Trajneri kampion bote me Italinë në vitin 2006, marcello Lippi mendon se gjermania do të fitojë Euro 2012, turneun që po zhvillohet këtë verë. Skuadra e Joachim Low, është ekipi që duhet ti frikësohen të gjithë në Euro 2012, sipas teknikut italian.

"Die Mannschaft" ishte skuadra e vetme në fazën e grupeve, që fitoi të gjitha ndeshjet në grup, duke fituar vendin e parë në të ashtuquajturin "grup të vdekjes". Gjermania do të luajë në cerekfinale me Greqinë të premten.

"Gjermania është ekipi më i fortë në turne. Ajo ka shumë klas dhe personalitet" tha Lippi që vlerësoi edhe formën e sulmuesit Mario Gomez në Euro 2012. Ai është shënuesi më i mirë i turneut deri tani, bashkë me rusin Alan Dzagoev dhe kroatin Mario Mandzukic.

"Gomez është në një gjendje mjaft të mirë. Nëse ai ka topin, gjen mënyrën shumë shpejt për të shënuar. Por nuk është vetëm ai. Gjermania ka shumë armë për të fituar" tha Lippi. (rb/shqiptarja.com)