Gjatë fjalës së saj, Linda Rama nënvizoi faktin se dhuna është një fenomen që prek më shumë gratë sesa burrat, ndërsa pohoi se rreth 60% e grave të paktën një herë kanë qenë të dhunuara në jetën e tyre.
Bashkëshortja e kryeministrit nënvizoi faktin se ky fenomen është më i pranishëm në zonat urbane se sa në ato rurale. Ajo theksoi se shoqëria jonë sipas saj, është e pajisur me informacion por ka nevojë për më tepër sensiblizim.
Në këtë kontekst, Linda Rama bëri thirrje për një personel më të kualifikuar të institucioneve lokale dhe qendrore përballë këtij fenomeni, si dhe më tepër mbështetje financiare për organizatat e shoqërisë civile.
Gjithashtu, Linda Rama sugjeroi që pika e parë e kontaktit për të denoncuar dhunën duhet të jetë policia në vend të pushtetit lokal.
"Në Pukë, Tiranë, Elbasan, Kuçovë, Lushnje, organizatat për gratë vunë themelet e një qajse që u përhap edhe në 12 bashki të tjera falë kontributit të donatorëve. Dhuna në familje është produkt i një trashëgimie vite më parë. Dhuna në familje rëndom konsiderohet fenomen rural, por që paraqitet edhe në vendet urbane. Dy tregues kryesor të aktiviteteve të rrjetit janë gratë, institucionet. Ngritja dhe funksionimi i këtij sistemi është miratuar nga qeveria si pikë referimi. Të jetë policia në krye kundër dhunës në familje, pa cënuar punën e institucioneve. Sot 60% e grave kanë rënë pre e dhunës të paktën një herë në jetën e tyre. Perceptimi i përgjithshëm rezulton se publiku është më tepër i informuar se i sensibilizuar për dhunën ndaj grave. Sot janë 12 qendra për dhunën ndaj grave. Duhet thënë qartë dhe me zë të fortë që ky rrjet është në gjendje mbijetese me mungesë të qartë stafi dhe mbështetje. Kapacitetet e institucioneve lokale dhe qendrore kërkojnë staf të trajnuar për çështjet e dhunës me bazë gjinore. Programet e shoqërisë civile janë më të përgatitura për çështjet e dhunës, por ka mungesë fondesh për realizimin e tyre” u shpreh Linda Rama.
Tryeza për dhunën ndaj grave, 192 raste të përsëriture dhune vetëm për vitin 2014
Në Shqipëri dhuna në familje është shumë e përhapur, ajo është e rrënjosur nga tradita dhe zakone patriarkale që i kanë dhënë formë shoqërisë shqiptare. Rreth 60% e grave në Shqipëri kanë pësuar të paktën një herë t ë vetme dhunë në jetën e tyre. Ndërkohë që vetëm për vitin 2013, rreth 53.7% e grave kanë përjetuar dhunë. Shoqata e grave “Refleksione” ka prezantuar raportin vlerësues për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm për adresimin e dhunës ndaj grave. Të pranishëm në këtë tryeze ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadore si dhe përfaqësues të shoqatave në mbrojtje të grave.
Një tjetër problem i dalë në pah gjatë kësaj tryeze është edhe fakti se për vitin 2014 janë regjistruar 192 rate të përsëritura dhune, kjo si rezultat i tërheqjes së padisë në momentet e fundit nga e dhunuara ose si rezultat i vendimeve të buta të dhënë nga gjykata.
E pranishme në këtë aktivitet, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është ndalur në forcën që duhet të kenë gratë për të përballuar gjithçka, duke bërë një paralelizëm me rezistencën dhe përballimin me sukses të situatave nga 70 gra të Forcave të Armatosura 45 vite më parë.
Linda Rama: Më tepër angazhim dhe mbështetje nga bashkitë dhe institucionet përkatëse
Më tej, Linda Rama nënvizoi se problemi i dhunës është një problem që kërkon sensiblizim dhe zgjidhje, për të denoncuar çdo rast dhune dhe padrejtësie.
Sipas Linda Ramës, të gjitha rastet e dhunës duhet t'i përgjigjen detyrimeve ligjore, jo të mbeten të pandëshkuara. Për këtë ajo kërkoi më tepër angazhim të institucioneve lokale, ndërsa shtoi se pritet që me reformën territoriale edhe lufta ndaj këtij fenomeni të japë sinjale pozitive.
Po ashtu, Linda Rama u shpreh se duhet bërë më tepër përpjekje jo vetëm për njohur profilin e viktimave të dhunës me bazë gjinore, por edhe të agresorëve, siç është sanksionuar nga Kombet e Bashkuara
Kjo pasi sipas Linda Ramës, lufta ndaj këtij fenomeni, është më e rëndësishme se gjithçka në një shoqëri.
“Bashkitë duhet t’i përgjigjen detyrimit ligjor, në përfundim të këtij projekti, ligjet dhe rregullat janë më të forta. Janë ende shumë bashki që këtë ligj nuk e respektojnë por është reforma territoriale që e përmirëson këtë problem. Organizatat e shoqërisë publike janë më të përgatitura por nuk kanë fonde. Gratë dhe vajzat janë më sensitive por burrat dhe gratë janë indiferentë dhe të pandjeshëm. Qasja e OKB për të mos parë dhunën vetëm tek viktima, është një qasje e mirë pranuar për të gjithë shoqërinë. Ne sot dimë shumë për profilin e viktimave të dhunës, por dimë shumë pak për autorët e dhunës. Ne sot dimë shumë për shoqërinë urbane, por shumë pak për atë rurale. Vendet e rajonit e kanë njëlloj problemin e dhunës, pasi problemi i dhunës është më i rëndësishëm se gjithçka.” përfundoi Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)