Linja me Kosovën, OST anulon
tenderin, acarohen gjermanët

Linja me Kosovën, OST anulon <br />tenderin, acarohen gjermanët
TIRANE - Një skandal i ri i qeverisë shqiptare, jo vetëm që ka acaruar sërish marrëdhëniet e saj me Berlinin, asnjëherë të ngrohta, por ka hedhur edhe hije dyshimi mbi seriozitetin e përpjekjeve për të rritur bashkëpunimin ekonomik me Kosovën dhe për të zgjidhur krizën energjetike në vend.

ANKESA
Kompania Dalekovod nga Zagrebi, më datë 20 shkurt 2012, i ka dërguar një letër Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), ku shpreh shqetësimin se, pasi ishte njoftuar në nëntor të vitit të kaluar se ishte shpallur fituese e tenderit për ndërtimin e linjës së interkonieksionit Shqipëri-Kosovë, tre muaj e gjysmë pas kësaj nuk ishte hedhur asnjë hap tjetër për të avancuar me realizimin e projektit, sipas marrëveshjejve të OST dhe Operatorit të Kosovës (KOSTT) me fondin e bashkëpunimit qeveritar gjerman KfW. Në pritje të nënshkrimit të kontratës, kroatët njoftojnë se kanë marrë masa përkatëse përgatitore, në lidhje me aspektin financiar, alokimin dhe rezervimin e fondeve të konsiderueshme për aktivitete që lidhen me projektimin, prodhimin e ndërtimin. Këto na kanë kushtuar mjaft, si kompani, thekson në letrën e tij Luka Miliçiç, kryetar i Bordit të Menaxhimit.

SHQETËSIMI
Më 2 shkurt 2012, përfaqësuesit e qeverisë gjermane i janë drejtuar me një tjetër letër kryeministrit Sali Berisha, si dhe ministrave të Financave dhe Energjetikës, Bode e Naço. Ata theksojnë se tenderi për linjën Shqipëri-Kosovë është zhvilluar në përputhje me procedurat e rëna dakord paraprakisht nga të dyja palët. Janë operatorët e transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës ata, që merren me të gjithë procedurat e tenderimit, por KfW monitoron këtë proces nga afër me cilësinë e financuesit, sipas marrëveshjeve të nënshkruara që në vitin 2009. Gjatë prokurimit, kur u diskutuan kriteret për përzgjedhjen dhe dokumentat që do të kërkoheshin, të dy agjencitë e të dy vendeve kanë sugjeruar që 70% e pikëve do t'i jepeshin ofertës teknike dhe 30% e pikëve asaj financiare, pasi projekti nga pikëpamja teknike është tepër i ndërlikuar dhe përfshin dy vendem të cilat nuk kanë të njejtat zona kontrolli, por që do të unifikoheshin në një zonë të vetme gjatë projektit. Vlerësimi teknik u miratua më 22 gusht 2011 dhe ai financiar më 20 shtator të po atij viti. Ndryshimi në ofertat financiare midis kompanisë së parë dhe të dytës ishte evident, por ne konstatuam gjithashtu epërsinë teknike të kompanisë që doli në vend të parë ndaj së dytës. Sipas përvojës sonë, një performancë e shkëlqyer teknike shmang vonesat apo kostot shtesë që nuk mund të mbulohen më pas nga financuesi. Duke e krahasuar edhe me projekte të ngjashme në mbarë botën, në raste kur linjat janë ndërkufitare, kostoja, ndonëse më e lartë se oferta e dytë, ishte normale. Për të gjitha këto arsye, ne dhamë OK tonë pavarësisht nga diferenca në ofertën financiare, theksojnë drejtuesit e KfW.

Ligji shqiptar mbi prokurimet publike nuk lejon të ndryshohen kriteret pasi është fituar një garë dhe një gjë të tillë nuk e pranojnë edhe rregullat e KfW-së. Neni 55.2 përcakton se kriteret duhet të shpallen para se të zhvillohet prokurimi dhe agjencitë kanë qenë të lira të vendosin vetë kriteret që kanë quajtur më të arsyeshme. Sipas gjykimit tonë, nuk mund të merret mbrapsht rezultati tashmë i shpallur, përfundon letra e KfW-së për zyrtarët më të lartë qeveritarë shqiptarë.
Marja mbrapsht e vendimit nga ana e OST-së do të sjellë pasoja të pakëndshme dhe humbje të reputacionit të këtij subjekti, theksojnë edhe konsulentët ndërkombëtarë të procesit, në një tjetër letër. Linja është në interes të përbashkët edhe të Kosovës dhe ju kërkojmë që të konsultoheni edhe me KOSTT për këtë çështje, theksojnë ata.

(gk/im/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Spektakël nga Xherdan Shaqiri, shënon tre gola dhe i jep kreun Baselit në limite

VIDEO/ Spektakël nga Xherdan Shaqiri, shënon tre gola dhe i jep kreun Baselit në limite