Në qytetin e Pogradecit ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike, i cili po zbatohet me intensitet të shtuar në lagjen nr. 5. Ky operacion ka si synim kthimin e hapësirave të zëna padrejtësisht nga subjektet private dhe individë, duke i rikthyer ato për përdorim të përbashkët nga qytetarët.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së territorit në bashkinë e Pogradecit, Markel Hafesllari u shpreh se ndërhyrja ka nisur që nga lagjia Kala e qytetit dhe po vazhdon në lagje të tjera. Konkretisht janë mbi 60 objekte pa leje te evidentuara ne 2 lagje të qytetit. Ndërkohë po evidentohen edhe në lagje te tjera të qytetit objekte që kanë zënë hapësirën publike.

Hafesllari i ka bërë thirrje qytetarëve për lirim vullnetar, ndërkohë nuk ka pasur rezistencë gjatë prishjes së objekteve, përkundrazi në disa raste vet nga pronarët e ndërtimeve ka filluar çmontimi i platformave.

 Autoritetet vendore kanë bërë me dije se ndërhyrja do të vijojë në të gjitha lagjet e qytetit, me qëllim krijimin e një mjedisi më të pastër, më të rregullt dhe më të aksesueshëm për të gjithë banorët. Ndërsa disa prej objekteve të paligjshme janë raportuar edhe ne platformën qeveritare “hapësira ime”.