LEZHË- Mirënjohja është ndjenja më e bukur dhe kur e gjen këtë te njerëzit në ditët e sotme, sigurisht është për t’u vlerësuar. Në spitalin e Lezhës ka ardhur në jetë një djalë që prindërit ia kanë vënë emrin Albi. Ai është sjellë në jetë nga një nënë 27-vjeçare, e cila e kishte lindjen e gjashtë, ndërkohë që gjendja e të dyve është e mirë.

Për këdo ky emër mund të jetë i zakonshëm, por historia që ajo mbart e bën të veçantë. Këtë emër do e mbajë një fëmijë afgan, që së bashkë me prindërit e tij erdhën nga Afganistani, pasi jeta e tyre rrezikohej nga regjimi i talebanëve. E në shenjë falënderimi e mirënjohjeje për vendin që i hapi dyert, atëherë kur më së shumti kishin nevojë, prindërit e pagëzuan me këtë emër kuptimplotë.

Kur Albi të rritet dhe ta pyesin shokët mbi kuptimin e emrit të tij, pa dyshim do ketë një histori për të treguar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:27
Lind fëmija i parë afgan në Lezhë, Rama: Mesazh domethënës i vazhdimësisë së jetës edhe në kohë të vështirë

Për ardhjen në jetë të fëmijës afganë në Lezhë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Në një postim në Facebook kreu i qeverisë shkruan se ardhja e tij është një mesazh domethënës i vazhdimësisë së jetës në kohë të vështira.

"Fëmija i parë afgan, i lindur në Shqipëri quhet Albi. Ardhja e tij në jetë pasi prindërit ndoqën lirinë nga toka e tyre drejt Shqipërisë, është një mesazh domethënës i vazhdimësisë së jetës edhe në kohë të vështira", shkruan Rama.