TIRANË – Në lartësitë e Tropojës, në bjeshkët e Doberdolit ndodhet një liqen i vogël akullnajor që daton pas përfundimit të epokës së fundit akullnajore 15,000-12,000 vjet më parë.

Ndodhet në lartësinë 2124 m mbi nivelin e detit dhe është ndër liqenet më të bukur akullnajore të alpeve shqiptare dhe një destinacion shumë i dëshiruar për vizitorët vendas dhe të huaj.

Në lartësinë e alpeve tona ndodhen disa liqene akullnajore që janë objekt vizitash për studiuesit, kuriozët dhe aventurierët e lartësive. Në të katër stinët, ata kanë vizitorët e tyre.

Një tjetër liqen akullnajor i vizitueshëm nga turistët është dhe ai i Sylbicës ose i Sulbicës që ndodhet në lartësinë mbi 1900 m, në luginën akullnajore të Sylbicës të malësisë së Gashit, Kukës.

Në këtë luginë ka dhe 8 liqene akullnajore, me gjatësi deri 1000 – 1500 m, gjerësi 100 – 250 m dhe sipërfaqe rreth 40 ha. Liqeni më i madh është ai i Sylbicës.

Kanë ujë të përhershëm dhe të ftohtë. Gjatë dimrit ngrijnë në sipërfaqe. Kanë një botë të gjallë të larmishme dhe formojnë një ekosistem interesant të liqeneve alpin. Kanë vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, biologjike dhe turistike. /ATSH/

Redaksia Online
(a.a/Shqiptarja.com)