Fatmir Limaj ka dalë më optimist të premten nga Prokuroria Speciale se nuk do të ketë aktakuzë kundër tij. Pesë orë rresht është marrë në pyetje nga një prokuror i EULEX-i, nën dyshimin se është i përfshirë në katër vepra kriminale. Ka mohuar përfshirjen në to.

Madje, po beson se një provë që i ka rënë në dorë prokurorit special të EULEX-it, Johannes Picke, do të tregojë se ky rast i është montuar.
Zyrtarë nga Prokuroria, në kushte anonimiteti kanë thënë se prokurori ka folur për mesazhe telefonike të montuara në Policinë e Kosovës, duke inkriminuar Limajn në një transaksion në vlerë 500 mijë euro.

Por, sipas këtij burimi, në atë mesazh të dërguar në celularin e ish-shefit të kabinetit të tij, Endrit Shala, në kohë kur Limaj ishte ministër Transporti, është përmendur një shifër prej 5 mijë eurosh si donacion për Degën e PDK-së në Ferizaj. “SMS-i është montuar nga një hetues i Policisë së Kosovës”, ka thënë burimi.

Tërthorazi këtë e ka konfirmuar edhe avokati i Limajt, Tahir Rrecaj. Ai ka thënë se prokurori ka prezantuar një provë, e cila, sipas tij, është e favorshme për mbrojtjen nga e cila del se rasti kundër Fatmir Limajt është i montuar dhe i ka fillet shumë herët.
 Dje ne terren, hetues të EULEX-it kishin kërkuar prova kundër ish-ministrit të Transportit. Ata kishin prerë asfaltin në shumë rrugë të shtruar në kohën sa Limaj ishte ministër i Transportit dhe i Telekomunikacionit për të parë nëse është vjedhur asfalti apo është shtruar në kualitet të dobët.

Hetimet kundër ish-ministrit Fatmir Limaj, shefit të prokurimit Nexhat Krasniqi, zyrtarisht kanë filluar më 23 prill 2010.

/rg/shqiptarja.com/