Lirimi i Haradinajt, Tirana mirëpret
vendimin: Lufta e UÇK-së e drejtë

Lirimi i Haradinajt, Tirana mirëpret<br />vendimin: Lufta e UÇK-së e drejtë
Edhe nga Tirana kanë ardhur urime për lirimin e Ramush Haradinajt nga Gjykata e Hagës. Një vendim i cili tregon se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

NISHANI: VENDIMI, FITORE E DEJTESISE
Presidenti Bujar Nishani përshëndet vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin nga akuzat të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“Vendimi i Gjykatës së Hagës për të çliruar nga të gjitha akuzat Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn është një fitore e rëndësishme e drejtësisë dhe shprehje e shkëlqyer e paanësisë së kësaj Gjykate.
Ky vendim ka një dimension human për familjarët dhe të afërmit, është i një dimensioni kombëtar për shqiptarët që mbështetën me përpjekje të pandërprera çlirimin e Kosovës, për të rënët që bënë sakrificën sublime, për luftëtarët e UÇK-së.
Përpjekjet e pandërprera për të krijuar konfuzion në lidhje me autorësinë e krimit dhe të viktimës për qëllime politike duhet të ketë marrë një mësim”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës.

PANARITI: NDIRÇOHET LUFTA E POPULLIT TE KOSOVES
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) përshëndet përfundimin e procesit gjyqësor dhe shpalljen e pafajsisë për zotin Ramush Haradinaj, Kryetar i Alenacës për Ardhërinë e Kosovës dhe një nga komandantët e spikatur të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

“MPJ e çmon dhe respekton plotësisht këtë vendim të drejtë e përfundimtar të Gjykatës, me bindjen se ai kontribuon në mënyrën më të shkëlqyer drejtësisë historike dhe së drejtës ndërkombëtare. Ministria e Punëve të Jashtme gjen rastin të përcjellë urimet më të përzemërta për zotin Haradinaj dhe të gjithë institucionet e Kosovës për këtë ngjarje që ndricon edhe më shumë luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe përpjekjet e tyre të mëdha për konsolidimin e shtetit të tyre”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashmte.

TOPI: SHQIPTARET ISHIN VIKTIMAT E LUFTES
Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Hagës, për shpalljen të pafajshëm dhe lirimin nga të gjitha akuzat të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj. Përmes një deklarate për mediat Topi e cilësoi vendimin e drejtë të Gjykatës së Hagës, si një tregues të drejtësisë së luftës së UÇK-së, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata e Hagës vërtetoi edhe një herë se nuk ishin shqiptarët ata që kryen krime, përkundrazi shqiptarët ishin viktima të krimeve të të tjerëve”, thuhet në deklaratë.
Topi vlerëson figurën e Ramush Haradinajt, si hero të gjallë të Kosovës, simbol të luftës së UÇK-së, si një politikan të aftë, patriot dhe shtetar për të cilin ka nevojë Kosova.

BERISHA: KAM BESUAR GJITHNJE NE PAFAJESINE E HARADINAJ

Kryeministri i vendit Sali Berisha, lidhur me lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe “komandatit legjendar”, siç u shpreh ai për Ramush Haradinaj, tha se ka besuar gjithnjë në pafajësinë e tij. Deklarata e kryeministrit u bë sot gjatë një konference të përbashkët me homologun slloven, Janez Jansa, pas takimit që zhvilluan në ambientet e kryeministrisë, pyetur nga gazetari i televizionit A1Report, Indrit Maraku. Shefi i qeverisë shfrytëzoi rastin për t’i bërë ftesë Haradinaj për të festuar lirimin e tij në Shqipëri.

“Ky ishte lajmi më i gëzueshëm që më erdhi mua dhe të gjithë shqiptarëve në këtë ditë, pafajësia e ish-kryeministrit të Kosovës dhe komandantit legjendar. S’kam pasur kurrë dyshim tek pafajësia e Haradinaj. Shfrytëzoj rastin ta ftoj në Shqipëri të festojmë së bashku këtë ditë të madhe, këtë vit të madh.”, tha kryeministri Berisha.

META: LAJM SHUME I MIRE
“Sot më 29 Nëntor vijmë lajme shumë të mira nga Gjykata e Hagës, ku Haradinaj fitoi për herë të dytë pafajësinë duke i dhënë legjitimet dhe krenari luftës së drejtë në Kosovë”- tha Ilir Meta, kreu i LSI-së pas homazhe të zhvilluara në monumentin “Nëna Shqipëri”

RAMA: HIJET E HIDHURA PER UÇK-në U FASHITEN
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, u shpreh lidhur me shpalljen e pafajësisë së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj kundrejt akuzave për krime lufte, se vendimi i Hagës “çliroji hijet që kanë hedhur keqdashësit ndaj protagonsitëve të Ushtrisë Clirimtare Kosovare.”

“UCK ka marrë sot pafajësinë, dhe protagonsistët e saj sot janë çliruar një herë e mirë nga çdo hije që kanë hedhur mbi ta keqdashësit, ndaj atyre që asnjëherë s’kanë dashur t’i largohen mendimit që Kosova është e lirë. Kufijtë tanimë nuk kanë asnjë rëndësi dhe ne së bashku mund të shkruajmë një histori nën shenjën e flamurit të Ismail Qemalit. Pafajësia është një ogur shumë i mirë dhe një përfundim si s’ka më mirë i një kapitulli, i cili u hap dhe u mbyll bazuar mbi të drejtën”, u shpreh sot Edi Rama gjatë takimit me përfaqësues të partisë Socialiste, në ambientet e Xibrakut në periferi të Tiranës.

“29 Nëntori agoi me pafajësinë përfundimtare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës përmes pafajësisë së marrë nga Haradinaj e luftëtarët e tjerë. Është një moment i jashtëzakonshëm pasi që prej sot të gjitha hijet e hedhura nga keqdashësit mbi lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroikën e luftëtarëve të saj janë fashitur një herë e përgjithshëm”, tha më herët Rama gjatë ceremonisë në varrezat e Dëshmorëve me rastin e Çlirimit të Shqipërisë.

PDIU: VENDIMI TREGON SE LUFTA E SHQIPTAREVE KA QENE E DREJTE
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet vendimin e Gjykatës së Hagës për shpalljen e pafajsisë të Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“Vendimi është i vonuar, por një akt i drejtë që hedh poshtë goditjet që u tentuan t’i bëheshin nga akuza, jo vetëm z. Haradinaj, por në tërësi luftës së drejtë të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës. Ramush Haradinaj, sikurse edhe Fatmir Limaj, Hashim Thaçi dhe figurat e tjera kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë përbaltur qëllimisht dhe pa të drejtë përgjatë gjithë kësaj periudhe, si tentativë për të përbaltur UÇK-në dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës për çlirim. Deri më sot, përgjigja nga drejtësia ndërkombëtare ka qenë e qartë: lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës ka qenë e drejtë dhe si z. Limaj ashtu edhe z. Haradinaj janë shpallur të pafajshëm në proceset gjyqësore të stisura ndaj tyre”, -lexohet në njoftimin për shtyp të PDIU-së.

Redaksia online
(sg/Gre.M/eç/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë