Lino Privitera, mjeshtri i kërcimit
workshop në Shkollën e Baletit

Lino Privitera, mjeshtri i kërcimit<br />workshop në Shkollën e Baletit
Kërcimi është kombinim perfekt i lëvizjeve, i thirrjes së brendshme të shpirtit, i tingujve harmonikë e të padëgjuar, i ndjenjës që rrjedh natyrshëm me gjakun e zemrës dhe që i jep impulse të papara asaj, duke e bërë të rrahë fort e të mbetet përherë e re”. Këtë emocion të fal Lino Privitera në orën mësimore që zhvillon me nxënësit e Shkollës së Mesme Kombëtare të Koreografisë në Tiranë. Kujtojmë se, pas workshop-it që mësuesit shqiptarë; Blerina Arbana dhe Shpëtim Dajçi realizuan në muajin korrik të shoqëruar nga pianistja Eriona Kasapi, organizuan një stage në Catania, Sicili, ku përzgjodhën elementet më të mira të shkollës homologe italiane, nxënës të talentuar të moshave të ndryshme. Në këmbim përvoje, në workshop-in që po zhvillohet këtë javë në shkollën shqiptare, nxënësit italianë shoqërojnë mësuesin Lino Privitera në leksionet
e tij.

“Është një event i bukur dhe një kënaqësi e rrallë kur sheh këtë urë lidhjeje midis nxënësve shqiptarë dhe mësuesve italianë, mësuesve italianë dhe nxënësve shqiptarë, që shkëmbejnë eksperiencat dhe vlerat më të mira artistike të këtyre shkollave, duke punuar nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16,00 të mbasdites”, tregon drejtoresha e Shkollës Kombëtare të Baletit, Blerina Arbana.


Sipas saj, mënyra se si Lino Privitera e jep këtë emocion në orën mësimore që zhvillon, është unike, e pastër, e veçantë dhe shprehet se ka kaq shumë dëshirë të punojë me nxënësit shqiptarë, sa nuk e ndien kohën si kalon, nuk e sheh orën që kalon pa u kuptuar, pasi nxënësit shqiptarë, janë kaq të talentuar e me botë artistike e profesionale, sa ai është totalisht i përqëndruar dhe tepër i kënaqur të japë në mënyrë metodike, specifike, artistike, megjithëse ai shpesh është me mendimin se “profesioni merret, nuk jepet”. “Gjithçka që ai po përjeton, performon, ka të bëjë me faktin se shkolla e baletit, e vetmja shkollë në republikë, është një shkollë e fuqishme me baza të shëndosha profesionale të baletit klasik dhe nxënësit e saj që pajisen me Diplomën e maturitetit, janë të gatshëm për tregun e punës.

Është kjo shkollë që i jep lëndën e parë, brumin e përgatitur e të formuar , atë sharm brilant, pa të cilin nuk kuptohen televizionet sot, por edhe teatrove ndërkombëtarë
në botë, sepse po t‘u referohemi të dhënave për maturën e vitit të kaluar, nxënësit e saj tani janë kontigjent i shkollave italiane, franceze, gjermane, spanjolle dhe amerikane”, thekson Arbana. Sipas drejtuesëve të Shkollës së Baletit, të tilla eksperienca duhet të ishin më të shpeshta, të ishin të vazhdueshme, sepse shkëmbime të tilla përvojash janë tepër të shëndetshme, pozitive e kurative për ndjenjat estetike njerëzore.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm (13 dhjetor 2014) të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

U fut për t'u larë, 25 vjeçari polak rrezikon mbytjen te Liqeni i Tiranës

U fut për t'u larë, 25 vjeçari polak rrezikon mbytjen te Liqeni i Tiranës