Prej 1 jave ka nisur aksioni në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike, të zëna nga ndërtime pa leje, sidomos nga lokalet që kanë nxjerrë çadra dhe tavolina.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook një video nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, ku shkruan se aksioni ka prodhuar çlirim për këmbësorët.

Kreu i ekzekutivit shkruan ndër të tjera se ka edhe lokale që rezistojnë të heqin vullnetarisht tendat e hekurit, të cilat, sipas tij, do të largohen nga autoritetet shtetërore dhe pronarët do të gjobiten.

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave. Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shkruan Rama në Facebook.

Për struktura të tilla të ngritura nga lokalet, Kryeministri paralajmëroi disa ditë më parë se do të ketë ndjekje penale për ata punonjës të Kadastrës që i kanë legalizuar, ndërsa lejet e legalizimit do të anulohen.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:35
Rama publikon pamjet nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në Tiranë: Nga zemra e çliruar e Komunës së Parisit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, ka publikuar pamje të tjera nga dita e sotme nga lirimi i hapësirave publike në Tiranë. Pamjet e publikuara nga kryeministri janë në zonën e Komunës së Parisit.

'Nga zemra e çliruar e Komunës së Parisit në Tiranë', shkruan ai.