e zgjedhura e tij. Të mos futem në hollësira, ishte tjetër e zgjedhura e tij, ishte vajza e Ramiz Alisë (Zana) të cilën nuk mund ta merrte se Enver Hoxha i kishte ndaluar martesat e tilla.

Pra dashuria e vërtetë e Ilir Hoxhës ka qenë vajza e Ramiz Alisë?
Po, sigurisht. Kështu që, që atëherë këto gjëra kanë qenë të parashikuara dhe gradualisht vijnë ato humbet fatkeqe. Cilido të ketë qenë Hysniu, cilido që të ketë Mehmeti, se nuk i përjashtoj si agjent apo me aktivitete të shërbimeve të huaja, nuk i përjashtoj, e theksoj madje që janë të tillë. Por ama, vdekja e tyre ka qenë e dyshimtë. Që vdekja e tyre të jetë e dyshimtë, domethënë që sido që të jenë këta, këta duhet të ikin që të vinte Ramizi, se të vinte Ramizi kishte ardhur Nexhmija dhe vazhdonte pushteti, vazhdonte dinastia, të vazhdonte Iliri, e të tjera.

Por në fakt Nexhmija në pushtet ishte se kishte bashkëshortin...
Ajo në pushtet ishte, por nuk ishte në pushtet megjithatë. Para vitit 1972 Nexhmija para Enverit bënte rolin e gruas të nënshtruar gati-gati shtëpiake, një grua pa pretendime, bënte një rol të dyfishtë, ishte bajraktare jashtë Enverit dhe në popull. Me izolimin e Enver Hoxhës për shkak të shëndetit, natyrisht ajo s'ka dalë hapur, por ka luajtur rolin e saj përmes informacionit që jepte. Informacioni ka qenë i kanalizuar përmes saj. Dora e fundit që çonte informacionin tek Enveri ishte Nexhmije Hoxha.

Një prej tyre, që nuk e përmendëm, është një letër që Kadri Azbiu para se të pushkatohej ka dërguar dhe nuk gjendet akoma...
Ramiz Alia nuk ishte vetëm, punonte me Kadri Azbiun, i cili është i deklaruar në shumë drejtime, i padiskutueshëm që ka qenë në shërbim të UDB-së, mbase dhe të KBG-së, por e UDB-së, e sigurt. Por, nuk është vetëm kjo, cilido që do të ketë qenë roli i Ramiz Alisë dhe për mua ka qenë rol krucial në vdekjen e Mehmet Shehut, ka shumë rëndësi se si sillet Ramiz Alia në këto 20 vjet. Ai vazhdon të mashtrojë në cilindo drejtim, siç mashtroi, nuk pranoi as për kryengritjen e armatosur. Ai thotë është e çuditshme, është absurde, është ëndërr, është fantazi që ne të mund të mbështesnim një kryengritje të armatosur dhe të tjera me radhë në Kosovë. Në çdo gjë ai do të mbajë një qëndrim të till të gënjeshtërt, paçka se më vonë mund ta pranojë kur i duhet, kur i vjen ngushtë dhe kur e shikon që gjithçka godet në kurriz të tij. Kështu ndodh edhe me figurën e Mehmet Shehut. Ashtu siç e trajtoj unë dhe jo vetëm unë, trajtohet edhe nga të tjerë. Fokusi se kush mund të ketë qenë shkaktari që ka nxitur vrasjen qoftë edhe vetëvrasjen e Mehmet Shehut, edhe nëse është vetëvrarë,- gjë që unë e dyshoj- është vetëvrarë nën presion, le të jemi tolerant në të dy rastet, është analizë historike, por nuk është studim shkencor. Pikërisht atëherë kur ai e ndjen që gjithçka bie mbi të, me akuzat që i bëj unë, me goditjen fjalë pas fjalë që ai thoshte, për çdo intervistë që ai ka dalë, ai detyrohet të thotë një ditë të bukur që nuk paska besuar asnjëherë që Mehmet Shehu të ketë qenë agjent. Kjo ishte një ngushëllim shumë i madh për shkrimtarin, djalin e Mehmet Shehut, Bashkimin, i cili e përshëndet më kot, se si mund të përshëndet një njeri i tillë që të ka syrgjynosur babanë, e ka detyruar të vetëvritet, të ka burgosur dhe të tjera me radhë. Se në fund të fundit vdiq Enveri pse s'e nxorri Ramiz Alia, Bashkimin menjëherë nga burgu, kur ai zëvendësoi Enverin në të gjitha funksionet, madje edhe në Presidencë, çka Enveri s'e kishte pranuar? Kështu që, kundrejt kësaj përgjigje të fundit të Ramiz Alisë unë kam një dokument tjetër, nuk e di se sa ju intereson që në vitin 1989 Ramiz Alia nëpërmjet sekretarit të tij, Vask Çifligut, i drejtohet shoqes Nexhmije, - pra dalin dy personat që kanë katranosur Shqipërinë nga 1972 deri sot njëri me autoritetin institucional dhe tjetri me pushtet gri. "Shoqe Nexhmije Hoxha, me porosi të shokut Ramiz Alia ju dërgoj fotokopjen e një faksimileje të marrë nga revista angleze "Sunday Telegraph", ku ndër të tjera shkruhet dhe për armikun e partisë e të popullit, poliagjintetin Mehmet Shehu". Këtu jep hollësira që në artikull ndër të tjera shkruhet se "Mehmet Shehu ka qenë i lidhur edhe me CIA-n, ndër udhëheqësit që ka marrë këshilla nga kuadrat e CIA-s, të seksionit të veçantë, janë edhe Mehmet Shehu, kryeministri i parë i Shqipërisë së pas luftës dhe Sukarno i Indonezisë. Asnjë njeri nuk e përfundoi karrierën e vet siç do të kish dëshiruar". Pra që të dy janë vrarë.

