Liria e medias në Europën Juglindore

Liria e medias në Europën Juglindore
OSBE-ja njofton se Konferenca mbi gjendjen e medias në Europën Jug-Lindore është e treta e radhës e këtij lloji ç’prej vitit 2011, që mbahet për të diskutuar gjendjen e medias në përgjithësi dhe të lirisë së medias në veçanti në vendet e Europës Juglindore, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Në njoftimin e konferencës së radhës, që do të mbahet me 18 deri më 20 shtator në kryeqytetin shqiptar, thuhet se gjatë dy viteve të fundit gjendja e lirisë së medias në vendet e Europës Juglindore, “jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përparim, por në të vërtetë është keqësuar dukshëm.”

Në paralajmërimin e konferencës së Tiranës mbi lirinë e shtypit në vendet e Europës Juglindore javën që vjen, thuhet se, “raportet nga kjo zonë flasin për përpjekje për të shuar zërat kritikë” në media, dhe vazhdon duke thënë se në këtë rajon, “flitet për raste ku autoritetet përzihen duke futur hundët në punën e gazetarëve, si dhe nënvizohen rrethana ku miratohet legjislacioni ose raste ku ligjet ndryshohen brenda 24 orësh, për të bërë më të vështirë lirinë e të shprehurit dhe lirinë e medias”, duke penguar kështu përparimin që duhet bërë tanimë në këtë fushë. Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias deklaron botërisht se ka ardhur koha se ”diçka duhet bërë” në lidhje me këtë situatë të lirisë së medias, ose mungesës së saj.

Konferenca për Lirinë e Medias në Europën Juglindore, që mbahet çdo vit në një vend të ndryshëm të këtij rajoni, sipas njoftimit, sjellë ekspertë të njohur në këtë fushë, nga rajoni dhe më gjerë, duke krijuar kështu një platformë për dialog mbi sfidat e tanishme, me të cilat përballet liria e medias, si dhe për të biseduar mbi hapat që duhen marrë për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Sipas njoftimit të OSBE-së, konferenca e Tiranës do të diskutojë zhvillimet më të rëndësishme me të cilat përballet sot media si dhe sfidat e mëdha në fushën e lirisë së medias në vendet e Europës Jug-Lindore, duke përfshirë ndër të tjera, rregulloret, çështjet digjitale, lirinë e internetit, vet-censurimin nga gazetarët, zbatimin e legjislacionit mediatik dhe transparencën në vet radhët e medias.

Në konferencën e parë të OSBE-së mbi Lirinë e Medias në Europën Jug-Lindore, që u mbajt në Sarajevë në tetor, 2011 u miratua Deklarata e titulluar, “Në Rrugën Drejt Lirisë së Medias”. Deklarata, ndër të tjera, theksoi se “liria e të shprehurit është një e drejtë themelore e njeriut dhe njëra ndër shtyllat kryesore të qeverisjes së mire dhe e funksionimit të shtetit ligjor”. Deklarata, “ripohon rëndësinë themelore të lirisë së të shprehurit dhe lirisë së medias – përfshirë parimet e pavarësisë, pluralizmit dhe shumëllojshmërisë, si mjete jetike në mbrojtje të të gjitha të drejtave të tjera, që janë gurthemeli i demokracisë dhe zhvillimit shoqëror”. Deklarata e Sarajevës, e miratuar nga përfaqësues të vendeve të Europës Juglindore tre vjet  më parë, thekson gjithashtu se “vetëm media që është me të vërtetë e pavarur nga pikëpamja politike, redaksionale dhe ekonomike, mund të luaj rolin kyç që i takon në një shoqëri demokratike.’’ Në deklaratën e miratuar nga të gjithë, thuhet gjithashtu se roli i medias është që të funksionojë si të thuash si një kujdestare dhe mbikëqyrëse e punëve të qeveritarëve dhe të biznesit dhe të informojë publikun mbi aspektet e rëndësishme të jetës, në mënyrë të drejtë dhe pa marrë anën e asnjërës palë. Duke pasqyruar gjithashtu pikëpamje të ndryshme, me qëllim që të mundësojë individët dhe shoqëritë që të marrin vendimet e tyre, bazuar në informacione të sakta dhe të paanshme, kur zgjedhin dhe vlerësojnë punën e qeverive të tyre.

Zbatimi i plotë i këtyre parimeve për lirinë e gjithanshme të medias në zonën e Evropës Juglindore, nuk është askund më i nevojshëm se sa në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në Ballkan, ku media është aq e influencuar nga partitë politike dhe interesa të ndryshme ekonomike e të tjera. Zbatimi i këtyre parimeve për zhvillimin e një medias vërtetë të lire, nuk do të ndodhë për derisa, jo vetëm interesat e ndryshme politike dhe ekonomike – por edhe vetë gazetarët – nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë se pa liri të plotë të fjalës dhe të medias, nuk ka as demokraci të vërtetë as zhvillim normal të shoqërisë.

Le të shpresojmë që konferenca e Tiranës të jetë një hap përpara në “Rrugën Drejt Lirisë së Medias” në trojet shqiptare, dhe të mos jetë vetëm një konferencë e sponsorizuar nga ndërkombëtarët (kësaj radhe nga Holanda) për të biseduar mbi teoritë e lirisë së medias dhe jo mbi zbatimin serioz të standardeve dhe praktikave ndërkombëtare të lirisë së medias, larg influencave politike e partiake. Kjo është një sfidë me të cilën përballen Shqipëria, Kosova , si dhe vendet e tjera të Europës Juglindore, në përpjekjet e tyre për integrim europian, pasi këto janë sfida dhe rregulla të “klubit’’ të përcaktuara, jo vetëm nga OSBE-ja, por edhe nga Bashkimi Europian, për të garantuar pra, pluralizmin dhe lirinë e plotë dhe të pa penguar të medias, si dhe zhvillimin normal të demokracisë.

*Autori është ish-gazetar e redaktor i Zërit të Amerikës.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës