Limaj në paraburgim, Krasniqi:
Vendimi, masakër e drejtësisë

Limaj në paraburgim, Krasniqi: <br />Vendimi, masakër e drejtësisë
Është vendim i padrejtë dhe i motivuar politikisht. Kështu është shprehur në një deklaratë për RTK kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, lidhur me mbajtjen në paraburgim të ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj.

Duke folur me tone edhe më të rënda, Krasniqi e ka cilësuar këtë vendim si “masakër e drejtësisë”.

REAGIMI I QEVERISE SE KOSOVES

Qeveria e Kosovës ka reaguar gjithashtu lidhur me vendimin për paraburgimin e ish-ushtarakut të UÇK-së, Fatmir Limaj.

"Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur vazhdimisht institucionet e drejtësisë sipas standardeve të Bashkimit Evropian, edhe në këtë rast që respekton procedurat ligjore, organet e drejtësisë dhe të drejtat e njeriut. Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon që proceset që kanë ndikim në opinion publik dhe të kaluarën e luftës sonë për liri, të jenë trasparente përballë institucioneve vendore dhe opinionit publik", thuhet në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit.

"Veprimet e 'befasishme' dhe pa një njoftim dhe koordinim me institucionet e Kosovës cenojnë bashkëpunimin. Qeveria e Republikës së Kosovës beson në luftën e drejtë të UÇK-së që është bërë sipas normave ndërkombëtare", thuhet më tej në komunikatën e Qeverisë.

EULEX: VENDIM GJYQESOR, JO POLITIK
Lidhur me këto akuza zyrtarë të EULEX-it, përmes një përgjigje me shkrim për RTK-në, janë shprehur se për rastin “Kleçka” ku sipas tyre implikohet ish-ushtaraku Limaj në krime lufte në Kosovë, vendimi nuk është ndikuar as nga politika dhe as nga kushdo tjetër.
“Absolutisht jo. Ky ishte një vendim gjyqësor dhe siç kemi theksuar më parë, gjyqtarët dhe prokurorët janë plotësisht të pavarur në veprimet e tyre ndjekëse dhe gjykimet e bazuara në ligj. Ata veprojnë në parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe gjyqësori nuk është i ndikuar nga ndonjë aktor politik lokal apo ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it, -raporton Radio Televizioni i Kosovës.

Sipas zyrtarëve të EULEX-it, vendimi është ndikuar nga dëshmitë e reja të dhëna tashmë që rasti “Kleçka” u kthye në rigjykim. Sipas EULEX-it, “tani që dëshmitë e dëshmitarit X janë marrë si të pranueshme, gjykata konsideron rrezikun e ndikimit të të pandehurve në prova si dhe rrezikun që ata të largohen.”, - bën të ditur media kosovare RTK.

AVOKATET: DO APELOJME VENDIMIN
Ndërkaq, avokatët mbrojtës të Fatmir Limaj do të apellojnë sot vendimin, pasi sipas tyre rrezikon pavarësinë e gjyqësorit dhe vetë sigurinë e qytetarëve. Avokatët mbrojtës lidhin arrestimin e Limajt me vizitën e shefit të EULEX-it në Beograd. “Vizita e shefit të EULEX-it, Xavier de Marnac, në Beograd, si dhe reagimet e zyrtarëve të Beogradit, në veçanti e kryeministrit Daçic ndaj vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, te ne nxjerr në pah prapë gjahun e shtrigave të EULEX-it ndaj ushtarëve të UÇK-së”, thonë ata.

Fatmir Limaj ndodhet në burgun e Lipjanit së bashku me një tjetër të arrestuar ndërsa dy të arrestuarit e tjerë ndodhen në burgun e Dubravës. Me Fatmir Limajn u arrestuan më 25 nëntor edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi.Ata do të vuajnë masën e paraburgimit deri më 24 dhjetor, vendim i marrë nga Trupi Gjykues, pas kërkesës së prokurorit italian.

Shkalla e parë kishte vendosur pafajësinë e të gjithë të pandehurve në rastin “Kleçka” në marsin e këtij viti. Pas kthimit të rastit në rigjykim, procesi gjyqësor për këtë rast penal pritet të fillojë vitin e ardhshëm.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Po drejtonte trajlerin e ngarkuar me krom, humb jetën 37-vjeçari në Kalimash

Po drejtonte trajlerin e ngarkuar me krom, humb jetën 37-vjeçari në Kalimash