Një emision i RAI Uno "Lena Verde" kushtuar Shqipërisë, e transmetuar në mesditën e së të dielës, tërhoqi mijëra shikues shqiptarë dhe italianë, të cilët kanë lënë mbresat e tyre online.

Në okeljon e vet dedikuar Shqipërisë, emisioni italian "Linea Verde" , që merret kryesisht me zhvillimet e zonave rurale dhe agroturizimit në Itali dhe vendet e Europës, shkruan: "Vija e gjelbërt" dedikuar Shqipërisë, një vend që po krijon një kureshtje e paimagjinueshme pak muaj me pare. Meritë duket se mund të jetë vizita e Papa Françeskut, i cili zgjodhi "Tokën e shqiponjave", si vendndodhjen e dialogut ndërfetar, ku nuk duken tendenca ekstremiste, por edhe ndofta rreth 20.000 sipërmarrës italianë, të cilët në 18 muajt e fundit kanë hapur aktivitete në Tiranë Vlora, Durrësi dhe në Shkodrën e këndshme, që flet edhe sot me krenari, dominimin e sundimit të vjetër venecian".

Një reportazh gati 60 minuta mbi Shqipërinë solli për shikuesit jo vetëm disa zona rurale, agroturizëm, por edhe tradita të vjetra, me interes për të huajt, që nuk e njohin ende vendin tonë. Emisioni përshkoi zona në Malësinë e Kelmendit, që dallon për dhitë dhe prodhimin e djathit "mishelin" mbi bazat traditës më të vjetër aty, lëngun e shegës, prodhimin e gështenjave, plantacione me sherebel, mjaft e blerë nga kompani të huaja farmaceutike, fabrikën e qumështit "Lufra", restorantin "Mrizi i Zanave" në Fishtë si një model suksesi i një emigranti shqiptar në Itali, tregun e Tapizes, qytetet e Tiranës, Shkodrës, etj.

Komentet e postuara tek kjo linjë flasin për kureshtjen që ngjalli emisioni.

Ndër to dallon mbresa e një studente të huaj nga Universiteti i Veronës, që shkruan mes të tjerave: "Kam dëgjuar për Shqipërinë dhjetë vjet më parë, kur njoha miken time të mirë shqiptare dhe pas disa premtimeve për një vizitë në Shqipëri në fund të kësaj vere vizitova më në fund në vendin e shqiponjave. Kam vizituar jugun e Shqipërisë dhe vendi që më ka mbetur në mendje ishte Kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo...Fakti që ne kemi vendosur të kthehemi vitin e ardhshëm për të vizituar malet e veriut. Shqipëria më bëri të jetoj ndjenja të kundërta. Përkufizimi im për Shqipërinë? Më pëlqen ta mendoj si një margaritar i mbyllur në një guaskë gjigande".

ATSH