- Kjo ishte dëshmia...
Dëshmia është që Ramiz Alia në 1989 i dërgon akoma Nexhmijes që shiko se kemi prova përsëri për Mehmet Shehun. Atëherë tabloja sinoptike e Enver Hoxhës ka qenë e saktë dhe përpos kësaj unë mund të them që Enver Hoxha, (këtë e them për herë të parë), ka pasur dijeni që ai ishte i KGB-së dhe jo vetëm dijeni, por ka qenë detyrë e tij të jetë agjent i KGB-së, në funksion të ruajtës së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Por E.Hoxha nuk e ka ditur që ka qenë me CIA-n në vitet e fundit.

- Është i saktë Fevziu për këtë gjë që kur thotë se trupi është gjendur në tokë?
Kjo është e saktë se unë jam interesuar dhe trupin e Enver Hoxhës e kanë gjetur tre veta. E ka gjetur Isuf Kalo, e ka gjetur në mos gaboj Ylli Popa dhe infermieri i tij personal, Fahri Bufi, njeriu më pozitiv nga këta të tre.

- Për sa kohë ka qenë Enveri në tokë pa ndihmën e kurrkujt?
Kjo është një tjetër çështje pastaj, një çështje që hap një tjetër diskutim më të hollë akoma se tamam në mëngjezin e asaj nate, kur Enver Hoxha gjendet në shesh, në datën 9, Sokoli dhe unë ishim dërguar në Vlorë. Në mbasditen e e datës 8 të po asaj nate kemi ndenjur me Enverin siç po rrimë tani bashkë. Nuk fliste, ishte në karrige me rrota, por i shkëlqenin sytë, kishte një çere të mirë dhe në atë kohë, në Vlorë kishin qenë dy çiftet e tjera, se ata rrinin bashkë, kurse me ne nuk flisnin, se ne ishim delja e zezë e familjes. Atë natë do të vinin ata do të ktheheshin nga Vlora dhe Nexhmije Hoxha në sytë e Enver Hoxhës thotë që shkoni ju në Vlorë një natë të çlodheni.Se ne rrinim, vigjilonim, vuanim në mënyrën tonë pranë Enverit. Vërtetë ashtu bëmë meqenëse atë ditë na u duk babai shumë mirë dhe në mëngjes ikëm. Cuditërisht edhe sot mjeku i tij, një mjek tjetër, Ahmet Kamberi, në gazetën Shqip , ka dhënë me faksimile kardiogramin e fundit, me goditje elektrike, kriza kishte ardhur, zemra kishte pushuar. Në orën 9 e 30 të mëngjesit, në datën 9 prill, mëngjes kur ne të dy nisemi në Vlorë dhe nuk na ndalon njëri që të thotë se shiko babai është sëmurë, që ka pasur goditje madje që i ka pushuar zëmra. Vemi në Vlorë, kalojmë datën 9 dhe kërkohemi në të gdhirë të datës 10.

- Pra ju dyshoni për një përshpejtim të vdekjes...
Nuk kam të drejtë ta them, për të menduar mund të mendoj çfarë të dua. Por që na kanë hequr dhe të mos na kenë nëpër këmbë në këto momente, kjo është e sigurt. Se nuk na ndali N.Hoxha e as Isuf Kalo, i cili atëherë ishte në mënyrë speciale miku jonë, pasi këtë e kishte detyrë që të ishte miku ynë i brendshëm dhe jo vetëm mjek, posaçërisht i Liljanës dhe i Sokolit. Madje na kish premtuar se unë do të them kur Enveri të jetë afër atij momenti meqenëse unë kisha një vit që vuaja nga ankthi se si është tani, e se si është pastaj.

