Bluzat me mbishkrimin “Liria ka Emër” i veshën, e gati edhe motoçikletat i kishin bërë për të nisur marshin drejtë Hagës, por motoristët nga Kosova këtë rrugëtim drejt qytetit holandez vendosën ta nisin nga Prekazi historik duke bërë homazhe tek varret e familjes Jashari.

Rreth 150 motoristë shqiptarë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe Evropës në kuadër të platformës “Liria ka Emër” po nisin marshin drejtë Hagës me motoçikleta me thirrjen e vetme drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë.

Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli tha se përmes parakalimit me motoristë në Hagë kërkohet drejtësi.

Bashkëluftëtari, Nasim Haradinaj tha se ky marsh simbolik është thirrje për drejtësi dhe kërkesë qe procesi gjyqësor në Hagë të përfundojë sa ma shpejt dhe të jetë i drejtë.

Për tu dal në mbështetje ish-krerë e të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë gjithëkombëtare.

Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.

Më 3 prill të vitit 2023 nisi procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ata nën akuzat për krime lufte janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020./B.Ibishi/