Lirimi i Lul Berishës, Lu: Nuk e 
pranojmë, gjykata e korruptua

Lirimi i Lul Berishës, Lu: Nuk e <br />pranojmë, gjykata e korruptua
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, ka reaguar ashpër pas lirimit nga burgu të ish-kreut të "Bandës së Durrësit", Lulzim Berisha.
 
Lu ka thënë se lirimi i kapobandës është bërë për arsye të panjohura, ndërsa e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Durrësit si të papranueshëm. 
 
Ambasadori amerikan i ka cilësuar sërish gjykatat shqiptare si të korruptuara. 

"Të mërkurën kreu famëkeq i krimit të organizuar, Lulzim Berisha u lirua nga burgu për arsye të panjohura. Ai vuajti më pak se gjysmën e dënimit me 25 vite burg për 6 vrasje, trafik droge dhe krim të organizuar. Të gjithë duhet të indinjohemi nga ky vendim. Duhet t'u themi gjykatave të korruptuara se në demokraci kjo është e papranueshme", është shprehur Lu.

Deklaratat e forta të kryediplomatit amerikan u bënë gjatë një aktiviteti për nxitjen e Shoqërisë Civile.  

Dhjetë vite pas arrestimit në Maqedoni e më pas ekstradimit drejt Shqipërisë ku ishte në kërkim për një sërë krimesh, Lulzim Berisha i njohur si ish-kreu i Bandës së Durrësit, fitoi lirinë tre ditë më parë, më 6 dhjetor me vendim të Gjykatës së Durrësit.

Prej të martës së kësaj jave, Lulzim Berisha ka lënë qelitë e burgut dhe ndodhet në shtëpinë e tij në Durrës.   

Në vitin 2014, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi dënimin me burg përjetë dhënë ndaj Lulzim Berishës duke lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg.

Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë teksa hoqi dënimin me burg përjetë sqaroi se aktiviteti kriminal i Bandës së Durrësit ishte kryer në vitet 1998-2000 dhe dënimet duhet të bazoheshin në Kodin Penal të asaj periudhe që kishte dënime më te ulta.

16 anëtarët e ish-Bandës famëkeqe në Durrës u dënuan në total me 245 vite burgim nga gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, vendim i lënë në fuqi dhe nga Apeli ndërsa pas rekursit në Gjykatën e Lartë i vetmi që s’ka mundur t’i shpëtojë burgimit për jetë është Indrit Dokle.

Dënimi me burg përjetë iu hoq dhe Plarent Dervishajt i njohur si krahu i djathtë i Lulzim Berishës.

Kjo bandë sipas dënimeve të gjykatës përbëhej nga 16 persona ndërsa ndër provat e forta të prokurorisë që çoi në dënimin e tyre ishte dëshmia e Adriatik Colit i cili u pendua dhe mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë duke u dënuar me 10 vite burg.

Kush është Lulzim Berisha?
Lulzim Berisha akuzohej si kreu i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale që merrej me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Koka tjetër e kësaj bande ishte Klodian Saliu i vrarë në vitin 2005.

Banda nisi të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.
 
Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.
 
Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.
 
Lulzim Berisha cilësohet si një ndër më të njohurit e të rrezikshmit e botës së krimit në vend.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Hapet tregu i gjelave të detit në Baldushk, Veliaj: Konsumoni produktet lokale për të ndihmuar familjet e zonës

Hapet tregu i gjelave të detit në Baldushk, Veliaj: Konsumoni produktet lokale për të ndihmuar familjet e zonës