- Zonja Hoxha, kohët e fundit janë botuar edhe dy fotografi, këtu keni dalë ju me Sali Berishën... Në foto jeni ju, Sokoli, Sali Berisha...
Dua të them se kanë gjithçka. Kohët e fundit Sokoli i është drejtuar drejtuesve të atij televizioni që paçka se luftojnë Sali Berishën dhe është punë e tyre, le të bëjmë oponencë, çka janë për t'u vlerësuar, por është dhe një abuzim i tejkaluar edhe ne kohë , ndaj nesh, ndaj duhet të ndalen me metoda të tilla të ulta të luftës brënda llojit.

- Në fakt kush i ka nxjerrë këto fotografi, ju i keni pasur?
Këto i ka nxjerrë Nexhmije Hoxha dhe Teuta që është Nexhmija numër 2, e kam deklaruar unë se e ka deklaruar më parë vetë N.Hoxha.

-Pra nuk kanë dalë nga ju, se duken sikur janë fotografitë tuaja?
Jo, absolutisht. Ajo është loja sikur ka dalë nga ne, por s'mund të dalë nga ne se ne nuk luftojmë kështu. Fjala luftë është e ashpër, unë nuk luftoj, unë përballem dhe nuk do të ishte kjo metoda, kjo është metodë e ulët. Unë s'kam nevojë të përballem me kryeministrin e Shqipërisë, në qoftë se është nevoja, me fotografi që kanë kuptimin e presionit. Unë kam botuar ndonjë fotografi me Ismail Kadare, po ai na ka ngacmuar personalisht, ka qenë revanshist, ka qenë me pozita fashiste ndaj nesh , kur na ka pasur miq si zoti kryeministër , dikur miku jonë, por ama ka pasur dinjitetin e tij që të mos përzihet. Gjërat janë të ndara. Mori atë pozicion.

- Kush është e vërteta e miqësie suaj, sa vjet miqësi keni pasur në atë kohë me zoti Berishën, mjek shumë i njohur në Tiranë?
Nuk mund ta shquaj me vite, s'e mbaj mend me vite, e kam pasur bashkëpunëtor të nderuar të revistës "Shkenca dhe Jeta", e kam vlerësuar shumë në atë kohë, e kam vlerësuar për energjinë, vendosmërinë, erudicionin e tij dhe kaq.

- Ju në atë kohë ishit kryeredaktore e revistës "Shkenca dhe Jeta"?
Po.

- Dhe zoti Berisha shkruante atëherë artikujt shkencorë?
Po, ishte bashkëpunëtor shumë i mirë, shumë i denjë, kompetent, kaq.

- Dhe kjo ka qenë...
Po, ka qenë një marrëdhënie intelektuale. Unë e vlerësoja, realisht e vlerësoja.

- Kjo miqësi që thatë disa vjet, që s'e mbani mend të saktë tani...
Po se jo për Sali Berishën, por për asnjë njeri nuk mund ta mbaj mend me vite. Di që ishte një ngë miqtë tanë.

- Nëse ju do të kishit qëllim për të nxjerrë do të nxirrnit shumë më tepër...
Kam shumë respekt për gruan e tij, zonjën Liri Berisha, e kam njohur dhe me gjithë pozicionet e saj ajo mbetet ajo grua po aq dinjitoze, po aq serioze, s'ka pikë vaniteti në atë grua nëse do ta quanin për një moment gruan e parë pavarësisht se gruaja e parë është gruaja e Presidentit Por për për jetëgjatësinë e saj në pushtet, ajo mbetet ajo grua që kam njohur atëherë, një pediatre e përkushtuar dhe punën ndaj misionit të saj për fëmijët, më duket që e bën me shpirt e horizont.

- Ajo që po thosha ishte, për shkak të kësaj miqësie nëse do të donit të ndiqnit këtë rrugë për ta sulmuar kryeministrin do të mund të kishit foto të tjera apo gjëra të tjera që mund të nxirrnit...
Në vitet 1990, menjëherë pas pluralizmit me parlamentin e parë kur kryetar ka qenë Skënder Gjinushi, PS nëpërmjet elementëve të caktuar kishte fotografi të Sali Berishës në shtëpinë tonë, në ditëlindjen tonë dhe donin ta emetonin atë. Atë ja kisha dhënë unë për kuriozitet një miku. Kur kam marrë vesh se kanë dashur ta emetojnë e kam kundërshtuar, s'e kam lejuar dhe i kam thënë që këto s'janë metodat e mia, nuk të lejoj ta emetosh. Siç nuk do të desha të kishte dalë kjo që ka dalë nga forca të tjera të cilat mbajnë çdo gjë nën dorë, si e si ta vënë kundërshtarin në pozitë të vështirë, siç do të më kishin vënë mua në pozitë të vështirë po të kisha ngecur diku. Por s'kam ngecur dhe s'kanë çfarë bëjnë dhe u ngelet kjo foto për të më luftuar edhe mua përveç Sali Berishës.
(jd/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë