Vijon aksioni për çlirimin e hapësirave publike në qytetin e Shkodrës. Në bulevardin “Zogu I” është ndërhyrë për heqjen e një objekti pa leje që kishte bllokuar qarkullimin pranë pallateve, duke penguar lëvizjen e banorëve dhe aksesin e mjeteve të emergjencës, si zjarrfikësja dhe ambulanca.
Ndërhyrja është ndjekur nga vetë kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili u shpreh se ky veprim vjen në kuadër të një sërë ndërhyrjesh të realizuara pranë shkollës “Ndre Mjeda”, me qëllim lirimin e aksesit dhe përmirësimin e qarkullimit për banorët e zonës.
“Po bëjmë një çlirim të zonës përreth shkollës ‘Ndre Mjeda.’ Siç e kemi thënë, është në kuadër të pastrimit të zonës, sistemimit të hyrje-daljes për zonat e banorëve, zjarrfikëseve apo ambulancave. Ka qenë ndërtim pa leje që është prishur për të liruar, ka zënë gjysmën e rrugës dhe besoj se do të lehtësohet gjithë qarkullimi”, tha kryebashkiaku Benet Beci.
“Kjo hapësirë i shërben edhe zonës për kalimin e zjarrfikëseve dhe ambulancave sepse ishte bërë pengesë për rrugën”, tha drejtori i Policisë Bashkiake, Saimir Rrustemi.
Autoritetet bëjnë me dije se puna do të vijojë në çdo lagje të Shkodrës, për të korrigjuar deformimet urbane të krijuara ndër vite dhe për t’i kthyer hapësirat publike në shërbim të qytetarëve.
Komente











